Kryeartikull

NENI 98 – Çfarë sjell ankimimi i Nishanit në Kushtetuese

Dërgimi i çështjes në Kushtetuese, bllokon shqyrtimin në Kuvend të dekreteve për shkarkim të Canit dhe Ahmetajt. Kjo sepse një nga pyetjet që i ka drejtuar Presidenti Gjykatës Kushtetuese, është se si duhet të përcillen dekretet nga Presidenti në Kuvend, që do të thotë se tashmë për hapat e mëtejshëm duhet pritur vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese.

Kjo e fundit duhet të shprehet nëse Kuvendi duhet të vijojë me shqyrtim një nga një të dekreteve? Pra në fillim shqyrtimi i dekretit të Presidentit për shkarkim nga Kuvendi dhe pastaj përcjellja e dekretit për emërim? Apo me një shqyrtim të njëkohshëm (kuptohet duke filluar me dekretin e shkarkimit) nga Kuvendi të dy dekreteve?

Një fakt tjetër interesant është pyetja që ka bërë Nishani lidhur me kompetencën e tij, pra nëse është thjesht simbolike ose formale apo mund t’u hyjë edhe vlerësimit të kritereve kushtetuese dhe ligjore të kandidatit për emërim.

Nëse gjykata do të interpretojë që Presidenti mund t’i hyjë këtij vlerësimi, atëherë kjo ngushton shumë diskrecionin e kryeministrit në përzgjedhjen e ministrave. Në fund të fundit, një zgjedhje e gabuar e tij, mund të penalizohet jo nga Presidenti duke mospërcjellë dekretin, por nga Kuvendi që mund të mosvotojë këtë person.

Nga ana tjetër, një vlerësim formal mund të ketë nga Presidenti, për shembull kur shikon që personi i propozuar ka papajtueshmëri me funksionin e ministrit, ose nëse haptazi ose dukshëm nuk plotëson kriteret kushtetuese për t’u zgjedhur në këtë funksion.

Opozita me shumë gjasa ka llogaritur të bëjë presion që Kuvendi të votojë për dy dekretet e shkarkimit të përcjella nga Presidenti, duke kërkuar që të prodhojë një situatë boshllëku ose vakance në qeveri deri në shqyrtimin e çështjes nga Gjykata Kushtetuese. Po të mendosh që këto vakanca janë në dy dikasteret më të rëndësishme, të Ekonomisë dhe të Financës, çështja bëhet serioze.

Nga ana tjetër, nëse Kuvendi nuk do të votojë këto dy dekrete shkarkimi, kryeministrit do t’i duhet të vazhdojë të punojë me Shkëlqim Canin, një ministër që në vlerësimin e tij nuk është në standardin e duhur. Kuptohet që pavarësisht kësaj, parimet e ligjshmërisë dhe përgjegjshmërisë janë të mjaftueshme për vijimin e punës ndërmjet të dyve, por ndaj Canit, kreu i qeverisë tashmë e ka humbur besimin

Ka edhe çështje që lidhin këtë proces me një lloj votbesimi ndaj qeverisë, sepse në fund të fundit, propozimet për emërime që Kryeministri bën, kanë për qëllim edhe përmbushjen e programit të qeverisë.

Domethënë ministrat janë ata që do të përmbushin programin e qeverisë në fushën e përgjegjësisë së ministrisë. Pra votimi i ministrave në vetvete është edhe votbesim për qeverinë. / Dita /

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button