Ekonomia

ISSH zbardh kriteret e daljes në pension

Nga Pranvera Kola

Gratë e lindura nga 1 nëntori i 1955-ës, deri në 31 gusht të 1956, i shtohen si kategori përfituese për herë të parë skemës së pensioneve për 2016-ën. Kjo kategori duhet që të dorëzojë kërkesën dhe dokumentacionet e tjera të domosdoshme për të lidhur në kohë pagesën që ju takon sipas ligjit për sigurimet shoqërore. Duhet bërë kujdes në dorëzimin e kërkesës për përfitim, pasi vonesat mund të shtyjnë ndarjen e përfitimit mujor.

Përsa i përket vjetërsisë në punë, ajo rritet me 4 muaj në vit, si për burrat dhe për gratë. Kështu, vjetërsia e punës e kërkuar është 35 vite 8 muaj për të gjitha kategoritë që dalin për herë të parë në pension gjatë këtij viti. “Në zbatim të nenit 92, të ligjit nr. 7703, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar me ligjin nr. 104/2014, mosha e daljes në pension pleqërie në harkun kohor një janar deri në 31 dhjetor të 2016-ës, për burrat vazhdon të jetë 65 vjeç, ndërsa për gratë është 60 vjeç e 4 muaj”, sqarohet nga ISSH.

Nënat, që kanë lindur 6, apo më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vite të njohura si vjetërsi pune. Duke iu referuar viteve të lindjes në këtë rast pension si nënë me shumë fëmijë do të marrin femrat që kanë lindur përgjatë vitit 1961. Periudha minimale e sigurimit, apo viteve të punës nuk ndryshon, mbetet 15 vite. Çka do të thotë se të gjitha femrat që nuk kanë vjetërsinë kontributive të përcaktuar sipas ligjit, por kanë 15, apo më shumë vjetërsi pune, mund të kërkojnë trajtime të llojeve të tjera të përfitimeve që përfshin skema e pensioneve.

Por, edhe në këtë rast përfituesit duhet të plotësojnë kriterin e plotë të vjetërsisë së punës. Sipas ISSH-së, pensionet e reduktuara janë një tjetër lloj përfitimi. Sa i takon kritereve të përfitimit sqarohet se pensioni i reduktuar përfitohet deri në tre vite përpara plotësimit të moshës për pension pleqërie, me kusht që: “Kërkuesi, qoftë burrë apo grua, nëse kërkon të përfitojë pension të reduktuar në vitin 2016, duhet të këtë plotësuar 35 vite e 8 muaj periudhë sigurimi, si dhe nuk kryen veprimtari ekonomike si i punësuar, punëdhënës ose i vetëpunësuar”.

Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit, pra kur plotëson moshën për pension pleqërie ai nuk ndryshon. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i pleqërisë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit para mbushjes së moshës, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit është 0.6 për qind në muaj.

“Në një shembull të detajuar mbi mënyrën e llogaritjes së këtij pensioni ISSH saktëson se: “Nëse një përfitues kërkon pension të reduktuar 20 muaj para mbushjes së moshës për pension të plotë pleqërie, nga pensioni i plotë mujor i llogaritur, që mund t’i caktohet 24.000 lekë, do t’i zbritet 12 për qind (që del nga prodhimi i 20 muajve që e ka përfituar më shpejt pensionin e pleqërisë me 0.6 për qind që është koeficienti.

Dokumentacioni bazë për përfitimet e plota e të reduktuara

Dokumentacioni bazë që kërkohet për të përfituar një pension të plotë pleqërie, një përfitim të reduktuar, apo pension si nënë me shumë fëmijë përfshin: “Fotokopje e kartës së identitetit, certifikatë të gjendjes familjare, certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra), vërtetim nga Komuna apo Bashkia për ndryshimin e gjeneralitetit, vërtetim nga qendra e fundit e punës për gjeneralitetin, 2 fotografi. Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, duhet të paraqitet edhe certifikatë e veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje, për fëmijët që nuk figurojnë në certifikatën e gjendjes familjare”.

Ndërkohë në dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës përfshihen libreza e punës, vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj, vendimi i emërimit në punë, si kuadër në ish-kooperativat bujqësore, vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë, vërtetim i degës ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj), vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët, fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna).

Për personat që përfitojnë nga Ligji nr. 7514 “Për pafajësinë, amnistinë dhe reabilitimin e ish-të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë” duhen edhe: “ Vërtetim i gjendjes gjyqësore, vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik, vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë, si dhe çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qenien në punë.

Në listën e dokumenteve që vërtetojnë të ardhurat e realizuara janë: “Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994), si dhe çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive”.

Transferimi i pensionit dhe kompensimit të energjisë

Në rastet e ndryshimit të vendbanimit, pensionisti duhet të aplikojë edhe për transferimin e pensionit. Kërkesa në këtë rast bëhet në agjencinë lokale të sigurimeve, ku ndodhet vendbanimi. Kjo kërkesë duhet shoqëruar me dokumentacionet përkatëse, duke përfshirë këtu edhe dokumentet që nevojiten për kompensimin e energjisë elektrike.

Konkretisht, dokumentet që duhet të dorëzohen për transferim pensioni nga një rajon në tjetrin janë: “Certifikatë familjare, fotokopje e Kartës së identitetit”. Ndërsa në dosjen e dokumenteve që duhet të dorëzohen për përfitimin e kompensimit të energjisë elektrike duhet të jenë: “Deklarata për kompensimet, fotokopje e kontratës së energjisë elektrike, vërtetim për fëmijët deri në 25 vjeç nga shkolla, vërtetim nga zyra e tatim-taksave të baskisë, ose komunës, vërtetim nga zyra e punës, si punëkërkues për anëtarët e tjerë të familjes”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button