Maqedonia

SHBA: Shpresojmë që zgjedhjet e 5 qershorit të jenë të besueshme

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shkup, Jess Baily, si dhe eurodeputetët Richard Hoëitt, Ivo Vajgel dhe Eduard Kukan, kanë mirëpritur vendimin për shtyrjen e datës së zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni.

Diplomati amerikan tha se, ky është një lajm i mirë për vendin, si dhe ftoi të gjitha partitë politike, që të japin kontributin e tyre për zgjedhje të besueshme.

“Nëse të gjithë punojnë me përkushtim dhe u përmbahen rregullave, besojmë se zgjedhjet e 5 qershorit mund të jenë të besueshme dhe që do ta çojnë Maqedoninë përpara në zgjidhjen e krizës politike”, tha Jess Baily, ambasadori i SHBA-ve në Shkup.

Ambasadori amerikan foli edhe për reformat në media, si një nga çështje kryesore me të cilën opozita maqedonase kushtëzon mbajtjen e zgjedhjeve, e për të cilën ende nuk ka marrëveshje mes palëve.

“Reformat në media mbeten një çështje shumë e rëndësishme jo vetëm për procesin zgjedhor, por edhe si reforma me prioritet që duhet të zbatohen. Sesi do të vlerësohen mediat, kjo varet nga mënyra si do ta kryejnë punën e tyre dhe si do të raportojnë për këto zgjedhje shumë të rëndësishme. Të gjithë ju keni firmosur një Kod Etike, prandaj do të jetë e rëndësishme sesi do ta bëni punën tuaj për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të Maqedonisë me informimin”, tha më tej Jess Baily.

Presioni i faktorit ndërkombëtar mbi partitë në Shkup për të shtyrë datën e zgjedhjeve e ka shpëtuar Maqedoninë nga thellimi i mëtejshëm i krizës, me pasoja të rënda mbi stabilitetin dhe ardhmërinë e vendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button