Opinion

Kriza e folkut të tranzicionit

NDUE DEDAJ

Ndue DedajFolku, në kohën moderne, nuk është më në “kohën” e tij, ashtu siç nuk është as kanuni, kulla, kuvendi tradicional, qeleshja e bardhë e gjyshërve, vajet e moçme të grave, arkitektura klasike e stilit roman, gotik, barok etj. Kur Ansambli i ynë i Këngëve dhe Valleve Popullore jepte shfaqje në vitet ‘80 në Suedi e Norvegji, njerëzit habiteshin se si folku shqiptar ishte ende i gjallë dhe nuk kishte shkuar në muze. Kurse për rapsodët tanë të vonë, një mendim i tillë ngjan heretik. Si guxohet të flitet kundër folklorit, a thua se po bën ndonjë sakrilegj kundër vetë popullit? Por qasja në këtë shkrim është mbarështimi shkencor i kësaj pasurie. Nuk jemi kundër praktikimit të materies folklorike, si prurje autentike e krahinave, por vetëm e selitur nga duart e profesionistëve, përndryshe është si të ecësh me çizme ushtarake mbi amforat antike. Edhe pse nuk ka më veprimtari folklorike me shkëlqimin e dikurshëm, ka pasur megjithatë përpjekje serioze për të sjellë përmes programesh të ndryshme televizive visarin kulturor trashëgimor të trevave, si Tirana, Elbasani, Vlora, Korça, Shkodra, apo atë të Kosovës, Çamërisë, Arbëreshëve etj. Përmes formatesh të tilla, publiku i sotëm sheh se cili është folk i mirëfilltë dhe cili sajim folklorik, që cenon vlerat unitare të artit popullor. Veçse drama e tranzicionit nuk është vetëm e folkut, po dhe e muzikës qytetare. Mjeshtri Agim Krajka, në një organ shtypi kulturor vëren me shqetësim se “ka bërës këngësh (s’i quajmë dot kompozitorë) që nuk njohin notat e pentagramit dhe se tash shumë syresh kompozojnë përmes instrumenteve elektronike. I bie në këtë rast që kompozitor të jetë kompjuteri! Po ai nuk e ka ndjeshmërinë e kompozitorit. Kësaj muzike i mungon për më tepër shqiptarësia, sado manipulimit elektronik me këngët e traditës shqiptare. Kemi ndërkohë një handikap edhe për sa u përket teksteve të këngëve, të cilat krijohen nga gjithkush, përfshi dhe kompozitorët vetë, por jo nga poetët”. Ngrihet zëri fort kur kështjellat duan t’i bëjnë motele, por rrallë ndodh kështu kur “barbarët” rrëzojnë kështjellën e fjalës dhe muzës popullore, që është melodia, kënga, vallja, veshja etj. Pse duhet të jemi të ndjeshëm vetëm për monumentet prej guri e jo dhe për ato shpirtërore? Siç nuk lejohet që një monument kulture ta kthesh në kioskë, ashtu nuk duhet lejuar askush të kthejë në “kioskë” muzikore trashëgiminë folklorike të Festivaleve të Gjirokastrës etj.

A duhen zhvilluar më festivalet folklorike kombëtare të Gjirokastrës?!

Festivalet folklorike kombëtare që bëhen si me zor, një herë në pesë vjet, nuk janë më me amën e burimores, por me shumë sajesa e përftesa folklorike. Ky deformim nuk ka nisur sot. Etnomuzikologu Pirro Miso vëren se “me gjithë suksesin e manifestimeve folklorike kombëtare në vite, mund të thuhet se në kontekstin e lëvizjeve të tilla masive ka pasur edhe deformime të ndjeshme të elementeve organologjikë, të cilët në mjaft raste ndryshuan rrënjësisht fizionominë e instrumenteve si dhe fuzionet fillestare të formacioneve instrumentale popullore”. Të mendosh pastaj se sa i rëndë është deformimi folklorik nga ata që e gjetën folkun si sheshin ku mund të dilnin një dorë para. Sidoqoftë, deformimi më i madh nuk vjen nga dyzenxhinjtë e sazexhinjtë e provincës të lodhur nga tranzicioni, po nga ata që i lejojnë këta manipulues të vegjël të ngjiten në skenë me visarin folklorik kombëtar nëpër duar e nëpër këmbë. Në katër festivalet e pas ‘90-s, në Gjirokastër e Berat, gjërat nuk kanë shkuar mirë dhe tani që po troket i pesti, specialistët kanë ngritur zërin. Shqetësimin e tyre e përcjell gazeta “Shqip”, ku citohet etnomuzikologu Jorgo Roze: “Në këto edicione janë sjellë në skenën e festivalit krijime, ndërhyrje dhe përpunime jashtë natyrës së melosit popullor tradicional, tekste të sajuara nga pseudorapsodë, interpretime të shpërfytyruara nga variantet autentike të grupeve artistike, të cilat përbëjnë shmangie dhe shpërfillje të evidentimit të vlerave autentike etnofolklorike”. Kurse piktori i kostumografisë Stavri Çati ngre problemin e “veshjeve dhe kostumeve autentike të trevave të ndryshme që në këto festivalet e fundit kanë lënë shumë për të dëshiruar”. (E. Serjani, “Shqip”, 9 korrik 2014.) Dhe ky alarm vjen nga kalaja ku vitin e ardhshëm do të buçasë ose jo folku. Po cili, ai burimor, apo shemra e tij? Nëse këto festivale nuk kanë më se çfarë thonë, për më tepër me grupe në bazë qarqesh, më mirë të mos bëhen!…

Maratonë diletantësh që “lëçisin” folkun brenda dhe jashtë vendit

Në dekadën e fundit aty-këtu ka pasur përpjekje për njëfarë ridimensionimi të traditës muzikore popullore në disa rrethe, si Fieri me festivalin e polifonisë të zhvilluar në Bylys, Mirdita përmes koncertesh të përbashkëta me Ansamblin e Shtetit e formacione muzikore nga trojet shqiptare; Fushë-Arrësi me festivalin e përvitshëm të instrumentistëve të rinj, ashtu si një odeon të pashprishur ku muzika popullore luhet brenda hireve të veta e kemi në Kosovë, në programet e drejtuar nga këngëtarja Shkurte Fejza etj. Iu kanë hije shqiptarëve në emigracion shfaqjet me muzikë popullore që organizojnë në raste festash, ku dhe nëse mungon cilësia e dëshiruar, ata kanë vënë shpirtin në notat muzikore dhe jo si suitat e amatorëve këndej që kanë si qëllim vetëm përfitimin material. Në të kaluarën ata që e kanë banalizuar folklorin, kanë qenë përgjegjësit e vatrave të kulturës, duke shkruar tekste me përmbajtje ideologjike, në këmbë e në dorë, kurse sot e ka pësuar dhe muzika deri në asht. Ka një shprishje e tjetërsim të folkut muzikor gjithandej. Tani të gjithë këndojnë e kërcejnë në skenë pa kurrfarë droje, stisin vargje, ritme dhe melodi, gjoja popullore. Dikur çiftelia sillej në sofrat e dasmës me një lloj solemniteti teatror derisa të gjendej ustai që ia thoshte asaj, i cili ishte në provë në sy të të gjithë dasmorëve. Nuk mund të bëhej shaka me këngën, nuk ishte ajo një lojë filxhanash, ku lejohej dhe pak “tallava”. Kurse sot të gjithë i bëjnë të gjitha. Në shikim të parë, ku ta gjesh që njerëzit të merren me populloren, në kohën kur globalizmi po fshin me shpejtësi gjurmët e traditës. Por kjo popullore që serviret sot është kaq e manipuluar sa bie përnjëherësh si një ngrehinë pa themele. Ndryshe ndodh me perlat e vërteta muzikologjike që i bëjnë nder dhe trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Amza e folkut shqiptar ngërthen vlera të pashoqe, si isopolifonia labe e gjirokastrite, lahutat e çiftelitë e Veriut, fyejt e Gramshit, sazet e Përmetit, serenatat korçare, vallet e Tropojës e Librazhdit, xhubleta e Malësisë së Madhe dhe kostumet e Dropullit, këngët qytetare të Shqipërisë së Mesme e sa thesare të tjera autentike të identitetit tonë kulturor. Nuk mundet gjithkush t’i bjerë lahutës, madje ata që mund ta bëjnë këtë sot numërohen me gishtat e njërës dorë. Janë “lodhur” kaq shumë lahutarët, duke rrugëtuar që nga Eposi i Kreshnikëve, sa tani kanë shkuar të pushojnë. Thënë në mënyrë të figurshme, lahutës sot mund t’i bihet vetëm me lejen e tyre.

Deformimin e muzikës popullore e ndal vetëm ligji!

Edhe pse Shqipëria ka arritur lartësi muzikore europiane, me diva si Tefta Tashko Koço, Nexhmie Pagarusha, Vaçe Zela, Inva Mula, apo këngëtarë si Lukë Kaçaj, Mentor Xhemali, Kastriot Tusha e të tjerë, të habit lehtësia me të cilën amatorët i qasen folkut, duke shqyer këtu një motiv e atje një tjetër, për të arnuar këngët e tyre pa shije dhe për më tepër përshtatja jonë si publik me këtë çorbë muzikore dasmash që nuk kapërdihet. Si mund të sillen “vendçe” me artin popullor të punësuarit në sektorët e kulturës, shoqatat muzikore, grupet e turbofolkut që gjezdisin andej-këndej nëpër shqiptarët e Europës për pak euro? Kjo është çështja. Poeti i këngës Viktor Gjikolaj vëren me shqetësim një “fenomen të çuditshëm”, siç e quan ai, në Veri të Shqipërisë: “Ndërsa në dasma nuk dëgjon një çifteli a këngë me lahutë, në skenat publike bien nja dy a tre dyzena dhe në pjesën më të madhe muzika është me CD. Folklorizëm i gjallë! Kioska kasetash të shurdhojnë me do këngë që nuk kanë asnjë vlerë përveç ndotjes akustike në mjediset urbane. Jepen koncerte e shfaqje të tjera të skenës pa kaluar në asnjë filtër artistik. Disa shoqata shkojnë si përfaqësuese të krahinave të tyre pa asnjë tagër duke abuzuar me kontributin e dhjetëra krijuesve të talentuar ndër dekada. Në fund të fundit, a ka politika kulturore shteti shqiptar?…”

Është thënë sa herë që këtë bërllok muzikor duhet ta frenojnë institucionet kulturore dhe mjeshtrit e muzikës, duke orientuar se nga duhet të mbajnë entet që mëtojnë të merren me kulturën muziktare popullore, studiot që regjistrojnë klipe, shkollat në mësimdhënien e lëndës së muzikës etj. Nuk mund ta bëjnë këtë vetëm Krajka, Zhulali, Saraçi, Hila, Susaj etj., por kërkohet diçka institucionale. Apeli ka të bëjë në radhë të parë me Ministrinë e Kulturës dhe institucionet në varësi të saj që merren me promovimin e muzikës popullore, muzikantët profesionistë, profesorët e artit, artistët e shquar, ku do të ishte i nevojshëm dhe debati mediatik. Tranzicion kanë kaluar dhe vendet e tjera të rajonit, por atje nuk ka ndodhur ky shokim i folkut. Integrimi europian nuk bëhet me improvizime, as politike, as kulturore, as folklorike. Tani nuk krijohet më folklor. Tani bëhet sikur bëhet folklor! Ky që serviret është gjasme folklor. Është qesharake të dëgjosh këngë të rapsodëve për rapsodët (!) Kur këta i këndojnë vetes do të thotë se misioni i tyre ka mbaruar. Politikat e vjetra masovike nuk mund ta shëndoshin gjendjen, vetëm qasjet e reja kulturore e sjellin ndryshimin. Përdhosjen komerciale të vlerave muzikore të traditës e ndalon vetëm ligji. Ministria e Kulturës, që për herë të parë nuk është dikaster edhe gjërash të tjera (turizmi, rinie, sportesh) mund t’i reformojë politikat kulturore. Ajo po përpiqet ta shndërrojë në problem kombëtar trashëgiminë kulturore, duke ndërhyrë me fonde në objekte fondamentale, si Fototeka “Marubi” Shkodër, rikonstruksioni i Muzeut Arkeologjik të Durrësit, në banesa historike të qytetit muze të Gjirokastrës etj. Qeveria ka marrë së fundi vendimin për ngritjen e një komisioni shtetëror për muzetë. Ndaj le të shpresojmë se dhe folku e muzika popullore e kultivuar do të trajtohen në një tjetër përmasë social-kulturore e ligjore

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button