Kosova

Opozita: Në shesh deri në plotësimin e kërkesave

Deputetë e aktivistë të partive opozitare në Kosovë vazhdojnë të qëndrojnë në sheshin “Skenderbeu” dhe atë “Ibrahim Rugova”, në shenjë proteste kundër qeverisë Mustafa-Thaçi, ku një ditë më parë kanë vendosur disa tenda.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Smajl Latifi, tha se “tashmë është e qartë për të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe për ndërkombëtarët se qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa ka bërë shkelje të rënda kushtetuese dhe si e tillë është e papranueshme që të vazhdojë të qeverisë vendin”.

“Ne do të qëndrojmë në shesh derisa të jetë nevoja dhe të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, tha Latifi duke shtuar se aktivistët do të kundërshtojnë edhe mbajtjen e seancës së Kuvendit të Kosovës sot në orën 14:00.

“Deputetët do të përpiqen mos të lejojnë mbajtjen e seancës”, shtoi ai.

Ndërsa nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi tha se “kaluam një natë të zakonshme këtu në shesh . Në orët e vona të mbrëmjes u bashkuan me ne dhe të jenë pjesë e protestës edhe shumë aktivistë të opozitës. Ne do të qëndrojmë deri në realizimin e kërkesave tona”.

Çaushi theksoi se gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës do të ketë grumbullim të protestuesve, të cilët tashmë gjenden në shesh për ta kundërshtuar një gjë të tillë.

“Unë besoj që do të ketë grumbullim të zakonshëm siç ka ndodhur edhe në seancat e tjera, do të vijnë shumë aktivistë të tjerë edhe nga qendrat e tjera të Kosovës”, deklaroi ai.

Aktivistë të tri partive opozitare, VV, AAK dhe Nisma e kanë filluar protestën të martën në orën 14:00, duke vendosur disa tenda në shesh për të qëndruar aty deri në largimin e qeverisë

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button