Home / Presidenciale / Nishani i kërkon Bosnje-Hercegovinës njohjen e Kosovës

Nishani i kërkon Bosnje-Hercegovinës njohjen e Kosovës

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nisi të mërkurën një vizitë zyrtare në Bosnje-Hercegovinë, ku u prit me një ceremoni zyrtare nga Kryesuesi i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Dragan Čović.

Pas ceremonive zyrtare, Presidenti Nishani zhvilloi një bisedë konfidenciale me të tre përfaqësuesit e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, për të vijuar më pas të kryesonte delegacionin shqiptar në bisedimet zyrtare mes delegacioneve të të dy vendeve.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me z. Čović, Presidenti Nishani kërkoi rishikimin e qëndrimit nga Bosnje-Hercegovina për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve të të dy vendeve përmes njohjes së dokumenteve reciproke, duke i siguruar bashkëbiseduesit se njohja e pavarësisë së Kosovës do të ishte një kontribut shumë i qenësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore.
Nga përfaqësuesit e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës u premtua që shumë shpejt do të gjendej një zgjidhje për njohjen e dokumenteve të Kosovës, duke premtuar mbajtjen e një takimi me përfaqësuesit e Republikës së Kosovës në Podgoricë të Malit të Zi.
Gjatë konferences për shtyp, Nishani evidentoi vullnetin dhe dëshirën e Shqipërisë për të nxitur bashkëpunimin me Bosnje-Hercegovinën, si në plan dypalësh ashtu edhe në atë rajonal dhe shumëpalësh.
Kreu i Shtetit i kushtoi vëmendje të veçantë bashkëpunimit ekonomik, duke përshëndetur kuadrin e përbashkët ligjor në fuqi, si dhe duke theksuar nevojën e nxitjes së institucioneve të të dy vendeve për të eksploruar të gjitha mundësitë e bashkëpunimit, si në aspektin dypalësh ashtu edhe të përfshirjes në projektet rajonale, veçanërisht energjetike dhe të infrastrukturës.
Ndërsa në kuadrin e bashkëpunimit rajonal, Presidenti Nishani theksoi se është shumë e rëndësishme përfshirja e të gjitha vendeve pa përjashtim, si dhe krijimi i lehtësirave të komunikimit mes qytetarëve të vendeve të rajonit. Në këtë kontekst, Presidenti shqiptar përshëndeti iniciativën e Bosnje-Hercegovinës për të organizuar këtë vit Samitin e Krerëve të Shteteve të vendeve anëtare të Procesit të Brdo-Brijunit, ku edhe Kosova është e pranishme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.