Home / Kryeartikull / Harta e sherrit

Harta e sherrit

Përfitimit që do të sjellë harta e re territoriale as që po përmenden më, përballë sherrit që ka hapur iniciativa e mazhorancës. Të gjithë janë të shqetësuar për këtë hartë dhe tendenca e mazhorancës për të marrë konsensusin më të madh të mundshëm ka krijuar anomali serioze, aq sa në disa zona harta e re territoriale po konceptohet si autonomi në bazë të etnisë.

Harta_61_NJQV1-487x350

Nga Altin Krekas
Ideja për të ndarë në sa më pak zona administrative, me synim rritjen e efektshmërisë së fondeve dhe menaxhimit, dështoi. Nga 4 rajone, më pas u kalua në 37 bashki, në 49 e në fund u miratua me 61 bashki. Nëse në këtë reformë do të kishte marrë pjesë opozita e vërtetë, PD dhe ajo që po sillet si opozitë e emëruar, do të sigurohej ruajtja e parimit me të cilin u nis hartimi i ndarjes së re territoriale. Por PD refuzoi, për shumë arsye jo shumë parimore, dhe mazhoranca nisi aleancat fluide në të gjitha drejtimet.

Për rrjedhojë, krijimi i bashkive të tilla si Dropulli me banorë minoritarë, bashkia Konispol me banorë shqiptarë çamë apo bashkia Pustec me sllavë maqedonas hapi shumë orekse etnike. Nga peticionet, deklarimet dhe kërkesat në shumë zona të vendit, fshatra, deri edhe lagje, kërkojnë ndarje dhe bashkim në emër të etnisë. Ato janë duke e konceptuar ndarjen e re territoriale si një mundësi për autonomi, shkëputje apo krijim të zonave të pastra minoritare apo zonave të reja minoritare. Kundërshtimi i fortë i PBDNJ-së dhe OMONIA-s për Himarën dhe krijimin e një njësie vendore bashkarisht me Vranishtin tregoi më së miri se çfarë ndodh kur devijohen kriteret dhe parimet dhe nisin pazaret. Athina zyrtare ka ndërhyrë direkt në këtë çështje dhe Tirana u përgjigj po zyrtarisht, por pas sqarimit mbetet tensioni.

Çështja e Himarës ridoli në skenë pasi më herët ishte lejuar krijimi i bashkisë së Dropullit, një njësi administrative që ekonomia, infrastruktura dhe numri i popullsisë nuk e justifikon aspak. Shumë njësi të tjera janë tërësisht të pajustifikueshme, siç është edhe bashkia Konispol, por ajo duhet për shkak se mazhorancës i duhet vota e PDIU-së dhe kjo e fundit nuk ja kurseu.

Aleanca fluide mes Ramës dhe Idrizit nuk nisi dhe nuk përfundon aspak me ndarjen e re territorial, por me shumë marrëveshje të heshtura, të cilat bëjnë që PDIU të deklarohet në opozitë, por të mbështesë mazhorancën në disa nisma ligjore, ndërsa kryeministri të ruajë disa nga pozitat që PDIU kishte edhe në kohën kur PD ishte në mazhorancë. Në politikë çdo aleancë është e ligjshme, por në rastet kur bëhet fjalë për reforma të tilla të thella, si ndarja e re territorial, atëherë duhet patur shumë kujdes. Ndarja e çuditshme e disa zonave në baza etnike ka bërë që banorët e fshatit Sopik në Sarandë, që ndodhen vetëm 1 kilometër larg Livadhjasë, të mos jenë pjesë e bashkisë së re që krijohet, por t’i bashkohen Konispolit 20 kilometra larg. Ata thonë se kjo bëhet thjesht për arsye etnike, sepse fshatrat e Livadhjasë janë me minoritet grek dhe ata, si shqiptarë, i kanë kaluar me Konispolin me popullsi etnike shqiptare.

Dhe, pas Dropullit dhe Livadhjasë greke e Konispolit çam, Pustecit sllavo-maqedonas, oreksi është hapur. Banorët e Shishtavecit, të njohur si goranë, një popullsi myslimane që përdor një gjuhë slave, po kërkojnë një njësi me vete. Por edhe gollobordasit e më tej vrakaçorasit…

Dhe arsyetimi qëndron, pasi, nëse në një zonë përdoret etnia si kriter bazë për ndarjen, përse të mos përdoret edhe në zona të tjera të vendit? Në fillimet e reformës u fol se një nga kriteret bazë do të ishte menaxhimi më i mirë i territorit dhe i financave, ulja e shpenzimeve dhe rritja e efektivitetit të përdorimit të parave të mbledhura si taksa. Me ndarjen e re u tha se do të kurseheshin mbi 50 milionë euro në vit, 200 milionë në katër vite. Pas krijimit të 61 njësive vendore, a ekzistojnë më këto shifra?

A nuk do të ishte më mirë zvogëlimi në minimum i njësive vendore, duke krijuar vetëm 4 rajone në gjithë vendin? A nuk do të ishte më mirë që njësi të tilla si Klosi, Rrogozhina, apo bashki të sajuara me fshatra të ishin pjesë e bashkive të mëdha? Sigurisht që efektiviteti do të ishte më i madh, njësi vendore si Pusteci, Dropulli apo Livadhjaja asnjëherë nuk do të mund të vetëfinancohen. Në shumë prej këtyre zonave ka shumë pak banorë dhe pjesa më e madhe pleq, që jetojnë këtu me pensione. Nga aspekti social dhe ekonomik, ato do të jenë të dështuara që në gjenezë. E vetmja shpresë që do të krijojnë është aspekti etnik dhe dëshira për ndarje, autonomi dhe shkëputje nga pjesa tjetër me etni të ndryshme.

Harta e re është ende në letër dhe ka shkaktuar shumë probleme, ndërsa e miratuar në Kuvend, me dyshimin e shtuar se është hartuar me qëllime, larg atyre të deklaruara hapur, do të shkaktojnë akoma më shumë probleme.

Leave a Reply

%d bloggers like this: