ParlamentarePolitika

Ndërpritet seanca plenare me kërkesë të PD-së

Seanca plenare e ditës së enjte është ndërprerë që në nisje të saj pas kërkesës së kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili kërkoi dhjetë minuta pushim. Në nisje të seancës nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, që drejton seancën e sotme bëri të ditur vendimin e Konferencës së Kryetarëve për rrëzimin e kërkesës së PD-së, për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të dy nismave të propozuara nga opozita për ndryshimin e ligjit të dekriminalizimit dhe të ligjit për funksionimin e komisioneve hetimore.
Në seancën e sotme pritet të votohen katër dekretet e Presidentit të Republikës për emërim dhe shkarkim ministrash. Krahas tyre, rendi i ditës parashikon dhe diskutimin e disa ndryshimeve në ligjin ‘për rritjen e masave të sigurisë’.
Ndërkohë jashtë axhendës së ditës debati sundues pritet të jetë çështja e dekriminalizimit, për të cilin opozita ka kërkuar miratimin në seancën e sotme të akteve nënligjore, që do t’i hapnin rrugën zbatimit të shpejtë të kësaj pakete.
Në prag të nisjes së seancës, deputetët, ndërsa hynin në ambjentet e parlamentit, iu nënshtruan kontrolleve të rrepta të punonjësve të Gardës, pas sinjalizimeve të strukturave të sigurisë se kishte një skenar të përfaqësuesve të opozitës për të qëlluar me vezë në sallën e Kuvendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button