Politika

“Rebelët” e PS-së shkaktojnë mungesë kourumi, shtyhet votimi i ligjit

Doshi, Frroku dhe Prenga s’e votojnë Policinë e Shtetit. Topalli: Nenet kaluan pa kuorum

Tom Doshi – Deputeti i PS-së në Qarkun e Shkodrës, gjatë gjithë kësaj jave, ka lëshuar një lum deklaratash dhe akuzash të forta në adresë të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Mark Frroku – Kryetari i PKD-së, Kristian Mark Frroku, njëherësh deputet i mazhorancës në Kuvend pak ditë më parë u deklarua kundër projektit të Reformës Administrativo-Territoriale.

Armando Prenga – Edhe pse e argumentoi mungesën e tij në Kuvend për arsye personale që s’kanë lidhje me politikën, sërish deputeti i PS-së në Qarkun e Lezhës do ta bojkotonte dje votimin te “Ligjet”

Parid Cara – Deputeti i PS-së, Cara, ka qenë i shoqëruar me kolegun e tij Armdano Prenga, i cili la mbledhjen pa marrë pjesë në procesin e votimit final të draftit “Për Policinë e Shtetit”

 NGA HERION MESI

tom doshiProjektligji “Për Policinë e Shtetit” nuk u votua në tërësi për shkak se kishte mungesë kuorumi. Shkak i kësaj shtyrjeje u bë mungesa e deputetëve “rebelë”, të cilët, përpos shtyrjes së ligjit të KLD-së, sollën dhe moskalimin e draftit të shumëdebatuar të “Policisë së Shtetit”. Fillimisht, ra në sy mungesa e dy deputetëve, Tom Doshi dhe Mark Frroku, por teksa diskutimi i ligjit po shkonte drejt fundit, u largua edhe “rebeli” tjetër, deputeti i PS-së, Armando Prenga, dhe, pas tij, dolën me radhë deputeti i PDIU-së, Tahir Muhedini, dhe socialisti Pirro Lutaj, duke e bërë në këtë mënyrë të pamundur miratimin në tërësi të ligjit. Rreth një orë pasi Komisioni mbylli mbledhjen e radhës, dy nga gjashtë deputetët që nuk ishin të pranishën në seancën e së enjtes, Armando Prenga dhe Parid Cara, u shfaqën në trotuarin në krah të godinës së Gjykatës Kushtetuese dhe pak metra nga Kryesia e Kuvendit, teksa bisedonin në këmbë së bashku me njeriun që kreu i mazhorancës i besoi mbikqyrjen e procesit zgjedhor në KQZ të zgjedhjeve të 23 qershorit të vitit të kaluar, eksperti ligjor i PS-së, Eridian Salianji. Ajo që ra në sy ishte se biseda mes tyre po zhvillohej me tone të ashpra, dhe ishte e pakuptueshme se cila ishte tema e bisedës mes tyre.

Bojkoti

Armand PrengaSeanca e fundit plenare shënoi krisjen më të madhe të mazhorancës që pas zgjedhjeve të 23 qershorit, ku pakënaqësitë e deputetëve të mazhorancës ndaj reformës administrativo-territoriale dhe mënyrës së qeverisjes së vendit gjatë këtyre 300 ditëve u shfaqën hapur. Mungesa e gjashtë deputetëve; Vangjel Dule i PBDNJ-së, Mark Frroku i PKD-së dhe Tom Doshi, Parid Cara, Pjerin Ndreu dhe Armando Prenga nga PS-ja, shkaktoi shtyrjen e votimit të gjashtë ligjeve me shumicë të cilësuar për në seancën e fundit të këtij sesioni, seancë në të cilën pritet të miratohet dhe reforma administrativo-territoriale, ku këta deputetë në prononcimet e tyre kanë lënë të kuptohet se mund të mos marrin pjesë as të enjten në Kuvend. Mesazhi u dha qartë nga socialisti Tom Doshi, i cili, edhe pse nuk njihet si “diplomat” në jetën e tij politike, lëshoi një mesazh prej eksperti komunikimi nëpërmjet deklaratave të tij në media. Doshi e “justifikoi” largimin nga salla e Kuvendit me festimet e ditëlindjes së Mark Frrokut, që në fakt e ka në shtator, duke shtuar se javës tjetër “mund ta ketë ditëlindjen Armando Prenga”.

Ish-kryeparlamentarja

Për ish-kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, votimi nen për nen i projektligjit për Policinë e Shtetit nga Komisioni i Ligjeve është bërë pa kuorumin e nevojshëm në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. “Edhe sot në Komisionin e ligjeve, Ilir Meta i urdhëruar deri në poshtërim nga Rama kërkoi që ligji për policinë të votohet me çdo kusht! Në momentin e votimit nen për nen në komision nuk kishte kuorumin e nevojshëm (16) sipas nenit 34 të rregullores! (Deputetët Prenga, Muhedini dhe Lutaj u larguan para votimit). Me brutalitet të padëgjuar ata shkelin e shqelmojnë normat e procedurat elementare e themeltare të parlamentarizmit e të rregullave të demokracisë parlamentare! Përgjegjësinë për këtë shpartallim të Kuvendit e ka vetë Ilir Meta!”, – shkruan Topalli në një postim në Facebook.

Paloka: Përçahet shumica e blerë, Edvini humbet forcën e kartonit!

Shtyrja e votimit të ligjeve me tre të pestat nga Kuvendi në seancën e së enjtes, është cilësuar dje nga Partia Demokratike si përçarje e shumicës së asaj që ajo e quan mazhorancë mercenare e Edi Ramës. “Zbërthehet mazhoranca mercenare e 85 votave. Edvini s’mundi dje (të enjten) të miratonte një sërë ligjesh, për shkak se 7 deputetë nga radha e shumicës refuzuan t’i bashkohen oborrit parlamentar për një votim përmendësh, i cili i kthen ministrat e Ramës në pashallarë të policisë, drejtësisë dhe ekonomisë. Dështojnë negociatat, ndërkohë që s’ka siguri as për seancën plenare të javës tjetër”, – tha kreu i grupit demokrat, Edi Paloka.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button