Home / Arte / Libri / Pse Umberto Eco është kryeautori i këtij shekulli

Pse Umberto Eco është kryeautori i këtij shekulli

“Ai tregoi me çdo vepër të tij se letërsia është dashuri dhe si dashuria nuk ka nevojë për artefakte, ajo mund dhe duhet të jetë para së gjithash e ndier dhe e vërtetë”.

Nga Klara Buda

Semiologu, filozofi dhe shkrimtari i famshëm Italian, Umberto Eco, që u shua më 19 shkurt në moshën 84-vjeçare, nuk ka të ngjashmin e vet në këtë shekull po as edhe më parë. Në një epokë ku bestsellerët e rëndomtë mbushin raftet deri në supermarkete e pika benzine përkrah çipseve e birrës, Umberto Eco diti mrekullisht të imponohet dhe të kthejë në bestseller letërsinë e mirë. Ai diti të thjeshtëzojë filozofinë e dijen e thelluar e ta bëjë atë lehtësisht të kuptueshme për ata që s’duan ta vrasin mendjen kur lexojnë. Ai ndihmoi konservimin e erudicionit në një botë që shkon çdo ditë shpejt e më shpejt. Letërsia e tij gjithë duke të kënaqur të pasuron, ajo rrezaton dije, librat e tij krijojnë botë e shpërndajnë dritë. Shumë personazhe të tij janë në vetvete misionarë të dijes. Më ka mrekulluar gjithmonë thellësia e mendimit të tij dhënë me fraza të thjeshta dhe njohja prej shkencëtari që kishte për gjërat që trajtonte dhe humori i rrallë. Ai ishte paralelisht një dijetar e letrar i hollë. Umberto Eco e lë në trishtim botën letrare, pasi ai vërtetoi se letërsia është para së gjithash inteligjencë po aq sa imagjinatë, ai vërtetoi se ajo mund të shkojë më larg, e të hyjë më thellë e më lehtë në mendjet e njerëzve, se të gjitha shkencat bashkë, madje më lehtë sesa filozofia, duke e bërë atë, letërsinë e mirë, më popullore se shumë paraardhës të tij. Sado paradoksale që kjo mund të duket, ai posedoi artin që të fusë në erudicion gjithmonë e më shumë njerëz, duke ndihmuar me veprën e tij në një masivizim të dijes. Ai ishte, për mendimin tim, shkrimtari më i mrekullueshëm i kohës moderne për nga ajo alkimi e hollë mes stilit letrar dhe informacionit dhe magjia e veprës së tij më ka bërë, personalisht, të ndryshojë raportin tim me letërsinë në përgjithësi.

Ai tregoi me çdo vepër të tij se letërsia është dashuri dhe si dashuria nuk ka nevojë për artefakte, nuk ka nevojë për artefakte, ajo mund dhe duhet të jetë para së gjithash e ndier dhe e vërtetë. Një histori personale do të më bënte të nisja e të lexoja romanin “Penduli i Fukosë” në periudhën më intensive të jetës sime, kur sapo isha vendosur në perëndim pas izolimit totalitar shqiptar ku fati më kishte sjellë në jetë. Atëherë punoja në kohë të plotë si gazetare dhe përgatisja mbrojtjen e një punimi mbi Mitrush Kutelin në një kolegj francez. Atëkohë galeristët francezë patën fantazinë të bashkonin në Champs Elise veprat më të mëdha të skulpturës botërore. Gjatë gjithë gjatësisë, ky bulevard u mbush me veprat madhore të skulpturës të sjella nga ana e anës që u ekspozuan në qiell të hapur. Ishte një e shtunë, dita kur bëra një shëtitje përgjatë Champs Elise-së të transformuar në bulevardin më të bukur të botës dhe pa kuptuar përshkova “ecejakje” më shumë se 3 a 4 km. Pas kësaj pata një problem shëndetësor që më kërkoi të qëndroja pa lëvizur në shtrat. Me ngarkesën që kisha në atë kohë nuk më mbante vendi dhe duke mos respektuar regjimin absolut, pa lëvizje, rrezikoja shumë. Miku im, shkrimtari Claude Arnaud më nis me postë të shpejtë dhe brenda natës marr “Le pendule de Foucault” në frëngjisht. Ishte me këtë libër të mrekullueshëm që e zbulova artin e përkorë të Umberto Eco-s. “Penduli i Fukosë” është një libër voluminoz me më shumë se shtatëqind faqe, por ai, sikurse “Le nom de la Rose” ka një magji të tillë, që të gozhdon në vend në kuptimin littéral të fjalës dhe për mua zëvendësoi “terapinë” që konsistonte të më lidhnin në shtrat për të kaluar këtë periudhë kritike në jetën time… Që nga ajo kohë, pothuaj 25 vjet më parë, Umberto Eco është autori, leximi i veprave të të cilit më ka dhënë më tepër kënaqësi. Librat e tij bashkojnë në mënyrë të përkryer kënaqësinë estetike të letërsisë së hollë dhe humorit, të informimit e divulgimit të filozofisë, e shkencave, e jo vetëm sociale si etnologjia, por edhe të shkencave të sakta, në një si të thuash mjeshtëri të transformimit të dijes në art. Mbushur me dije, veprat e tij janë mjete të mrekullueshme për të zbuluar kulturën perëndimore në mënyrën më ludike dhe të këndshme. Ai i ka ndihmuar fuqimisht në divulgimin e trashëgimisë kulturore europiane dhe në kulturimin e masave, duke edukuar dhe ndriçuar ata që e lexonin. Eco, është një autor i cili e ka ndier si detyrë emancipimin e bashkëkohësve të tij. Ai ka qenë një misionar i përkryer i dijes dhe qytetërimit perëndimor, e ky i fundit i detyrohet aq shumë atij. Ky autor i rrallë më ka falur personalisht momente të mrekullueshme, gjatë këtyre viteve të jetës adulte, atë që dikur adoleshente, në një vend të mbyllur si Shqipëria ma kishte dhënë letërsia e Ismail Kadaresë. Umbero Eco kishte në vetvete artin sublim, atë përzierje të rrallë e të rafinuar të kryeveprës në çdo vepër, ndaj nuk e teproj tek e quaj kryeautor të këtij shekulli. Humbja e tij, shënon një ditë shumë të trishtuar për letërsinë dhe dijen njerëzore në përgjithësi, ky shekull do të shënohet se ka pasur fatin të ketë në arritjet e tij këtë shkrimtar të ngritur në lartësinë e misionarit të dijes dhe të kulturës. Kultura mesdhetare në veçanti e ajo botërore në përgjithësi humbin një nga kolosët e tyre. R.I.P Umberto Eco.

Leave a Reply

%d bloggers like this: