Home / Kosova / Shkohet në raundin e tretë. Presidentit i mjaftojnë 61 vota

Shkohet në raundin e tretë. Presidentit i mjaftojnë 61 vota

Edhe në raundin e dytë, asnjëri prej dy kandidatëve për President të Kosovës, Hashim Thaçi apo Rafet Rama, nuk kanë mundur të sigurojnë 2/3-tat e votave, pasi rezultati ishte 64 pro Thaçit, 15 të pavlefshme dhe 2 pro Ramës.

Ndryshe nga raundi i parë, i dyti pa një deputet më pak të pranishëm, pas largimit të deputetit të Vetëvendosjes, Ilir Deda, i cili ishte i nominuar nga opozita edhe në komisionin e posaçëm për numërimin e votave. Në sallë ishin 81 deputetë të pranishëm, ndërsa që kreu i shtetit të zgjidhej në këtë raund duheshin 2/3-tat e votave, 80 gjithsej, në të kundërt shkohej në raundin e tretë, ku mjaftojnë 61 vota, apo 50% + 1.

Më herët përfundoi raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, ku nga 82 deputetë të pranishëm, 81 votuan. Në këtë raund 50 votuan pro Hashim Thaçit, 4 pro Rafet Ramës, ndërsa 27 deputetë i bënë votat të pavlefshme.

Për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës do të duhen të tri raundet, pas të cilave, Thaçi me të gjitha gjasat do të zgjidhet në krye të shtetit për një mandat 5-vjeçar. Megjithatë, në raundin e tretë do të rikthehet me siguri deputeti Ilir Deda, pas dyshimeve të opozitës për manipulime në raundin e dytë.

Ndërkohë në shesh, ku policia ka barrikaduar tendat, Yll Hoxha nga Vetëvendosje u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndahen, pasi sipas tij Thaçi nuk i ka votat.

Leave a Reply

%d bloggers like this: