Home / Arte / Artistë nga Ballkani në kalanë e Ali Pashës

Artistë nga Ballkani në kalanë e Ali Pashës

Festivali i artit bashkëkohor Art Kontakt rikthehet nga data 8-10 gusht në Kalanë e Porto Palermos

Larmia e disiplinave artistike të lëvruara në hapësirën e festivalit, e kombinuar me peshën historike të kalasë së Ali Pashë Tepelenës, i jep trajtë më të pasur produktit, i cili kapërcen kufijtë e të qenët “thjesht” produkt artistik, duke e bërë atë një produkt kulturor

kcdczichron2

Festivali i Artit Bashkëkohor “Art Kontakt” do të rikthehet në datat 8 dhe 9 gusht në Kalanë e Porto Palermos. Ky është edicioni i tretë i këtij eventi të artit bashkëkohor, i cili tashmë ka marrë formën e një bienaleje ndërkombëtare. Janë rreth 25 artistë pjesëmarrës, të cilët do të paraqesin punët e tyre në teknika të ndryshme si video-art, piktura, fotografi, performanca, instalacione etj. “‘Art Kontakt Festival 2014’, do të jetë një pikë takimi i artistëve që do të vijnë nga Shqipëria dhe vende kryesisht të Ballkanit dhe Mesdheut. Qëllimi i këtij festivali është të sjellim në qendër të vëmendjes tendencat e artit bashkëkohor në Shqipëri dhe në nivel ndërkombëtar, zhvillimin e artit multidisiplinor në Shqipëri, shkëmbimin e praktikave artistike midis artistëve dhe organizatave kulturore të rajonit, për të forcuar rrënjët e bashkekzistencës në rajonin tonë nëpërmjet artit dhe kulturës”, thotë drejtori i këtij festivali, Andi Tepelena. Sipas tij, festivali synon dhe shfrytëzimin e trashëgimisë kulturore duke përdor monumentin e kulturës si faktor tërheqës gjatë sezonit veror, si dhe në funksion të zhvillimit ekonomik dhe social. Tema e këtij edicioni është “Uncharted” ose “E paeksploruar” që për ideatorët është një fakti i panjohur, një rebus, të cilin përpiqen ta shpjegojnë logjikisht e racionalisht, duke respektuar saktësinë e proceseve shkencore. “Ashtu sikurse në veprën filozofiko-vizuale “Arboretum” të David Byrne, ne orvatemi të ndërtojmë një hartë mendore të një territori imagjinar, ku fotografitë, videot, vizatimet, instalimet dhe performancat poetiko-konceptuale, paraqesin peizazhin e mendjes së artistit”, shpjegohet në konceptin kuratorial të këtij eventi. Mënyra sesi këto vepra takohen, ballafaqohen dhe ndërthuren, përshkruan një diagram të shumë tipareve të këtij festivali. Marrëdhënia, ndërlidhja dhe sinergjia spontane që lind në këtë vend, të çon në një rezultat përfundimtar artistik të këtij procesi të gjatë krijues, duke shprehur përvojën dhe vizionin e artistëve për botën dhe shoqërinë. Artistët dhe veprat e zgjedhura në këtë edicion të Art Kontakt Festival 2014, përfaqësojnë një model të praktikave artistike dhe shpirtërore, që duke iu referuar një zone të veçantë gjeografike, kthehen në pika referimi të kësaj harte imagjinare. Larmia e disiplinave artistike të lëvruara në hapësirën e festivalit, e kombinuar me peshën historike të kalasë së Ali Pashë Tepelenës, i jep trajtë më të pasur produktit, i cili kapërcen kufijtë e të qenët “thjesht” produkt artistik, duke e bërë atë një produkt kulturor. “Këtu kultura e tejkalon ngjarjen, duke u bërë një arkiv procesesh kuptim-mbartëse e kuptim-rikrijuese të përvojave personale jetësore e shpirtërore. Kultura, e cila riprodhohet vazhdimisht dhe zhvillohet me audiencën që e jeton, bëhet pjesë e natyrshme e festivalit. Në këtë kontekst, produkti kulturor pasurohet me emocione, perceptime dhe interpretime që shndërrojnë vlerën dhe kuptimin, duke zhvendosur aksin kryesor nga kujtesa e thjeshtë e të kaluarës, te vizioni strategjik i së ardhmes”, thotë Tepelena. Për të, procesi krijues që e karakterizon festivalin nuk është vetëm thjesht një rrugëtim artistik, muzikor apo spektakolar, por një përvojë individuale dhe kolektive në një vend sa imagjinar aq edhe real: ku rrëfimi është përvojë, ku të dëgjuarit është identitet dhe ku shikimi është memorie. Ky festival quhet Uncharted, pikërisht, sepse kjo hapësirë gjeografike, metaforikisht, nuk shfaqet vetëm si vend historik, por si një vend ku histori të tjera lindin. Në larminë e aktiviteteve të këtij Festivali të Artit Bashkëkohor, do të ketë mjaft risi dhe prurje origjinale projektesh artistike, workshop-e dhe performanca. Një seksion i veçantë informativ do t’i dedikohet projektit të Adrifort. I përfshirë do të jetë edhe një projekt artistik, audiovizual i producentit muzikor, Leonard Toma, i cili do të projektojë imazhe të fortifikimeve Adrifort, të shoqëruara me një përzierje të tingujve të muzikës elektronike me atë të traditës së vendeve të Adriatikut dhe Jonit.

Përveç artit pamor, ky festival do të pasurohet me tingujt live të muzikës bashkëkohore eksperimentale, të DJ-ve të ardhur nga vendi dhe rajoni, muzikë, e cila do zgjasë deri në orët e para të mëngjesit, si dhe shumë surpriza të tjera për publikun. Artistët pjesëmarrës janë Arta Ngucaj, Arben Ngucaj, Dritan Hyska, Julia Heslop/Martin Heslop, Ardian Isufi, Beskida Kraja,
Stefany Savino, Alban Methasani, Klod Dedja, Ema Andrea, Yllka Gjollesha, Ilir Lluka etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.