Libri

Ana Karenina, femrat përballë gjykimit

Nga Alda Bardhyli

“Unë jam Ana Karenina.” Kaq vite nga fundi fatal i një prej personazheve më të njohura jo vetëm të letërsisë ruse, shumë femra e thonë me vete këtë fjali kur mbyllin fletët e fundit të romanit dyvolumësh të Leon Tolstoit me të njëjtin emër. I përkthyer herët në shqip nga Vedat Kokona, Ana pati interpretime të ndryshme në Shqipërinë e sociorealizmit, por që s’mundën t’i fshihnin ndjesitë e vërteta që ajo linte te çdo lexues që do të përlotej në fund të librit. Në fund të çdo interpretimi, ajo ishte thjesht Ana, një grua që shkoi me dëshirë drejt shkatërrimit, e bindur se jeta e saj nuk mund të kishte kohë më të bukura që momentin e parë që e pa Vronskin në stacionin e trenit. Bashkëshortja e një ministri të rëndësishëm në kabinetin rus të kohës, gjithë bota e Anës do të luhatej nga një padurim që i vishej në trup sa herë përballej me Vronskin. Në një shoqëri ku kodet e moralit ishin më të forta se ajo çfarë ofron Europa dhe Perëndimi i sotëm, Tolstoi do të sillte me këtë libër shkëlqimin e rremë përtej veshjeve glamur të ballove ruse. Përballja e Anës nuk ishte thjesht një përballje mes seksualitetit dhe dëshirave, por përballja me një sistem që vazhdon të jetë po aq i ashpër dhe sot në raport me femrën. Rënia e saj në dashuri me Vronskin ishte një “grackë”, ku Tolstoi e futi personazhin e tij femër, gjë që nuk mund t’ia bënte nëse ajo do të kishte qenë një burrë. Ai e la Anën të lirë të imagjinonte dhe të dashuronte, i bindur në forcën që kanë femrat për vetësakrifikim. Ai e tronditi botën e saj shumë thjesht, vetëm duke shfaqur para saj dashurinë. Me Anën, Tolstoi do t’i tregonte botës forcën e jashtëzakonshme që njerëzimi ende nuk kishte arritur ta shihte te një grua. Ajo do të merrte mbi supe një barrë humbjesh, më e madhja e së cilave ishte largimi nga i biri, por do të sfidonte denjësisht duke nxjerrë në pah një shoqëri të pushtuar nga paragjykimi, censura, duke i bërë lexuesit të kuptojnë se sa e rëndësishme është ndryshimi jo vetëm i rolit të femrës në shoqëri, por dhe i botëkuptimeve. Ana ruse do të linte vetëm pak kohë, pasi një tjetër personazh në letërsinë britanike kishte guxuar të mbante mbi gjoks damkën e turpit, për të treguar persekutimin e gruas në vend. Ajo ishte Ester Prini, të cilës Nathaniel Haëthorne, do t’i jepte misionin më të vështirë që do t’i jepej një personazhi të tregonte gjininë e saj. Shumë kohë para se lëvizjet feministe të shpërthenin në Perëndim, ato kanë ndodhur më parë në letërsi. Janë dhjetëra libra të botuara para viteve 1900, ku personazhet femra kërkojnë të dalin nga kufijtë të cilave u janë vendosur pa i pyetur, për të vendosur ekuilibra e kufij të tjerë. Personazhe që të tregojnë se sa i trishtë është rrugëtimi i femrës në rrugëtimin e njerëzimit. Ana Karenina është një prej tyre, që vazhdon të japë sërish mesazhe sot, kaq vite pasi femrat kanë marrë të drejtën e votës dhe ku paragjykimi apo persekutimi duket se është drejt zhdukjes. Por kur lexon Anën, të cilën Tolstoi e krijoi duke pasur parasysh motrën e Pushkinit, Maria Hartungu, t’i ndien se ka një tjetër mesazh që vjen nga ajo periudhë dhe kjo nuk ka të bëjë me tradhtinë. Kjo, pasi Ana është sfiduesja më e madhe jo vetëm e së shkuarës, por edhe e së tashmes, ku femrat dhe kur janë thjesht personazhe nuk mund t’i shmangen gjykimit. Në vitin 1877, Tolstoi nuk mund t’i jepte tjetër zgjidhje jetës së Anës, duke e çuar me vetëdije drejt një fundi fatal … por duke zgjuar me historinë e saj miliona Ana kudo në botë … Letërsia e shekullit të 18 na tregon se stacionet e trenit nuk janë thjesht vendet e romancave, por dhe vendet e lëvizjeve të mëdha, që ashtu si lëvizjet na çojnë gjithnjë diku …

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button