ParlamentarePolitika

Dekriminalizimi, drejt kolapsit? Kuvendi: Aktet nënligjore, antikushtetuese

Sipas afatit që ka përcaktuar vet në ligj, Parlamenti duhet të nxjerrë brenda datës 6 mars aktet nënligjore, që mundësojnë zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.

Por kushtetutshmëria e akteve është vënë në pikëpyetje nga vet Kuvendi. Top Channel ka siguruar dokumentin e zyrës juridike të Parlamentit, që paralajmëron Këshillin e Rregullores se, projektvendimi që do të marrë në shqyrtim këtë mbrëmje është antikushtetues. Në formë dhe në përmbajtje.

Sipas zyrës juridike, duke qenë se projektvendimi ka karakteristikat e një akti normativ me fuqi në të gjithë vendin, ai del jashtë kompetencave të Kuvendit. Zyra juridike bën të ditur se, funksionin e vet kushtetues legjislativ, Kuvendi nuk mund ta ushtrojë përmes projektvendimeve, por nëpërmjet ligjeve.

Përsa i përket përmbajtjes, zyra juridike vëren si shkelje kushtetuese faktin se, ky projektvendim, që votohet me shumicë të thjeshtë, i ngarkon Prokurorisë detyra, që sipas Kushtetutës ajo mund t’i kryejë vetëm me ligj.

Opinioni i zyrës juridike për Këshillin e Mandateve vjen në një kohë, kur Partia Demokratike dhe Partia Socialiste janë duke kryer negociata ende të pasuksesshme, për të dalë me një variant konsensual të formularit të vetëdeklarimit, që është edhe akti kryesor nënligjor, i cili propozohet për t’u miratuar me projektvendim.

Veç zyrës juridike të Kuvendit thuhet se, një opinion negativ për kushtetutshmërinë e këtyre akteve ka dhënë edhe Ministria e Drejtësisë. Duhet pritur seanca e Këshillit Legjislativ pasdite, për të parë nëse ajo që duket, do të realizohet: që ligji i dekriminalizimit të futet edhe njëherë në krizën e zbatimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button