Home / Parlamentare / Parlament, vullnet i përbashkët për të nxjerrë aktet nënligjore brenda afatit

Parlament, vullnet i përbashkët për të nxjerrë aktet nënligjore brenda afatit

Të dy krahët politikë kanë shprehur vullnetin që të arrihet që ditën e sotme konsensusi për aktet nënligjore për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, por nuk kanë rënë dakord nëse Parlamenti duhet apo jo të vijojë.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka la të kuptohej se konsensusi mund të arrihet brenda ditës. “Kërkesa jonë ishte që parlamenti të presë, mos të vazhdojë me punimet derisa të arrihet marrëveshja. Marrëdhënia jonë me këtë sallë sot lidhet pikërisht me çështjen më kryesore që kemi atë të ligjit të dekriminalizimit. Unë e kërkova me mirëkuptim dhe nga pala tjetër që të presim përderisa na u tha që ka vetëm disa pika. Ky mirëkyuptim mund të arihet shpejt. Atëherë le të presim dhe disa orë”, tha Paloka.

Kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi shprehu gjithashtu gatishmërinë e maxhorancës për të arritur konsensus për aktet nënligjore, por ndryshe nga Paloka, kërkoi që seanca të vijojë.

“Në dijeninë time në pjesën dërrmuese të gjërave ka ecur, është dakordësuar. Kanë ngelur 3-4 gjëra që ne jemi të gatshëm që komisioni të vazhdojë me pikësynimin që të arrihet që sot. Nëse jo, vazhdohet dhe nesër, çështja është që ne si Parlament të mos bëhemi pengesë për atë afat që kemi vendosur vetë. Nuk kemi asnjë pikësynim për pengesë të kësaj çështje kështu që do të isha dakord me atë që parashtroi zoti Paloka që të vazhdojnë negociatat për pikat e ngelura. Nëse nuk arrihet sot, t’i arrijmë brenda afatit ligjor që i kemi caktuar vetes”, tha Ruçi.

Kuvendi u ndërpre për një orë, pas kërkesës së z. Paloka për një mbledhje të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Berisha: Sjellja e kriminelëve në Kuvend, provokim i ulët për opozitën

Duke folur në Kuvend ish kryeministri Sali Berisha e ka quajtur një provokim të ulët për opozitën seancën e kaluar, ku u votua për ministrat e rinj të qeverisë.

“Provokimi i ulët që i bëtë opozitës duke i sjellë vrasësit në Parlament për të votuar për ministrat tuaj është një akt që detyron çdo deputet të opozitës të mendojë për një zgjidhje finale dhe përfundimtare. Cila është ajo, është tjetër punë. Por akte të tilla, pas dy vitesh debat kryesor krimi dhe vetëm krimi, krimi dhe dekriminalizimi janë aktet më të shëmtuara në të cilën një mbështetës krimi kryesor që është Edi Rama me dy tre gjykatës marrin përsipër të zhysin vendin qoftë dhe në konflikt të hapur civil me mungesën totale të përgjegjësisë. Ju adaptoni doktrinën e krimit të dobishëm, kurse ne e konsiderojmë të shëmtuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.