Teater

Saimir Pirgu: Jeta ime si një ëndërr

Pas suksesit në Tokio, Saimir Pirgu ngjitet më 5 mars në një koncert në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit

Historia e tij i ngjason një ëndrre, veç është një ëndërr që bëhet realitet. Tenori i njohur shqiptar, Saimir Pirgu, e nis kështu rrëfimin mbi rrugëtimin e tij artistik, për të treguar se ajo çfarë jeton sot dikur ka qenë një ëndërr, të cilën e mendonte çdo ditë. Për “Il sole 24 ore”, artisti shqiptar ka folur për dashurinë e madhe për operën. Më 5 mars, ai do të ngjitet në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit për të prezantuar albumin e tij të ri “Il mio Canto”. Shqipëria është destinacioni i dytë i këtij turneu, i cili ka nisur nga Tokio për të vijuar më pas në skena të tjera ndërkombëtare si Berlin, Paris apo Nju Jork. Koncerti në Tokio ishte një sukses për Pirgun. Radhët e gjata për autografe që zgjatën më shumë se një orë pas koncertit e tregojnë këtë. Për Pirgun, ky album përmbledh një pjesë të mirë të interpretimeve të tij nga ato që mund të quhen më të lehtat, siç janë lirikat, deri te më të vështirat, Rigoleto, Traviata etj. “Më pas është Puçini, La Boheme dhe repertori francez me Romeo dhe Zhuljetën”, ka thënë ai. Ky album është si të shohësh jetën e tij. Mijëra duartrokitje që kanë shoqëruar karrierën e një djaloshi që dikur donte vetëm një gjë, të interpretonte. “Mbërrita në Itali kur isha 19 vjeç dhe u regjistrova menjëherë në Konservatorin e Bolzano-s. Në muajt që pasuan njoha të madhin Pavaroti, i cili do të ishte më pas dhe mentori im. Fitova konkurset e para dhe më 2004-n isha fatlum kur njoha maestron Claudio Abbado që më nxori më pas në planin internacional. Kështu filloi jeta ime si një ëndërr dhe po vazhdon kështu”, tregon Pirgu. Takimi me Luçiano Pavarotin do të ndryshonte rrjedhën e jetës së tenorit shqiptar. Ai e kujton mirë kohën kur bashkë me profesor Brunetin dhe disa këngëtarë të tjerë shkuan tek ai për t’i dëgjuar. Që nga ajo ditë, Pirgu do të ishte i preferuari i Pavarotit, i cili do të besonte në zërin dhe talentin e djaloshit shqiptar, duke e mbështetur. Pirgu e ka quajtur fat, faktin që ka bashkëpunuar herët me personazhe të rëndësishme të operës. Duket se ai udhëtoi drejt Italisë, për të takuar vërtet ëndrrën e tij. Ëndrra e tij më e madhe tani është të lërë gjurmë. I lindur në vitin 1981 në qytetin e Elbasanit në moshë shumë të re nis mësimet e muzikës, duke u diplomuar si violinist në qytetin e tij të lindjes kur kishte vetëm 16 vjeç. Në moshën 21-vjeçare diplomohet për kanto në konservatorin “Claudio Monteverdi” të Bolzanos, nën drejtimin e Vito Maria Brunetti-t, i cili vazhdon të jetë edhe sot mentori i tij. Ende 22-vjeçar, ai zbulohet dhe zgjidhet nga Claudio Abbado për të interpretuar rolin e Ferrando-s në “Cosi fan tutte” në Ferrara dhe, në verën e vitit 2004, në Festivalin e Salzburgut me Philippe Jordan, duke u bërë kështu debutuesi më i ri i një roli kryesor në historinë e këtij festivali. Menjëherë pas këtyre dy evenimenteve të rëndësishme artistike nis një bashkëpunim i rëndësishëm me Operën Shtetërore të Vjenës, ku përveç të tjerash, shquhet interpretimi i tij në “Elisir d’Amore”, i cili nderohet me një nga çmimet më të lakmuara në botën e lirikës “Eberhard wAECHTER Gesang Medaille”, që u jepet të rinjve me karrierë premtuese. Më pas nis debutimi në role të rëndësishme që e çojnë artistin e ri të bashkëpunojë rregullisht me teatrot më të mëdhenj të operës në mbarë botën, nën drejtimin e dirigjentëve më të rëndësishëm të saj. Me rastin e kthimit të Saimir Pirgut në Metropolitan Opera të Nju Jorkut me rolin e Alfredos të operës “La Traviata”, e cila u vu në skenë në përvjetorin Verdian, në mars të 2013-s, gazeta e përditshme “New York Times” i kushtoi atij një artikull të gjatë prej dy faqesh, me titullin “Tenor from the dark side of the moon” (Tenori nga ana e errët e hënës), ku përshkruhen të gjitha pikat kulmore të karrierës së tij. Albumi “Il mio Canto” është hedhur në qarkullim nga Opus arte dhe u prezantua në fund të janarit me rastin e interpretimit në operën “Traviata”, në Royal Opera të Londrës. Në të përfshihen ariet më të bukura të shkruara për një zë tenori, shoqëruar me një prej orkestrave më të mira në botë, Orkestra del Maggio Musicale Fiorentino nën drejtimin e maestros Speranca Scappuci. Ky album për kritikën nxjerr në pah timbrin e zërit, muzikalitetin e spikatur dhe aftësinë për t’i dhënë çdo arie karakteristikat individuale të veçanta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button