Te ndryshme

Kriza e naftës kthen te gratë milionerët tradhtarë

Qejflinjtë rusë tashmë të falimentuar janë të detyruar të heqin dorë nga partneret e tyre jashtëmartesore për t’iu kthyer bashkëshorteve, sepse rënia e çmimit të naftës, ua ka bërë të pamundur që ata t’u sigurojnë një jetesë me pesë yje. Gratë e njohura si “soderzhanki” po i thonë lamtumirë luksit

Të dashurat joshëse dhe të shumëpaguara ruse po braktisen një e nga një nga partnerët e tyre të martuar, të cilët janë goditur nga kriza ekonomike dhe nuk mund t’i përballojnë me kërkesat e tyre. Femrat e njohura si “soderzhanki” në Rusi, të cilat shoqërojnë dhe sponsorizohen nga pasanikët për të bërë një jetë luksoze, po i thonë lamtumirë këtij ambienti, sepse paratë e mirëbërësve të tyre po mbarojnë.

Këto të dashura sekrete po detyrohen të punojnë dhe të humbasin stilin e jetesës në hotele me pesë yje prej një fenomeni global: krizës ekonomike të naftës.

Soderzhanka Marina i tregoi “Daily Mail” se si mbështetej te paratë e të dashurit manjat i operacioneve plastike, për të rritur dy fëmijët e saj nga martesa e mëparshme. “E konsideroj veten një pjesë të vlefshme të jetës së një mashkulli, pasi i ofroj atij marrëdhënie të cilësisë së lartë, përfshirë seksin dhe kurrë nuk i shkaktoj telashe”, tha 35-vjeçarja.

“Jam e bukur dhe ai është krenar të mburret me mua te shokët e tij gjatë pushimeve të skive. Flas anglisht dhe italisht dhe në fjalorin tim nuk ka fjalë si “humor i keq” apo “martohemi bashkë”. Tani sponsori im nuk mund të më përballojë më dhe mua më duhen para”, tregon ajo.

Marina, tregon se ajo fitonte 220,000 rubla (2000 euro) në muaj, që është modeste për standardet e Moskës, ku mikeshat e saj mund të fitojnë tri herë më shumë para dhe dhurata. Megjithatë, kjo është gjashtë herë më shumë sesa rroga që fitonte në një shkollë infermierie.

Marina është një nga mijëra vajza shoqëruese të mundshme që postojnë haptazi imazhe provokuese në uebsajte që synojnë të joshin sponsorët në të ardhmen. Disa janë shumë të drejtpërdrejta për atë që kërkojnë nga një marrëdhënie e tillë, që ka lulëzuar pavarësisht rilindjes së Kishës Ortodokse që ka kërkesa strikte për shenjtërinë e martesës.

Fenomeni “soderzhanki” është i ngjashëm me trendin e dashnorëve të pasur që është hasur edhe në Perëndim, por ndoshta ka më shumë detyrime te burri, i cili ofron apartament dhe udhëtime.

Inna Roizman, një psikologe dhe seksologe që jeton në Moskë, tha se ato që shpresojnë të bëhen “soderzhanki” përballen me konkurrencë të fortë për shkak të rënies së çmimit të naftës dhe sanksioneve të vendosura ndaj politikës së Vladimir Putin-it. Kjo ka shkaktuar rënien e rublës dhe ka ndodhur një efekt domino për biznesmenët e vendit.

Fondet e pakësuara i kanë detyruar biznesmenët qejflinj të zgjedhin mes grave dhe dashnoreve sekrete dhe mendohet se po zgjedhin gratë. “Gjashtë femra erdhën të më takonin dhe më thanë se burrat i kishin lënë dhe nuk po u paguanin më stilin e jetesës”, tha Roizman.

Ajo tha se herën e fundit që pa kaq shumë klientë të linin të dashurat e tyre, ishte gjatë krizës ekonomike 2009 kur “soderzhanki-t” u lanë në masë.

“Kam klientë që më telefonojnë nga Franca, Gjermania, Britania dhe Suedia”, tha ajo. “Shumë prej tyre ndiejnë impaktin e ngadalësimit financiar global – por duket se vetëm Rusia ka këtë fenomen social të “soderzhanki-t”. Mendoj se ky është një tipar rus i një krize të re, që po i detyron gratë të kërkojnë burime të reja jetese”.

Të gjitha femrat e përfshira në “biznes” kanë tipare nga më të ndryshmet dhe më joshëset. Ato ofrojnë shërbime të ndryshme dhe janë gjithnjë të gatshme të shoqërojnë biznesmenët në udhëtime të ndryshme nëpër botë. Kërkesat dhe pritshmëritë janë në varësi të çdo gruaje.

Një gazetë ruse theksoi ndryshimin e kërkesave të këtyre shoqërueseve elitë në vitin 2014 përpara krizës ekonomike ruse, dhe tani.

Atëherë ato udhëtonin në Maldive, kishin një makinë dhe apartament që ua blinin “miqtë e veçantë” dhe prisnin një pagesë mujore prej rreth 2500 eurosh. Tani ato mund udhëtojnë në Turqi, të kërkojnë pagesë të taksive dhe duan të kenë në dispozicion një garsoniere me qira. Pagesa e tyre ka rënë në rreth 1000 euro në muaj.

Ndoshta më interesantja është se në vitin 2014, burrat kërkonin më së shumti femra të bukura, ndërsa tani që po përballen me telashe financiare, po kërkojnë “komunikim dhe kujdes”.

Megjithatë sipas gazetës “Moskovsky Komsomolets”, ngadalësimi ekonomik i ka bërë burrat të rifitojnë vlerat familjare. “Burrat që dikur mburreshin duke i ofruar mjete të shumta financiare të dashurave të tyre, tashmë po përpiqen të ruajnë mjetet financiare për familjen e tyre në një nivel të mirë”, shkruan një artikull.

Sipas psikologëve, rënia e çmimeve të naftës do t’i kthejë gjithnjë e më shumë burrat te familjet.

Sa për Marinën, ajo jeton tani në një apartament të vogël dhe përpjekja  për një sponsor nuk po i shkon mirë. Tashmë ajo po mendon të mbështetet mbi forcat e saj dhe të gjejë një punë tjetër.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button