Rajoni

Pavarësisht samitit Turqi-BE, në Greqi zbarkojnë mbi 2.000 emigrantë

Në ditën kur udhëheqësit e Bashkimit Europian dhe zyrtarë të lartë të Ankarasë u takuan në Bruksel, për samitin e emergjencës mbi frenimin e fluksit njerëzor nga Turqia drejt Europës, më shumë se 2.000 emigrantë të tjerë zbarkuan në ishujt grekë.

Përmbysja, të dielën, e një anijeje me refugjatë në detin Egje, ku humbën jetën 25 vetë, nuk i ka ndaluar këta njerëz të ndërmarrin të njëjtin rrugëtim të rrezikshëm drejt shtetit helen. Rojet bregdetare greke nxorën në breg me qindra vetë, mes të cilëve edhe shumë fëmijë.

Shifra e saktë e të mbërriturve orët e para të ditës së sotme, sipas të dhënave të qeverisë greke është 2.293. Plot 987 prej tyre zbritën në ishullin e Lesbosit. NATO deklaroi më herët se, një forcë e re detare ka marrë “dritën jeshile” për të vepruar në ujërat turke dhe greke, çfarë do të fuqizojë edhe më shumë paktin me Turqinë, për të kthyer mbrapsht emigrantët që mbërrijnë në ishujt e Greqisë, por nuk kualifikohen për azil.

E vështirë vazhdon të paraqitet, ndërkohë, gjendja në kufirin greko-maqedonas. Vlerësohet se janë rreth 13 mijë njerëz nga Lindja e Mesme, të cilët presin të hyjnë në Maqedoni për të vazhduar më pas rrugën drejt Europës Perëndimore, por autoritetet atje nuk i lejojnë hyrjen veçse një numri tepër të vogël emigrantësh.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button