Home / Te ndryshme / Dita Ndërkombëtare e Grave: 8 gjërat që duhet t’i dini

Dita Ndërkombëtare e Grave: 8 gjërat që duhet t’i dini

Ndërsa miliarda gra kudo në botë e kanë jetën më të mirë sesa nënat apo gjyshet e tyre, varfëria, problemet me arsimin, shëndetin dhe diskriminimin te femrat vazhdojnë ende edhe sot. Dita Ndërkombëtare e Grave është lufta për barazi dhe vlerësim të punës së lodhshme të tyre, kudo në botë

Femrat kanë hequr shumë përgjatë historisë njerëzore dhe ky progres që kanë arritur nderohet me të drejtë çdo 8 Mars. Dita Ndërkombëtare e Grave është lufta për barazi dhe vlerësim të punës së lodhshme të tyre, kudo nëpër botë. Ka kaluar një shekull që nga 8 Marsi i parë dhe përparimi i grave bëhet gjithnjë dhe më i mirëpritur në qytetërimin global.

Ja disa fakte për Ditën Ndërkombëtare të Grave, të cilat duhet t’i keni parasysh.

Nuk është festuar gjithnjë më 8 Mars

Festa që ne njohim dhe festojmë në çdo 8 Mars nuk ka qenë kështu gjithnjë. Në pesë vitet e para, Dita Ndërkombëtare e Grave festohej më 28 shkurt. Më pas në vitet 1913-1914, gratë ruse festuan Ditën Ndërkombëtare të Grave në të dielën e fundit të shkurtit. Që atëherë festa e përvitshme kaloi çdo 8 Mars.

Kuptimi ka evoluar

Filloi si një protestë masive e femrave që donin kushte më të mira pune, pagesë më të mirë dhe të drejtën për të votuar. Por që atëherë, festa ka evoluar në një ditë për ndërgjegjësimin e progresit të grave në luftën gjithnjë në vijim, për barazi gjinore dhe një ditë për zgjidhjen e çështjeve kudo nëpër glob, të cilat i prekin ato në mënyrë direkte.

Është një festë zyrtare në 27 vende

Dita Ndërkombëtare e Grave njihet si një festë zyrtare në 27 vende të botës, e këtu përfshihen shtete si: Kina, Vietnami, Uganda, Afganistani, Kuba dhe Rusia.

Filloi si ditë, por tani festohet gjithë muajin

SHBA-ja e kalon tani të gjithë muajin mars duke festuar historinë e grave që kanë ndikuar në botë, si dhe për të rritur ndërgjegjësimin për barazinë e grave në shumë aspekte të jetës, veçanërisht në pagesën e barabartë në punë.

Statistika

Një në tre gra përjeton dhunë në shkallë globale dhe çdo dhjetë minuta një adoleshente vdes si rezultat i plagëve të marra. Nga 35 milionë njerëz që janë të infektuar nga virusi HIV, mbi 2 milionë janë nga 10 deri në 19 vjeç dhe 56 për qind prej tyre janë vajza. Në shkallë globale, një në tre vajza të moshës 20 deri në 24 vjeç martohen me detyrim.

2016-a e më tej

Bota ka qenë dëshmitare e një ndryshimi të thellë në sjelljen ndaj grave në shoqërinë globale. Lufta për barazi dhe emancipimin e femrave vazhdon prej vitesh nëpër botë. Megjithatë, gratë ende nuk paguhen po aq sa burrat për të njëjtën punë. Ato nuk përfaqësohen po aq të shumta në numër në fushat e biznesit dhe politikës. Në shkallë globale arsimi, shëndeti dhe dhuna ndaj grave në shkallë globale është më keq sesa situata e meshkujve.

Nuk festohet vetëm nga gratë

Në vitin 2011, Presidenti amerikan Obama vendosi që muaji mars të bëhet muaji i grave në SHBA. Megjithëse Dita Botërore e Gruas u krijua nga gratë për gratë, janë të shumtë burrat që e nderojnë atë dhe bëhen pjesë aktive e veprimtarive të shumta, pasi edhe burrat e kuptojnë rëndësinë e barazisë gjinore.

Ju mund të bëheni pjesë

Ka shumë mënyra se si mund të bëheni pjesë e festimeve të ditës së grave këtë vit. Uebsajti zyrtar “International Women’s Day” do të ketë shumëllojshmëri aktivitetesh dhe nismash, në të cilat mund të jepni opinionin tuaj. Një nga rubrikat do të jenë edhe fotot e festimit të ditës së grave kudo në botë.

Dita Ndërkombëtare e Grave, dikur dhe sot

Beteja e grave për kujdestari të ndarë me fëmijët dhe përfaqësim të barabartë në politikë shënohet çdo vit në Ditën Ndërkombëtare të Grave. Në këtë datë përkujtohen arritjet ekonomike, sociale, kulturore dhe politike të grave për më shumë se 100 vjet.

Sot

Lajtmotivi i këtij viti do të jetë “Premtimi për Barazi”, pasi progresi ndaj barazisë është ngadalësuar në shumë vende. Në vitin 2014, Forumi Ekonomik Botëror parashikoi se do të duhej deri në vitin 2095 që të arrihej barazia gjinore në shkallë globale. Një vit më vonë, forumi vlerësoi një ngadalësim në progres, duke e çuar vitin deri në 2133. Në këtë vit, përkujtuesit e ditës së grave kanë kërkuar të përdoret hashtagu #PledgeForParity (#premtimpërbarazi) për të shtuar hapat konkretë në luftën për barazi. Ngjyra violë e logos së Ditës Ndërkombëtare të Grave përfaqëson planetin Afërditë, që është gjithashtu një simbol planetar për gratë.

Dikur

Dita Ndërkombëtare e Grave e ka zanafillën nga aktivitetet e lëvizjeve të punës në fillim të shekullit 20-të, në Amerikën e Veriut dhe në Europë. Rituali i parë u mbajt më 28 shkurt 1909 në Nju Jork në kujtim të grevës së vitit 1908 të Sindikatës së Punonjësve të Veshjeve.

Në gusht 1910, u organizua një Konferencë Ndërkombëtare e Grave në Kopenhagën, Danimarkë, ku u propozua krijimi i Ditës Ndërkombëtare të Grave për të promovuar të drejta të barabarta dhe progres të kushteve të jetesës së grave.

Më 19 mars 1911, mbi 1 milion njerëz në Danimarkë, Gjermani, Austri dhe Zvicër përkujtuan për herë të parë këtë ditë. E njëjta gjë ndodhi edhe më 8 Mars 1914 në Britani, ku pati përplasje gjatë demonstratave për të drejtat e grave. Në vitin 1975, Kombet e Bashkuara festuan për herë të parë Ditën Ndërkombëtare të Grave.

Përse na duhet edhe sot?

Bota ka dëshmuar përmirësime të ndjeshme të të drejtave të grave dhe vajzave, barazisë dhe emancipimit të tyre, por pavarësisht këtyre, pabarazitë në varfëri, shëndetësi, arsim dhe dhunë, si dhe diskriminimi i vazhduar i grave në disa kultura të botës, bën që beteja të vazhdojë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: