Home / Arte / Teater / Ermonela Jaho rikthehet në TKOB

Ermonela Jaho rikthehet në TKOB

Sopranoja e njohur do drejtojë për tri ditë një masterklas

Sopranoja e njohur, Ermonela Jaho, do të jetë e pranishme në Teatrin e Operës dhe Baletit më datat 10.11 dhe 12 mars për të marrë pjesë në masterklas-in që do të zhvillohet. Një vit më parë ajo ideoi masterklasin, një ide e mbështetur nga TKOB, i cili është në një farë mënyre “kurs specializimi për këngëtarët lirikë”.  Ashtu sikurse edhe në fazën e parë, qëllimi i këtij projekti tepër të vlefshëm është të frymëzojë artistët e rinj e të ndihmojë në përgatitjen e përditshme të tyre për të arritur majat e shprehjes artistike. Nën moton “Mendja nuk duhet të jetë një enë që mbushet, por një zjarr që ushqehet gjithmonë”, ky kurs specializimi është një mundësi e jashtëzakonshme për rritje artistike për artistë të rinj dhe studentë të artit lirik, të cilët shumë shpejt mund të jenë potencial i gjeneratës së re pranë Teatrit. Pjesëmarrësit në kursin e këtij viti janë artistët e rinj Zana Abazi, Ulpjana Aliaj, Denis Skura, Marina Kurti, Antonio Zefi, Ivana Hoxha dhe Enkelejda Kamani. Ata do të punojnë me pianisten e institucionit Ardita Bufaj. Ermonela Jaho është e para artiste që iu përgjigj thirrjes së drejtorit të këtij institucioni një vit më parë Ilir Kerni, drejtuar artistëve shqiptarë të kudondodhur për të kontribuar për operën. Vjet ajo ishte e pranishme në kalendarin artistik të institucionit. Jaho është një ndër artistet më të suksesshëm jashtë hapësirës shqiptare. Tashmë ajo është e nominuar nga “International Opera Awards në Readers’Award”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: