Home / Arte / Teater / Kur burrat ndihen “seks i dobët”

Kur burrat ndihen “seks i dobët”

“Mbroni shpellarin”, komedia me regji të Inis Gjonit, vjen sot në skenën e Teatrit Kombëtar, pas turneve në qytete të vendit

Në shekullin XXI, nuk mund të quash vetëm femrat “Seks i dobët”. Ndërsa pabarazia gjinore dhe dominimi i burrave jo vetëm në shtëpi, por dhe në jetën publike i bënte gratë të ndiheshin të tilla, sot kohërat kanë ndryshuar. Komediani i njohur amerikan Bob Becker, prej kohësh kishte menduar të shtjellonte botën e një burri, përballë rritjes gjithnjë e më shumë të prezencës së gruas në shoqëri. Në vitin 1991, ai krijoi një nga shfaqjet më të ndjekura “Mbroni shpellarin”, duke nxjerrë në pah për herë të parë botën e brendshme të një burri, e cila deri në ato momente askush nuk ishte ndalur ta dëgjonte apo shihte. Becker shpalosi një mori ndjenjash që ishin po aq të trishta, por jo të thëna nga një grua, por një burrë. Ky rrëfim i sinqertë i vlerësuar në shumë teatro të botës ku vepra është ngjitur në skenë, nuk është vetëm një rrëfim që u shërben burrave por edhe grave. Regjisorja Inis Gjoni do ta merrte tekstin e Becker, për ta sjellë për publikun shqiptar, nën një regji që nxjerr në pah pikërisht filozofinë e pjesës. Ajo ia besoi aktorit Romir Zalla personazhin e kësaj vepre, i cili përgjatë gjithë vënieve skenike që ka pasur kjo komedi në shqip ka arritur të shndërrohet në një “Bob Becker”. Kjo pasi vetë komediani, pas premierës që pjesa ka pasur në Broduej në vitin 1991 e ka interpretuar vetë dhe për 700 net. Regjisorja Gjoni e pa këtë komedi, jo thjesht si një pjesë ku mund të humbësh nën forcën e humorit, por si një vepër terapi për çiftet, pasi synon të sheshojë keqkuptimet mes meshkujve dhe femrave. Përse meshkujt, ndryshe nga femrat, nuk kanë ndjenja? Është ky një nga keqkuptimet mes dy gjinive që komedia “Mbroni shpellarin” kërkon të qartësojë. Meshkujt në fakt kanë ndjenja, porse ndryshe nga femrat, kanë mënyrën e tyre për t’i vënë në pah… Për rreth një orë e dhjetë minuta, aktori Romir Zalla përpiqet ta sjellë këtë, nga bisedat e përditshme me miqtë e deri tek bisedat e shtratit. Gjithçka vjen si përpjekje për të zgjidhur luftën e vazhdueshme mes gjinive. Gjatë këtij monologu të mprehtë del se në fakt meshkujt kanë ndjenja, por i shprehin në mënyra të ndryshme. “Vepra në plan të parë trajton ‘vuajtjet e meshkujve të kohëve moderne’, të cilët çdo ditë e më shumë po dominohen nga femrat dhe ankesat e tyre, të cilat mendojnë se meshkujt në ndryshim prej tyre nuk kanë ndjenja, duke i bërë këta të fundit të ndjehen ‘seks i dobët’. Ndryshimi mes burrit të gruas është i vogël, por bën diferencë të madhe, burrat që priren të jenë gjahtarë në të gjitha aspektet e jetës, ndërsa femra moderne ashtu si edhe parahistorikja, vazhdon të kërkojë siguri”, thotë aktori Zalla. Komedia është përkthyer deri tani në 20 gjuhë dhe është interpretuar në 50 shtete. “Shfaqja flet për betejën e ‘keqkuptimeve’ dhe luftën e gjinive mes burrit dhe gruas”, thotë Zalla. Por duke folur për këto raporte, komedia merr një format familjar e i ngjason një bisede mbi gjërat që çdo çift ndan mes tyre, pakënaqësitë dhe ato çfarë nuk thuhen. Personazhi kryesor është një burrë i cili rri gjithë ditën përpara një superekrani të madh TV-je, i cili flet për marrëdhënien burrë-grua me shumë humor, batuta dhe situata të këndshme. “Mbroni shpellarin” u ngjit për herë të parë në skenën e Teatrit Eksperimental, për pesë net, për të vijuar më pas me 10 shfaqje të tjera në qytetet e Elbasanit, Durrësit, Fierit, Strugës, për t’u rikthyer sërish në Tiranë në Teatrin e Metropolit. Sot në mbrëmje, kjo komedi do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar, për të vijuar sërish një turne në Pogradec, Korçë, Vlorë, Lushnjë, dhe Kosovë. Ka shumë arsye që vepra është pritur mirë nga publiku, një prej të cilave është padyshim tema që trajton. Në kohët e një krize të vazhdueshme të institucionit të familjes, regjia e Inis Gjonit, na tregon se sa i rëndësishëm është komunikimi dhe ndarja e problemeve me njëri-tjetrin në një çift.

Leave a Reply

%d bloggers like this: