ParlamentarePolitika

Blushi: Të mos vëmë mure për emigrantët, Europa na i hapi dyert 20 vjet më parë

Deputeti socialist, Ben Blushi gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit kërkoi nga qeveria të mbante një qëndrim të qartë sa i përket çështjes së emigrantëve sirianë që largohen nga vendi i tyre për shkak të luftës.

Sipas Blushit, qeveria nuk mund të thotë do mbyllim dyert apo do i zbojmë nëse ata, për fatkeqësinë e tyre, duhet të kalojnë në territorin tonë. Një popull që vite më parë ka vuajtur të njëjtën gjë, emigrimin masiv, nuk mund të mos tregohet solidar me një popull që sot po përjeton të njëjtin eksod fatkeq. Blushi risolli në vëmendje eksodin e shqiptarëve mbi 20 vjet më parë, atëherë kur sipas tij, Europa i hapi dyert për ta duke u dhënë mundësi të jetojnë e të krijojnë mirëqenien e tyre në këto vende.

“Ai që ka vuajtur vet nuk mund të shohë të tjerët të vuajnë sic ka vuajtur ai. Nuk duhet tua mbyllim derën refugjatëve. Nëse ata do kenë nevojë për ne, nuk duhet t’i zbojmë, nuk mund t’u vëmë mure. Varfëria nuk është arsye për të mos qenë solidarë. Shqipëria s’i ka kushtet ekonomike për të strehuar 100 mijë sirianë, por në këto raste nuk është xhepi ai që duhet të vendosë, është shpirti, zemra dhe mendja. Ne kemi strehuar para ca vitesh 1 mln kosovarë që ikën nga lufta. Sirianët vërtetë nuk janë shqiptarë, por kjo është e njëjta gjë; janë qenie njerëzore, pavarësisht çfarë përkatësie etnike apo fetare kanë.

Qëndrimet e qeverisë lidhur më këtë çështje kohët e fundit kanë qenë ekuivoke dhe jo të mirëpritura te ndërkombëtarët. Europa na hapi dyert 20 vjet më parë. Ku mijëra shqiptarë u nisën me anije drejt Italisë, çfarë do kishte ndodhur nëse ky shtet do i kishte kthyer mbrapsht këto anije? Duhet të kemi qëndrim më të qartë se ç’do bëjmë me ta. Disa ditë më parë dëgjova një përfaqësues të qeverisë të thoshte se ne nuk kemi leverdi të strehojmë sirianët. Kjo nuk është çështje leverdie. Ne kemi strehuar 3 mijë muxhahedinë, por nëse nuk strehojmë ca mijë sirianë që ikin nga lufta, kjo tregon se ne strehojmë refugjatë vetëm për shkëmbime politike”, tha Blushi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button