Te ndryshme

Muzeu 145-vjeçar që mbetet i pari edhe në kohën e smartfonëve

Muzeu metropolitan i arteve të Nju Jorkut (Met), që u hap për herë të parë në vitin 1870 dhe më 18 mars do të zgjerohet me një pikë të re, e konsideron lidhjen e njeriut me smartfon-in si një mundësi shumë të mirë për të vazhduar funksionin e tij

Duke bërë një xhiro përgjatë Muzeut metropolitan të arteve të Nju Jorkut (Met), është shumë e thjeshtë që të vesh re një tipar. Edhe pse muzeu më i madh i artit në botë mirëpret qindra njerëz çdo ditë, shumica e vizitorëve kanë diçka të përbashkët: ata mbajnë në duar smartfonë.

Një veçori e tillë të bën të mendosh që për një institucion, qëllimi i të cilit është të kapë vëmendjen “off-line”, pasi vetëm kështu do të mbijetojë, është një problem i madh.

Por “Met”, që u hap për herë të parë në vitin 1870 dhe më 18 mars do të zgjerohet me një pikë të re, e konsideron lidhjen e njeriut me smartfon-in si një mundësi shumë të mirë për të vazhduar funksionin e tij.

Këtë javë, “Met” prezantoi projektin e tij të fundit dixhital, një uebsajt totalisht të ridizajnuar, i thjeshtëzuar dhe i përshtatshëm për telefonat.

Për drejtuesit e muzeut, ky uebsajt i ri i përmirësuar jo vetëm që ndihmon që të përqafohet epoka e re ‘smartfon’, por ai shtron terrenin për projekte të ardhshme që do të ndihmojnë për të bashkuar hapësirat fizike dhe dixhitale.

“Njerëzit më pyesin mua: Cili është konkurrenti yt më i madh?”, tha Sree Sreenivasan, punonjësi i zyrës dixhitale të Mets-it. “A është Moma? Guggenheim? Konkurrenti ynë më i madh është Netflix-i. Candy Crush. Është jeta në vitin 2016”.

Të qëndrosh konkurrues, kërkon një qasje të gjithanshme. Përveç aplikacioneve të telefonit dhe një uebsajti që u shërben miliona vizitorëve, ekipi i mediave sociale prej dy personash, në mënyrë strategjike duhet që të kanalizojë energjinë e vet të limituar në platforma si “Facebook”, “Twitter”, “Pinterest”, “Instagram”, dhe “SoundCloud”.

“Ne mendojmë se çdo person në botë ka diçka që mund t’i interesojë këtu”, u shpreh Sreenivasan-i, duke iu referuar koleksionit të stërmadh të muzeut, i cili ka objekte të një hapësire kohore që zgjatet në 5 mijë vite dhe shtrohet në më shumë se 600 mijë metra. katrorë. “Pyetja është: Si do t’i shfaqësh këto gjëra në hapësirë? Si do t’i bësh njerëzit që t’i shikojnë ato?”.

Me një investim minimal me mjete si “reklama me shënjestër”, vitin e kaluar, ndjekësit e “Met” në fanpage-n e “Facebook”-ut, shkuan në 101 milionë. Edhe në Youtube ka një numër të madh të shikuesve, numri i të cilëve shkoi në 7 milionë.

Çdo ditë është rritet numri i fotografive që njerëzit ndajnë me njëri-tjetrin nëpërmjet Instagram-it. Deri tani, në profilin e muzeut në këtë rrjet social janë rreth 1.1 milionë ndjekës.

“Ne jemi profesionistë të të bërit selfie, por jo me anë të shkopit”, tha Sreenivasan-i, i cili shtoi se ky institucion e ka ndaluar që të bëhen foto nga vizitorët me shkop. Çdo foto e ndarë nga ata, do të thotë reklamë falas për muzeun.

Vitin e kaluar në muze, rreth 91% e vizitorëve mbanin telefona nëpër duar. Kjo bëri që ekipi i marketingut të mendonte një mënyrë të re për t’u qëndruar afër, por edhe për ta rritur numrin e vizitorëve. Ata vendosën që të shtojnë aplikacionet për smartfonët, si edhe të rregullojnë edhe uebin e “Met-it”, i cili vetëm vitin e kaluar pati 33 milionë vizitorë. Kushti kryesor ishte që ky sajt t’u përshtatej aparateve të zgjuara telefonike dhe të punonte shpejt pa nxjerrë asnjë problem.

Për ta bërë gati, u deshën rreth 9 muaj. Tani ueb-i është më i thjeshtë, kategoritë janë më të qarta dhe më shumë të dobishme për vizitorët. Qëllimi është që të shpërndahen të gjitha veprat e muzeut në mënyrë dixhitale, gjerë e gjatë.

Brenda pak javësh do të jetë e përdorshme një hartë e ridizenjuar e pikave të muzeve “Met”, që, që tani e tutje do të ekzistojë në platformë dixhitale, përpara se të printohet në botën reale.

Qëllimi i këtij projekti është që të centralizojë të dhënat sa u përket labirinteve masive të galerive, duke përfshirë edhe koordinatat e tyre, me synimin për të ndërtuar GPS për t’i përdorur brenda godinave dhe për të gjetur eksperienca më të mira në të ardhmen.

Ndërsa kjo prezencë on-line nuk duket si ndonjë risi e madhe për vitin 2016, kur bëhet fjalë për një institucion 150-vjeçar, të tilla ndryshime nuk është se përqafohen natyrshëm.

“Drejtuesit ishin të shqetësuar. Nëse ti e shfaq artin online, atëherë pse do të vijnë njerëzit në muze?”, tha Sreenivasan-i. Sajti i ri u lejon njerëzve që të shkarkojnë imazhe me një rezolucion të lartë dhe t’i përdorin ato falas jo komercialisht. “A nuk duhej ato të ishin pamje me cilësi të dobët? Unë mendoj se sa më shumë të tregosh, aq më shumë njerëzit do të duan të vijnë këtu”.

Megjithatë, nuk është gjithmonë e lehtë që të gjurmosh impaktin e produkteve dixhitale në botën reale. P.sh., është e vështirë të gjesh sa njerëz krijuan një hashtag(#) me një foto të statujës së Herkulesit, që është sjellë në “Upper East Side”. Por prapë, trafiku i vizitorëve në muze është shtuar ndjeshëm. Vetëm vitin e shkuar, atë e vizituan 6.3 milionë persona.

Pra, ndërsa njerëzit po fiksohen gjithnjë e më shumë me telefonat e tyre, kjo nuk do të thotë se ata injorojnë atë çfarë ndodh përreth. Iniciativa dixhitale e “Mets-it”, ka për qëllim që të sigurojë faktin që ato ekrane celularësh të mund ta rrisin kënaqësinë e artit, më shumë sesa të krijojnë shpërqendrim me të. “Ne jetojmë në një botë eksperiencë”, përfundoi Sreenivasan-i. “Njerëzit duan eksperienca”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button