Film

Një film dhe 20 vite burg

50 vite të kinemasë shqiptare gjatë diktaturës, do të prezantohen në një program special në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar që do të organizohet në Qendrën Pompidou në Paris nga 18–27 mars

Pas xhirimit të disa etydeve të shkurtra, Viktor Stratobërdha i kaloi në burg 20 vitet e tjera të jetës së tij

Kinematografia shqiptare gjatë regjimit komunist do të ketë një hapësirë të veçantë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar që do të organizohet në Qendrën Pompidou në Paris nga 18–27 mars 2016. Edicioni i 38 i këtij eventi të rëndësishëm kinematografik do t’i kushtojë një program të veçantë kinemasë shqiptare, një retrospektivë të sjellë nëpërmjet dokumentarëve të fondit filmik të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Programi mbi kinemanë shqiptare, i titulluar “një histori përmes imazheve: Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në fokus”, është kuruar nga Clarence Tsui, një nga programuesit e Festivalit Cinema Du Reel, kritik filmi dhe studiues i kinemasë.
Retrospektiva e pasur me 16 tituj filmash dokumentarë shqiptarë dhe një film artistik, është konceptuar e grupuar në pesë programe, të cilat paraqesin etapat kryesore të historisë së Shqipërisë treguar me anë të mediumit kinematografik. “Shqipëria e periudhës së shtetformimit”, do të përcjellë përmes kamerës së drejtuar nga Mandi Koçi me dokumentarin e parë prodhim krejtësisht shqiptar të vitit 1947. Dokumentarë të realizuar nga regjisori Viktor Gjika në vitin 1964 mbi rindërtimin e vendit pas luftës, do të sjellin imazhe mbi filozofinë që po vendosej në Shqipërinë e pas viteve 1950. Në ekranin e kinemasë franceze do të shfaqet dhe dokumentari i vitit 1974 mbi Tiranën e djeshme dhe të kohës realizuar nga Shkëlzen Shala. Një tjetër dokumentar do të jetë ai i regjisorit Kujtim Gjonaj, me thirrjen që i bën shoqërisë në vitin 1993 për të mos ngritur më mite, pasi kanë shembur idhujt e vjetër. “Zërat” e censuruar të kinematografisë shqiptare do të vijnë për publikun ndërkombëtar nëpërmjet kamerës së Viktor Stratobërdhës, me filmat e tij të shkurtër të viteve 1955-’56, të veçanta në llojin e vet, një pasqyrë e jetës reale të shoqërisë shqiptare të atyre viteve e që shprehin një kinema të çiltër e origjinale. Pas xhirimit të këtyre etydeve të shkurtra, Stratobërdha i kaloi në burg 20 vitet e tjera të jetës së tij. Kamera e drejtuar nga Mithat Fagu do të flasë për dhuruesit e jetës, dhuruesit e gjakut. Sërish një regjisor që e përdor bukur syrin e tretë dhe realizon dokumentarë përtej atyre të zakonshmëve. Fagu u dënua më vonë për realizimin e tij “Në gjurmë të revolucionit tekniko-shkencor”, film i cili nuk mori dot formën e tij përfundimtare, por në AQSHF ruhen elementet kryesore të kësaj vepre. E nuk mund të mungonte as kamera e regjisorit Dhimitër Anagnosti në këtë retrospektivë të filmit shqiptar në Paris. Anagnosti vjen me premierën botërore të restaurimit të dokumentarit “Përjetësi”, një restaurim i realizuar nga AQSHF-ja vitin e kaluar. Ky dokumentar, një trajtim poetik dhe emocional i temës së të rënëve të Luftës Antifashiste, nuk është shfaqur për publikun e gjerë në Shqipëri, as në kohën e prodhimit të tij në vitin 1974, pasi është konsideruar të ketë një koncept regjisorial modern për kohën. Gjithashtu, pjesë e programit do të jetë edhe filmi tjetër “modern për kohën” i Anagnostit, “Motive nga dita e diel”, 1974, ku regjisori luan shumë me planet detaj dhe muzikën xhaz. Vendet e bukura turistike të Shqipërisë do të përcillen për publikun ndërkombëtar të Cinema Du Reel nëpërmjet dokumentarit të Mark Topallajt. Studentët e përzgjedhur nga Topallaj, vajzat më të bukura e djemtë më të pashëm të Tiranës, na shoqërojnë në një udhëtim të mrekullueshëm nga Veriu në Jug të vendit e na njohin me historinë, traditat e peizazhet marramendëse. Pikërisht fati i të rinjve protagonistë të filmit, diktoi edhe fatin e filmit … disa prej tyre u internuan nga regjimi dhe kështu filmi u detyrua të priste në raftet e Arkivit për ta parë sërish dritën e projeksionit vetëm në vitin 2010. Por ndërsa publikut francez do t’i ofrohet një panoramë e kinematografisë shqiptare nën censurë, ata do të kenë mundësi të shohin dhe një vizion tjetër kinematografik, përmes filmave të prodhuar në Shqipëri, nga kineastë të huaj si dokumentari i realizuar më 1935-n nga Walter Frentz, që njihet si fotograf i propagandës naziste apo bashkëprodhimeve me rusët (Shqipëria 1945, Roman Karmen) dhe kinezët (Krah për Krah, Endri Keko, Ho Y Shen, 1964). “Pasoja – Historia e risjellë“, është programi i katërt i cili do të ritregojë historinë e shqiptarëve, këtë herë përmes dy dokumentarëve të kohëve të fundit, nga dy regjisorë të brezit të ri të kineastëve; “Superballkan”, Fatmir Koçi, 1998 dhe “Pritja”, Roland Sejko 2015. Këta dy filma janë të ndërtuar me materiale arkivore nga fondi filmik i AQSHF-së dhe tregojnë se si mund të përdoren materialet e vjetra për të rithënë historinë nga një këndvështrim tjetër. Nuk do të mungojë dhe kinematografia për fëmijë. “Loja e fëmijëve – Realiteti i Xhanfise Kekos”, është programi i fundit i retrospektivës, dedikuar regjisores shqiptare. Studiuesve dhe kritikëve europianë të filmit po u bën përshtypje gjithnjë e më shumë puna dhe arti i një gruaje regjisore. Këtë herë sillet Xhanfise Keko me filmin artistik “Kur xhirohej një film” dhe dokumentarin e shkurtër “Para shfaqjes”, ku gjithnjë në fokus vendos botën e pafajshme të fëmijëve. Në kuadër të retrospektivës së kinemasë shqiptare, do të mbahet edhe një tryezë e rrumbullakët, ku kineastë dhe arkivistë do të diskutojnë se si imazhet e lëvizshme i dhanë formë dhe ende sot pasqyrojnë narrativën e historisë dhe shoqërisë shqiptare, dhe se si këto imazhe duhet dhe mund të ruhen, restaurohen e të ripërdoren për të kuptuar të tashmen.

Regjisori

Historia e një kineasti nën diktaturë

Historia e kinematografisë shqiptare gjatë periudhës së sociorealizmit mund të shihet dhe përmes jetës së një personazhi si Viktor Stratobërdha. I riu nga Korça, që studioi në Moskë për regji, nuk mund ta mendonte se lidhja e tij me kinemanë do të ishte fatale gjatë qëndrimit në Shqipëri. Në vitin 1945 ai u emërua në Kinostudio, ku realizoi dy filma dokumentarë, “Pushime të gëzuara” dhe “Urime shokë studentë”. Stratobërdha e bëri tentativën e parë për të xhiruar një film me metrazh të shkurtër, “Qeshim se nuk qajmë dot”, por që filmi u censurua dhe nga ai kanë mbetur vetëm katër syzhe të shkurtër nën titullin “Pse kështu?”. Në vitin 1956 u dënua pas konferencës së Tiranës dhe u dërgua në Berat. Për disa vite punoi si regjisor i estradës e më pas në punë të rënda në prodhim, si në bonifikim etj. Në vitin 1979 u arrestua dhe më pas u dënua me tetë vjet heqje lirie. U lirua në vitin 1988. Pas vitit 1991 emigroi fillimisht në Greqi e më pas në Kanada, ku edhe u shua në moshën 75-vjeçare, më 31 maj 2000. Historia e tij është një film më vete, e përballjes së ëndrrës me regjimin, dhe se si dalja nga kornizat mund të ishte fatale për çdo artist në atë kohë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button