Sociale

AP dënon dhunën e ushtruar ndaj nxënësve në Ostren

Avokati i Popullit, Igli Totozani ka reaguar këtë të premte në lidhje me dhunën e ushtruar nga mësuesi Agim Muça ndaj nxënësve të shkollës 9-vjeçare në fshatin Ostren, të Dibrës.

Totozani e konsideron këtë veprim të mësuesit Agim Muça, si një akt  kriminal dhe inkurajon organet e drejtësisë, që të zhvillojnë një hetim të plotë, të gjithanshëm dhe të shpejtë për dërgimin e tij përpara gjykatës.

“Mbështesim ndërhyrjen e strukturave arsimore dhe policisë vendore për reagimin e shpejtë dhe marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj këtij individi, që nuk mundet kurrsesi të përfaqësojë figurën e mësuesit, roli primar i të cilit mbetet edukimi, jo dhuna”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.

Igli Totozani kërkon ndërhyrjen e strukturave arsimore, qendrore dhe vendore që të ndërhyjnë në mënyrë urgjente dhe të marrin të gjitha masat për të garantuar siguri dhe mësimdhënie në kushte normale dhe sipas standardeve, për fëmijët në të gjitha shkollat e vendit, në mënyrë të veçantë për ato në zona të thella.

“Ngjarje të tilla të rënda, ku mësuesit dhunojnë nxënësit duhet të parandalohen dhe të mos përsëriten në të ardhmen”.

Avokati i Popullit i drejtohet edhe komunitetit të prindërve, fëmijëve dhe çdo individi që kur konstatojnë raste të dhunimit të nxënësve nga mësuesit apo edukuesit e tyre, t’i denoncojnë në strukturat përkatëse arsimore dhe të drejtësisë.

“Dhuna fizike dhe psikologjike është një eksperiencë e papranueshme për fëmijët, me pasoja të rënda për mirëqënien e tyre. Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna dhe abuzimet është një detyrim ligjor për gjithsecilin dhe duhet të bëhet pjesë përbërëse e programit edukues në familje, shkollë dhe komunitet”, mbyllet reagimi i Avokatit të Popullit në lidhje me rastin e rëndë të ndodhur në ndaj nxënësve të shkollës 9-vjeçare në fshatin Ostren, të Dibrës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button