Home / Rajoni / Maqedonia / Ivanovi “shpërthen” ndaj BE-së: Ballkani, viktimë e politikës së dështuar për refugjatët

Ivanovi “shpërthen” ndaj BE-së: Ballkani, viktimë e politikës së dështuar për refugjatët

Presidenti maqedonas i përshkroi vendet e Ballkanit si viktima të “politikës së dështuar të Gjermanisë dhe Brukselit për refugjatët”.

“Po të ishim mbështetur tek Bashkimi Europian, Maqedonia do ishte mbytur nga xhihadistët”, tha Gjorgje Ivanov për gazetën gjermane “Bild”, ku fshikulloi ashpër 28 anëtarët e bllokut, e sidomos ata më të pasurit.

Berlini veproi me shumë humanizëm kur vendosi të pranonte një numër kaq të madh refugjatësh, por ama dështoi në përpjekjet për ta menaxhuar siç duhet sigurinë e vendit. Shkupi është ofruar të shkëmbejë informacione mbi militantët islamikë që i bien kryq e tërthor rrugës së emigrantëve nëpër rajon, sqaroi ai në intervistën për të përditshmen gjermane, por nuk mori përgjigje as nga Berlini e as nga Brukseli.

“Çështjet e sigurisë që lidhen me krizën e refugjatëve janë lënë krejtësisht në harresë. Po të kisha pritur Brukselin e të mos reagoja për mbrojtjen e kufirit, sot xhihadistët do të ishin ulur këtu këmbëkryq”, tha Ivanov.

Maqedonia i ka lejuar muajt e fundit kalimin qindra-mijëra emigrantëve që rrugëtojnë nga Greqia drejt Gjermanisë dhe vendeve skandinave. Por vendimi i saj së fundi për të mbyllur kufijtë ka bllokuar me mijëra të tjerë në kampet e improvizuara të refugjatëve në kufirin greko-maqedonas. Masat e rrepta kufizuese ishin pasojë e presioneve nga Austria dhe shtetet e tjera ballkanike që patën një efekt domino të menjëhershëm.

Intervistën me “Bild”-in, Ivanov e përdori për të sulmuar dhe Greqinë, portën hyrëse të shumicës së të ardhurve në Europë. Policia Kufitare maqedonase, sipas tij, ka regjistruar 9.000 emigrantë me pasaporta dhe dokumente udhëtimi të falsifikuara. Këta të ashtëquajtur “refugjatë” udhëtojnë me identitet të rremë në mbarë Europën, u shpreh ai, dhe Greqia thjesht vulos lejen e tyre për vazhdimin e rrugëtimit.

Në arsyetimin e Ivanovit, nuk është çudi që rrugën e refugjatëve ta kenë përdorur plot luftëtarë radikalë për të hyrë e lëvizur pas kësaj në Kontinentin e Vjetër me dokumenta false.

Leave a Reply

%d bloggers like this: