Home / Kryeartikull / Dita e Verës

Dita e Verës

Nga Prof. Thanas Meksi

Për “Ditën e Verës” vendosa të kryej një studim të plotë kur punoja në vitet 1996 dhe 1997, si specialist kulture në Bashkinë e Elbasanit. Me mundonte gjithnjë një mendim, ndoshta i gabuar kur thoja se Ditën e Verës e festojnë vetëm myslimanët. E kuptoja që ishte mendim frenues dhe lagjia Kala, e banorët e saj, ortodokse e myslimane, i festonin gati bashkë të gjitha festat, që i takonin të dy feve.

Unë gëzoja, kur isha i vogël, që shikoja mëmën time të mblidhej për ditë vete, bashkë me shoqe të tjera kalajase e të bënin ballokumet. Respektonim të gjitha zakonet e kësaj dite të bekuar si: bënim gjellët karakteristike, sidomos tavën e kosit, pinim verën që e bënte dajë Mihali, dilnim shëtitje nga arat e gjata, mbushnim ujë në Portën e Kalasë, etj.

Intervistova shumë qytetarë elbasanas, plaka dhe pleq, studjues dhe etnografë, akademikë, lule rritës e guzhunjier. Krijova një material të plotë, shumë foto, sidomos nga arsimtarë që ruanin kujtime nga Dita e Verës. Asistova në bërjen e ballakomeve dhe revanisë. Ndalova tek kryesorja: Elbasani ishte kryeqytetii Ditës sëVerës, prandaj duhej gërmuar, si tek rrëfenja: Germo o Tare, gërmo! Krahas traditës zakonore shtëpijake elbasanase, që është një metodikë e pashkruar për ditën e verës, e veçantë e kësaj feste është gjelbërimi i pashoq elbasanas. Elbasani dimër- verë “rri i shtruar me qilim shumëngjyrësh lulesh e trëndafilash”. A thua se këtu fillon Dita e Verës”

Elbasani i gëzohet Ditës së Verës

Ashtu siç çdo festë edhe Dita e Verës ka ritualin e saj. Ai ndahet në këto faza: Nata e Verës, me 13 mars, mëngjesi i Ditës sëVerës, me 14 mars, Piniku i Verës me 14 mars nga ora 10-15. Përgatitjet për natën e Verës fillojnë kohë më parë në Elbasan. Para shumë ditësh blihen ushqimet dhe pemët si: arrat, palat e fikut, ftonjtë, shegët etj., dhe veçanërisht gjeli i detit, i cili ushqehet me shuka buke (miell i bërë shuk me vaj) dhe kokrra ulliri dhe misri. Fëmijëve u bëheshin rroba të reja për këto ditë dhe në dorë u lidhej verorja, e cila formohej nga ndërthurja e disa fijeve peri apo mendafshi disa ngjyrëshe.Vigjilja e natës së Verëse gjen shtëpinë të mbushur plot e përplot me miq e shokë. Vëllazëria e burrit e feston bashkarisht këtë festë në shtëpinë e babës. Vjen edhe vajza e martuar diku larg.

“Hazërllëqet” janë siguruar me kohës si: vezë e gjalp fshatari, maja e miellit të misrit, miell gruri etj. Sipas të moshuarve, ky zakon flet për mbarësi e bollëk në familje dhe për fillimin e një stine të begatë. Ballakumja, ëmbëlsira karakteristike elbasanase shquhet për gatimin e rrallë e nazik dhe përgatitej nga disa plaka me emër në Elbasan. Kuzhina elbasanase është e veçantë: shquhet gjella me pistil, tava e kosit, vorbja me uthull, kabunia dhe pijet e ziera vetë, rakija dhe vera. Nuk thonë kot në Elbasan: Barku i ngopur, koka plot.

Në këtë natë nuk mungojnë edhe këngët, vallet, shakatë dhe lojrat. Çast embëlsie dhe shijimi të veçantë ishte edhe ngrënia e ballakumeve, që shoqërohej me fjalët të përzemërta për amvisat, të cilat për qesendi merrnin vallet popullore “Bahçe bahçe me zymbylla”, të shoqëruara nga duartrokitjet e pjesëmarrësve. Në fund ndaheshin hiset, me drejtësi e maturi nga plaka e shtëpisë, e cila nuk harron as djalin ushtar, aq vajzën e martuar.

Dita e 14 marsit, pa lerë akoma dielli, elbasanasi është ngritur me shpejt se zakonisht. Të moshuarit sipas zakonit, qysh herët hapin derën e rrugës, për të hyrë e mira në “konak” e për të dalë së andejmi e “keqja”. Ky zakon kishte edhe një kuptim tjetër: bujari dhe mirësi për mikun që vinte nga larg. Pastaj më i moshuari, me shtambën për dore merrte rrugën te Çezmja e Portës së Kalasë, ose Takuzja, tek çezmja e Bobollës apo Bezistanit dhe pasi i hidhte nja dy tri herë ujë syve, priste një copë plis bari, dhe kthehej në shtëpi. Plisin e barit e vendoset në ndonjë saksi apo pemë me mendimin e mirë se jeshillëku do të shoqëronte stinën e re dhe mbarë vitin në vazhdim. Edhe një zakon tjetër, një i moshur i fisit niste një djalë te farefisi. Vizita në këtë mëngjes quhej “kame” dhe ishte mbarësi për familjen pritëse.

Faza përfundimtare e Ditës së Verës ishte pikniku familjar, që kryhet në çdo familje. Kontaktin e vërtetë me natyrën elbasanase e marrin aty nga ora 10 e mëngjesit. Drejtohen nga sheshi i Tabakëve dh evazhdojnë rrugën nga Shën Thanasi dhe Rrapi i Bobollës. E veçanta ishte edhe dalja e zonjave të pasura dhe sidomos e vajzave të reja, shpesh të veshur me kostume popullore shqiptare, për t’u shikuar nga djemtë beqarë. Më pas zinin vend, të vegjëlit vraponin nëpër ferra e kaçube për të mbledhur memekshet (manushaqet) dhe karakaftet, lajmëtaret e para të ardhjes së pranverës. Të moshuarit ndiznin zjarre e piqnin kafenë, me të rinjtë organizonin ndeshje me top dhe lojra të ndryshme popullore. Dreka e këndëshme në natyrën e praruar, shoqërohej me këngë evalle dhe ndonjëherë edhe me ndonjë dajre apo violinë. Edhe kur fillon të erret, Gropa e Tezes, elbasanasit e gëzuar mblidhnin “plaçkat” e mernin rrugën e shtëpisë.. Në kthim ata përshëndeteshin nga tingujt si kristali të këngëve të usta Isuf Myzyrit.

Elbasani është përgatitur edhe këtë vit të festojë Ditën e Verës. Atmosfera e festimit ka nisur me gjithë përkujdesjet dhe përgatitjet e amvisave shtëpiake nikoqire. Në të vërtetë festa dhe gëzimi i Ditës së Verës fillon që ditën e premte. Bëhet festa e karnavaleve. Karnavalet e nisin rrugën e tyre nga sheshi përpara stadiumit, duke manifestuar kërcimet, gazin dhe harenë e tyre përgjithë bulevardit kryesor deri tek Porta e Kalasë. Vlen të përmendet këtu edhe çelja e panairit tregtar në të cilin do të ekzposohen të gjitha prodhimet e krahinës. Elbasani do të urojë: “Paçim një vit të marë dhe të qetë“

Historia e Ditës së Verës

14 marsi është festa e Ditës së Verës në qytetin e Elbasanit. Eshtë festë mbarë popullore, që gëzojnë të gjithë, të vegjël dhe të mëdhenj. Eshtë festa e pranverës elbasanase, e gjelbërimit të pafund, E qeshur dhe e gëzuar vjen ajo këtë vit, ndryshe nga viti i kaluar,

Eshtë dita në të cilën stërgjyshërit tani shumë vite të shkuara, kremtonin bashkë me romakët dhe grekërit e vjetër, perënditë e luleve, të shelgjeve. Dita e Verës është festë e ripërtëritjes së gjithësisë, e gjelbërimit, e vazhdimësisë së jetës. Faik Konica shkruan: “Kur shkrin bora, kur afron vera e buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturat e Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumturi të ëmbël”. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë: t’u falen perëndive që sillnin mirësira. Megjithëse këtë festë e festojnë shumë krahina por tempullin e saj e ka patur në rrethinat e Elbasanit në zonën e Çermenikës. Në këtë krahinë, që në kohërat antike ndodhej faltorja e dëgjuar e Zanës së Çermenikës (Diana Candavensis). Të gjithë e dimë nga historitë se midis shumë perëndive, Perëndesha Diana, mbahej si perendia e gjuetisë, pyjeve dhe natyrës. Shumë festa u harruan, disa u politizuan, ndërsa Dita e Verës, e ruajti karakterin e vet popullor. Qytetii Elbasanit këtij rriti i pat dalë zot që në kohët më të lashta që nuk mbahen mend.

Hiroshja Ditë-Vere

Hiroshja Ditë-Vere lindi atëhere, kur s’kish lindur ende Krishtërimi, kur ilirët, grekërit e vjetër dhe romakët, kremtonin së bashku perënditë e luleve, të natyrës e gjithësisë.

Hiroshja Ditë-Vere tempullin e saj e ngriti në pyjet e Çermenikës, në faltoren e Perëndeshës Diana, që ishte perëndia e pyjeve, e gjelbërimit. Aty gjelbëroi gjithçka, lulja, shelgu, pema etj. Avash-avash ky gjelbërim erdhi e pushtoi rrethinat e qytetin e Elbasanit. E pruri Hiroshja Dite-Vere me gjithë të mirat. Çeli gjethi bashkë me të! Çelën karafilat dhe manushaqet e bukura. Mbiu bari dhe u ngroh toka. Doli bahçevani elbasanas më i papërtuar, shtroi hasren në oborrin e shtëpisë e pasi qëndroi aty një kohë të mirë, brofi në këmbë, duke thirrur me gjithë fuqinë e zërit të tij: “Po vjen vera! Po vjen! Ndjeva ngrohtësinë e tokës! Po! Po vjen vera! E ndien të gjithë: njeriu, zogu, kafsha, E solli Hiroshja Ditë-Vere edhe këtë verë të begatshme! Ajo shkriu borën dhe largoi stinën e acartë të dimrit, i dha gëzimin natyrës me jeshillëkun e saj, me buzëqeshjen e hollë e të gjatë. Nxorri milingonat në rrjesht nga toka, ku ishin strukur tërë dimrin e gjatë, për të “marshuar” drejt luleve të sapo çelura. Edhe për to mendoi Hiroshja Ditë-Vere. Ndaj të parët tanë ndjejnin një detyrim dhe detyrë: “T’u faleshin perëndive, që sillnin veç mirësira! T’i faleshin Hiroshes Ditë- Vere, që dimrin e bënte verë. Ardhja e saj, festohej në çdo portë dhe konak, sepse veç gjelbërimit, ajo sillte mirësi, dashuri, bollëk. Ditëlindjen ajo e kishte me 14 Mars dhe në këtë ditë Hiroshja Ditë-Vere do t’u binte zileve e këmborëve të bagëtisë, për t’u zgjuar njerëzia në Elbasan dhe Përmet, në Labovë, në Drenicë, Ulqin dhe Sharr të Tetovës, kudo në trojet shqiptare. Lindi dita e bardhë dhe e bukur, Ditë e Perëndisë. Zgjohuni dhe dilni fushave dhe arave, në natyrën e praruar shqiptare.

Elbasani pasi ka kaluar një natë vere të këndshme e të gëzuar, e mbushur shtëpia me shokë e miq, të ardhur nga të katër anët, sa që s’ke ku të hedhësh kokrrën e mollës, me gjelin e detit dhe ballokumet në sofër, zgjohet herët në mëngjes dhe hap portën e shtëpisë. Hiroshja Ditë- Vere me këmbën e djathtë kapërcen prakun e derës dhe nxjerr përjashta të këqijat. Bujaria dhe mirësia futen në shtëpi. Qoftë një vit i mbarë dhe me mirësi. Pastaj i jep plakut të shtëpisë porosinë: “Shko e mbush një shtamë ujë, tek çezma e Portës së Kalasë, hidhi nja dy tri herë ujë syve të zez dhe shkul një plis bar!.Dhe ky rrit do të sjellë veç mbarësi!Vendosin plisin në saksi ose në rrënjët e një portokalli. Fillo plehro pemët dhe ullishten.

Kështu Hiroshja Ditë-Vere u fut shtëpi më shtëpi e sofër më sofër, tek pasaniku, por edhe tek i vobekti. Sepse edhe ky i fundit me kursimet e mbledhura gjithë vitin, shpenzon pak gjë, ngaqë nuk mund të festohet ardhja e Hiroshës Ditë-Vere pa gjelin e detit, gëzimi i fëmijëve, apo pa ballokumet me sheqer .

Në të gjithë skajet e Elbasanit shpërndaheshin “faltoret” e bukurisë dhe të gjelbërimit. Ullishta e blertë disa mijë hektarëshe e kishte “faltoren” te Ulliri i Qejfit, Lugina e Shkumbinit pushonte te Gurra e Beshekut, ndërsa Shëngjoni i bekuar, del e pi një grusht ujë në Teferiç, tek Lëndina e Manushaqeve.

S’duen lënë e të harrohen e binjakëzohen këto festa të vjetra të kombit tonë, sepse s’kanë agjë të keqe, si bëjnë dëm njeriu, përkundrazi, sjellin gëzim e lumturi në çdo vatër e sofër shqiptare.

E bekuar qoftë dhe ardhtë çdo vit me begati Hiroshja jonë Ditë-Vere!

Ç’thonë për Ditën e Verës?

Faik Konica: “Eshtë dita në të cilën stërjyshërit tanë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekërit e vjetër, perënditë e luleve të shelgjeve. Kur shkrin bota, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturën e Botiçelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumturi të ëmbël”.

Et’hem Haxhiademi: “Pranvera sa jetë e bukur asht! Sa kujtime të përmallshme të sjell ndërmend. Atëhere në zemrën time ndjej një gaz e një mall që s’mundem me e rrëfye, nga ndonjëherë pa dashur më vjen ndërmend edhe ndonji ide e bukur e cila më gëzon e më kënaq tepër.

Fëllimi i hollë që fryn mbas një kohe, përplaset lehtë e butë në fytyrën time, më zbavit duke më dhanë me mijëra erna të mira, që ka marrë nëpër lulet gjithfarësh. Pranvera gëzon se lëndon zemrat e të gjithëve.”

Dhimitër S. Shuteriqi: “Me t’u ngrohur moti në fund të shkurtit a në fillim të marsit, karafilet e manushaqet nisin e çelin ullishtes, karshi diellit. Atëhere të vegjëlit, por edhe të mëdhenjtë, lëshohen domosdo për të mbledhur lulet e tyre të dashura. Këto lule janë lajmëtaret e stinës së re, Ditës së Verës, që elbasanasit e kanë pasur festën e tyre më prallore.

Leave a Reply

Your email address will not be published.