Te ndryshme

Nënat braziliane rrëfejnë makthin në kryeqytetin e Zikës

Virusi Zika, i cili shkakton deformime te foshnjat, është kthyer në makthin e përditshëm të grave shtatzëna në Brazil, ndërsa jeta e nënave me fëmijë të deformuar është vështirësuar ndjeshëm

Më shumë se 1400 bebe me mikrocefali janë regjistruar në zonën e Recifes dhe përreth saj, në verilindje të Brazilit. Për prindërit është e vështirë të përballen me këto kushte, ndërsa për gratë shtatzëna është shkaku i një ankthi të madh.

Është koha për një banjë për beben e quajtur Enzo Candido Freitas, e futur në një vaskë blu në tavolinën e kuzhinës. Mamaja e tij, Juliana, e mbështjell me kujdes djalin e saj gjashtëjavësh, ndërsa babai Jobson i zgjat një napë.

Duket si një skenë normale dhe e lumtur e një familjeje të re, por kur shikon me vëmendje e kupton që Enzo nuk është një bebe normale. Koka e tij është më e vogël se zakonisht dhe ai me gjasa ka dëmtim në tru. Edhe shikimi i është prekur dhe këmbët i ka të shtrembëruara.

Enzo ka mikrocefali – pra është prekur nga një sëmundje ku truri i tij është i zhvilluar më pak se normalja. Recife, kryeqyteti i shtetit Pernombuco në verilindje, u bë kryeqyteti i Zikës në Brazil. Virusi Zika, i transportuar nga mushkonjat, dyshohet se po shkakton shpërthimin e shumë rasteve me mikrocefali këtu.

Juliana dhe Jobson luajnë me Enzon mbi krevat përpara se ta fusin në krevatin e tij. “Ai do të jetë gëzimi i ditëve të mia të trishtuara, bebja ime e përjetshme”, më thotë e ëma.

Ajo e di që foshnja ka dëmtim në tru, por bashkëshorti refuzon ta pranojë. “Ndoshta jo për të tjerët, por për mua ai do të jetë një fëmijë normal, do të studiojë dhe do të bëjë gjithçka tjetër si një fëmijë normal”, thotë për BBC-në, Jobson.

Me Enzon dhe prindërit shkojmë të takohemi me doktoreshën që e kuptoi e para se diçka nuk shkonte në Recife. Dr. Vanessa Van der Linden e ekzaminon Enzon dhe u shpjegon prindërve se ai ka simptomat klasike të mikrocefalisë.

Van der Linden filloi të shihte gjithnjë e më shumë anomali te bebet, për shkak të kokës së vogël, në vjeshtën e shkuar. Tri raste brenda një dite në një spital, ndërsa më parë kishin qenë pak të tilla çdo vit në qytet.

Ajo mendoi se një agjent i ri patologjik ose një sëmundje e re po shfaqej te këto bebe. Agjenti i ri patologjik duket se është virusi Zika. Teoria është se në një mënyrë kalohet te disa nëna shtatzëna të pickuara nga mushkonja që u shkakton fëmijëve në bark mikrocefali.

Ndërsa doktoresha i ushtron këmbët Enzos dhe teston reflekset e tij, Juliana shpërthen në lot. “Ai nuk do të jetë si fëmijët e tjerë”, shprehet ajo, “por unë shpresoj që të bëjë progres nga dita në ditë dhe ne të tre do të luftojmë çdo ditë për këtë.”

Jobson e ngushëllon gruan e tij duke thënë: “Do ta dua gjithnjë Enzon, ai është djali im”.

Më pas vizitoj një nga 400 gratë shtatzëna në një qendër studimi ku shkojnë gratë e pickuara nga mushkonjat dhe që fillojnë të zhvillojnë simptomat.

Adenilda Lima është e shqetësuar ngaqë sapo i është marrë pak gjak dhe po pyetet rreth skuqjes së krijuar në krahë dhe këmbë. Doktorët dyshojnë se pickimi dhe skuqja në tre muajt e para të shtatzënisë është koha më e rrezikshme. Adenilda më tregon fotot e ekove të bëra, ku tregohet se gjithçka është mirë, por derisa të lindë fëmija asgjë nuk dihet me siguri.

Ajo ka tashmë dy fëmijë dhe qan kur më tregon se çfarë do të nënkuptonte pasja e një fëmije me probleme në familjen e saj. “Një fëmijë i lindur me mikrocefali në familjen tonë do të sillte dhembje, diçka që e kapërcen eksperiencën time”, thotë ajo. “Do të ishte shumë e vështirë për mua dhe besoj për çdo nënë tjetër.”

Studimi drejtohet nga profesoreshë Laura Rodriguez, e cila thotë se është e rëndësishme që gratë të vizitohen. Kjo, sepse nëse janë shtatzënë dhe kanë Zikën, nuk e dinë nëse rreziku për bebet do të jetë 5 për qind ose 95 për qind.

Rodriguez paralajmëron se ka një rritje të skuqjes te gratë shtatzëna, por jo të gjitha janë të infektuara nga virusi Zika. Kjo vjen edhe për shkak të panikut që është përhapur.

Profesoresha beson se numri i rasteve do të rritet dhe pas nëntë muajsh do të jetë shumë më i madh.

Përmes lotëve, Adenilda më tregon se ka vendosur të marrë pjesë në studim, sepse është e rëndësishme që çdo grua të bëjë ç’të mundet për të ndihmuar shkencëtarët të kuptojnë pasojat e virusit Zika dhe të parandalojnë pasjen e fëmijëve me mikrocefali.

Në anën tjetër të qytetit, spitali publik është i mbushur me nëna që mbajnë në duar fëmijë me kokë më të vogël se ajo normalja. Doktoreshë Regina Coeli, një pediatre, më fton të njihem me beben Christian da Silva, nënën e tij 18-vjeçare, Edernalia, dhe gjyshen Damiana.

Edernalia nuk e dinte se ishte pickuar nga një mushkonjë dhe se mbante virusin Zika, ajo nuk pati as simptomat. “Ai nuk mund të ecë, për shkak të këmbëve. Ai mund të mos ecë kurrë dhe kjo më trishton shumë”, thotë nëna.

Që kur u largova nga Recife tri javë më parë, 88 bebe të tjera me mikrocefali kanë lindur në shtetin Pernambuco, kryeqytet i të cilit është Recife. Më shumë Enzo dhe Christianë kanë ardhur në këtë botë dhe më tepër familje janë prekur tmerrësisht nga virusi Zika.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button