Home / Te ndryshme / Zyrtarët kinezë kanë frikë të duken të pasur

Zyrtarët kinezë kanë frikë të duken të pasur

Kjo fushatë antiryshfet zhvillohet brenda mureve të ndërtesave shtetërore, ku vetëm vitin e kaluar u arrestuan 300 mijë funksionarë. Fshehtësia bën që të mos dihet se cilët janë të dënuarit, çfarë bënë ata gabim dhe si përfundim çfarë u ka ndodhur atyre. Frika ka kapluar zyrtarët kinezë, që tani nuk shpenzojnë më për luksin hapur, në syrin e publikut dhe as mbajnë veshur aksesorë të shtrenjtë

Masat e ashpra të marra nga qeveria e Kinës për të goditur korrupsionin brenda institucioneve shtetërore kanë pasur një efekt të papritur. Tani njerëzit, të cilët mbajnë pozicione me influencë, e kanë kuptuar se nuk është mirë si për ta, ashtu edhe për familjet e tyre që të mbajnë veshur bizhuteri të shtrenjta apo të tregojnë nëpër kazino tufa me kartëmonedha. Për këtë arsye, bizneset që dikur kishin fitime të mëdha, tani po vuajnë.

Punonjësja e një prej dyqaneve të perlave në qendër të Pekinit, i cili vizitohet nga shumë turistë, tregon për rënien e shitjeve që ka prekur edhe biznesin ku ajo punon. Për vite me radhë, ky dyqan ishte plot e përplot me njerëz. Normalisht turistët ishin të shumtë, por perlat më së shumti bliheshin nga vendasit. Tani Jane tregon se duhet që të kalojën orë të tëra që një klient të futet brenda. “Nuk ka më turistë në Pekin. Ata nuk po vijnë më, pasi i tremben ndotjes së ajrit. Por ajo që mua më shqetëson më shumë, ka të bëjë me klientët tanë kinezë. Ata shpenzonim më shumë dhe fitimet tona ishin të mëdha nisur nga kjo dëshirë. Njerëzit që punonin në qeveri, blinin perlat tona më të mira dhe më të shtrenjta si dhurata. Por tani ata janë të trembur nga Presidenti Xi”, pëshpëriti ajo, duke iu referuar liderit të Kinës. “Gjatë fushatës antikorrupsion që vendi ka marrë, asnjë nuk dëshiron që ta shfaqë veten duke mbajtur veshur bizhuteri të shtrenjta.”

Në ditët e fundit u lajmërua nga organet shtetërore se rreth 300 mijë zyrtarë u dënuan, pasi u shpallën fajtorë për korrupsion, pas hetimeve të kryera në vitin e fundit. Kjo përfshin edhe 80 mijë punonjës të tjerë shtetërorë, të cilët morën dënime të ashpra nga autoritetet gjyqësore.

Kjo fushatë antiryshfet zhvillohet brenda mureve të ndërtesave shtetërore, kështu që nuk dihet se cilët janë të dënuarit, çfarë bënë ata gabim dhe si përfundim çfarë u ka ndodhur atyre. Por këto masa antikorrupsion kanë një pasojë tjetër më të dukshme. Tani zyrtarët as që e mendojë të shpenzojnë për orë apo varëse të shtrenjta, si dukur.

Edhe biznesi i kumarit është prekur nga kjo gjë. Enklava kineze e Makaut, i cili njihet si Las Vegasi i Lindjes, në vitin e kaluar pati rënie të fitimeve me 20% dhe e gjitha kjo për shkak të mungesës nëpër kazino të zyrtarëve të shqetësuar nga frika e hetuesve.

Por kjo situatë nuk do të thotë se Partia Komuniste në vend ka arritur që të pastrojë institucionet nga ky fenomen i dëmshëm.

“Nuk mendoj se po arrihet ndonjë rezultat me rëndësi lidhur me ata zyrtarë që kanë shkelur ligjin”, tha për BBC-në një vëzhgues i një organizate të huaj. “Nuk është ky qëllimi i kësaj fushate. Njerëzit jashtë Kinës po e keqkuptojnë këtë nismë të shtetit.”

Qëllimi i fundit i Presidentit Xi Jinping nuk është që të formojë zyrtarë të cilët janë totalisht të bindur pas ligjit. Përkundrazi, ai po përpiqet që të krijojë një legjion funksionarësh besnikë, të cilët do të vënë në zbatim politikat e tij. Kjo është një tentativë për të siguruar besnikëri në të gjitha nivelet e Partisë Komuniste, nga ato më të lartat në godinat drejtuese të Pekinit e deri në fshatrat më të largëta. Gjithashtu, ndikimi i tij do të shtrihet edhe në perandorinë financiare të qeverisë.

Kompanitë kineze të naftës, ushtria dhe bankat e mëdha, që të gjitha kanë qenë subjekt i inspektimeve për korrupsion. Madje edhe byroja e korrupsionit ka inspektorët e vet të brendshëm që kontrollojnë punën.

Për çdo zyrtar të ashpër që ka tentuar të marrë copën e vet dhe të krijojë një pasuri të madhe, duke marrë ryshfete, ai zëvendësohet nga një tjetër person, i cili është besnik i liderit Xi Jinping.

Një farë korrupsioni dhe shkeljeje lejohet, për aq gjatë sa prioriteti final, uniteti i partisë qëndron i paprekur.

Megjithatë, shpenzimet e zyrtarëve pasanikë tani janë përqendruar në komoditete të tjera. Kështu shitjet e veshjeve intime janë rritur mjaft. Logjika është e thjeshtë. Familjet komuniste të pasura, prapë do të vazhdojnë që të shpenzojnë kur bëhet fjalë për kënaqësi private. Gjithashtu, sipas burimeve të BBC-së, restorante sekrete luksoze janë hapur, pasi shikohen si domosdoshmëri tani. Në pamje të parë, ato duken si çajtore të lëna pas dore, por në dhomat e fshehura ato janë një luks i vërtetë me ushqime mjaft të shijshme.

Kjo do të thotë se disa biznese vazhdojnë të gëlojnë, thjesht shpenzimi po bëhet i fshehtë tani. Në një lagje të Pekinit, një grumbull dyqanesh me marka europiane në pamje të parë të bëjnë të mendosh se falimentimi i tyre nuk do të jetë i largët. Por kur futesh në parkimin nëntokësor, e kupton se përse ato vazhdojnë që të qëndrojnë hapur. Çdo hapësirë parkimi ishte e zënë. Aty qëndronin makina të modeleve më të shtrenjta, BMW, “Lamborghini”, dhe madje edhe dy “Rolls Royce”. Pas makinave qëndronin ashensorët personalë. Çdo dyqan kishte ashensorin e vet të shtruar me tapet me pellush. Klientët nuk kanë nevojë që të rrezikojnë të dalin jashtë e të bien në sy të hetuesve. “Kur do të mbarojë fushata antikorrupsion? Ajo do të vazhdojë derisa Xi Jinping-u të ndiej se ka gjithçka nën kontroll. Ai u beson shumë kuadrove të veta besnikë, por çdo kush tjetër e urren dhe njerëzit po presin që ai të rrëzohet. Sa më shpejt të ndodhë, korrupsioni do të rinisë të shfaqet prapë”, u përgjigj një ekspert kinez për situatën. “Më pas, nuk do të ketë nevojë për këto parkime nëntokësore.”

Leave a Reply

%d bloggers like this: