Home / Arte / Libri / Kur godet shpirtin , sistemi ka rënë

Kur godet shpirtin , sistemi ka rënë

Me shkas nga libri i parë i Primo Levit “A është vallë, njeri…?”

Nga Monika Shoshori Stafa
Në vjeshtën e vitit 1943, Primo Levi ishte vetëm 24 vjeç, kur u arrestua së bashku me anëtarët e tjerë të Rezistencës Italiane. Në vend që të vritej nën akuzën e një tradhtari, ai pohoi se ishte një hebre dhe u dërgua menjëherë në Aushvic. Libri “A është vallë, njeri?” i Primo Levit, tregon pikërisht periudhën në të cilën shkrimtari ka jetuar në kampin e Aushvicit. Si dhe tregoi ky libër nuk do të ishte fjala e fundit e rrëfimeve të tij, por vetëm pika e fillimit të një filozofie morale që evoluonte me kohën. Levi i përshkruan emocionet e tij në pasthënien e librit kur ai sapo ishte kthyer nga kampi i vdekjes: “Këto kujtime më digjnin aq fort nga brenda saqë ndjehesha i detyruar t’i hidhja menjëherë në letër sapo të mbërrija në Itali dhe vetëm brenda disa muajsh e kam përfunduar këtë libër”. Levi shpjegon në një intervistë të fundviteve ‘80 se qëllimi kryesor i këtyre rrëfimeve ishte të siguronte dokumentacionin e plotë të një studimi të qetë të aspekteve të caktuara të mendjes njerëzore. Qëkurse Levi kërkoi ta përfshinte lexuesin në atë çfarë kish ndodhur, dukej qartë se edhe pse mes ngjyrave poetike hera-herës, asnjë nga faktet e përshkruara aty nuk ishin shpikur.

Ju që jetoni të sigurt,

Në shtëpitë tuaja të vakëta,

Ju, që kur ktheheni mbrëmjeve në shtëpi,

Gjeni ushqim të ngrohtë e fytyra miqësore:

Shihni, a është burrë ky

Që punon në baltë…?

Këto janë disa nga vargjet e poemës që hap librin “A është vallë, njeri…?”, bazuar kryesisht në lutjen hebreje që përfaqëson thirrjen e Zotit ndaj Izraelit, duke i kërkuar lexuesit t’i gdhendë këto fjalë në zemrën e tyre, e të kuptojnë se fjala “ky”, janë viktimat e nazistëve, ato gra e burra bashkë. Mënyrat e Levit dhe të të burgosurve të tjerë të punësuar për të qëndruar gjallë ishin të rëndësishme natyrisht, por kjo mbetet vetëm njëra anë e tregimit, sepse ajo që përbën thelbin e këtyre rrëfimeve janë vlerat që bëjnë të mbetesh njeri.

Sistemi gjerman i ndërtimit të kampeve Lager kish për qëllim shkatërrimin e njerëzve, jo vetëm në kuptimin fizik sepse në shënjestër, ai kishte dobësimin e shpirtit të tyre, gjithashtu. Levi tregon nga ajo çfarë mundi të analizojë më në hollësi edhe psikologjikisht se shumë të burgosur u kthyen në qenie të ulëta kur u trajtuan në këtë mënyrë. Ndjesia e tyre njerëzore ishte goditur në shumë mënyra, shumëkush aty arriti deri në mohimin e emrit të vet. Siç Levi e përshkruan qartësisht, ky lloj sistemi largonte nga njeriu çdo mekanizëm virtyti apo dhe kënaqësie duke i kthyer ata në “njerëz të zgavërt”. Një nga personazhet e librit, Steinlauf, e qortonte Levin që nuk kujdesej mirë për veten e tij gjatë kohës në kamp, duke i thënë atij se edhe pse ky sistem “Lager” ishte një makinë e madhe që na kthente në kafshë, ne nuk duhet të bëheshim të tillë; se madje edhe në këtë vend mund të mbijetohej, mjafton që ta dëshiroje një gjë të tillë. Dikush duhet të dilte që këndej gjallë e mirë për të treguar historinë, e për ta dëshmuar atë, me fakte gjithashtu. Ndaj për të mbijetuar duhej të detyroje veten të shpëtoje të paktën strukturën e këtij sistemi, si pjesë e një qytetërimi modern edhe pse atë e shpikën për të shuar një racë njerëzore”. Të vdisje si njeri, në këtë drejtim, ishte një detyrë e vështirë. Me këtë rast sistemi Lager i kampeve ishte “i një tipologjie të veçantë; ai demonstroi procesin e asgjësimit fillimisht të tyre si qenie humane në mënyrë që t’i vrisnin me ngadalë më pas”.

Pas këtyre rrëfimeve nuk fshihet një përpjekje për të kuptuar veprimet e atyre që shpikën këto kampe kaq çnjerëzore, por thjesht ato janë shqyrtim i asaj se çfarë këto veprime kishin si qëllim. Është thënë shpesh se Levi duke qenë edhe farmacist i talentuar, e pati treguar këtë talent edhe përmes shkrimeve të tij, qoftë nëpërmjet kujtesës me anë të syve dhe ndjesive heshturazi nga jeta në kamp, qoftë edhe nga hulumtimit shkak-pasojë të ndodhive që ai vinte re aty, përtej veprimeve të dukshme.

Levi qartësisht shkruan në rrëfimin e tij se njeriu ka ardhur deri këtu nga ajo çfarë ai bën dhe aksionet që ai ndërmerr. Ai e ka pranuar se gjatë kohës në kamp, sjellja nën statusin e marrëzive dhe ku i besohej instinktit kafshëror, siç ishte ferri i atyre kampeve, nuk ia zhbëri shpresën për të qenë i aftë të kthehej në tokën e të gjallëve.

Pavarësisht gjuhës së deklaruar si të papërshtatshme për të përshkruar atë çfarë ai pa dhe çfarë ai jetoi, Levi përpiqet të bëjë të paktën një gjë shumë mirë, të rrëfejë jo vetëm fizikisht gjithçka aty tani pas daljes nga kampi i duket surreale. Libri në vetvete padyshim përbën themelet e para të vokacionit të tij për të treguar kujtimet e tij, ashtu të nxehta si i vinin edhe në rrëfimet e tjera. Sepse as terminologjia e fjalëve në kuptimin e tyre të zakonshëm nuk do të mjaftonin. Uria dhe i ftohti, p.sh. shpjegon Levi, nuk do të ishin të duhurat për atë që të burgosurit kishin përjetuar, sepse uria jonë nuk ishte ushqimi i humbur i një vakti, po ashtu ndjesia e të ftohtit te ne nuk ishte si ajo e njerëzve të lirë. Ne flasim për “urinë”, “lodhjen”, “frikën”, “dhimbjen”, themi “dimri” por në të vërtetë ato ishin gjëra kaq të ndryshme, për ne që i jetonim aty brenda, shprehet Levi, sepse këto janë thjesht fjalë të lira, të krijuara dhe të përdorura nga njerëz të lirë që kanë jetuar në rehati dhe pa vuajtje në shtëpitë e tyre. Nëse sistemi i këtyre kampeve do të kish zgjatur edhe më, në kohë, një gjuhë e re e ashpër do të ishte shpikur aty brenda.

Por pjesë e Ferrit të Levit është dhe një nga ato gjëra që njeriut nuk i humbet, madje edhe gjatë momenteve më të këqija të tij, shpresa. Është e pashmangshme, në fakt, derisa është pjesë e qenies njerëzore. Rrëfimet e Levit i tregojnë lexuesit se si shpresa u gjet në “kutinë” e të këqijave që Pandora hapi dhe si ajo mbeti aty e bllokuar me kapakun e saj deri në kohën e duhur. Shpresa, si koncept fizik, nuk ekziston po ashtu e mira dhe e keqja, por varet nga konteksti në të cilin ajo është përdorur. Sepse të shpresoje në kampin e Aushvic-Birkenau ishte një gjë shumë e mundimshme po ta krahasosh atë me çfarë të burgosurit duronin. Dhe bashkë me shpresën vinin disa sinjale drite që i mbanin të burgosurit larg dëshpërimit të plotë. Një ditë, vërtet mund të qëllojë të jetë krejt e shëmtuar, por mjafton një gjë e vogël që ndodh të të bëjë që çdo gjë të duket e pranueshme. Ndërsa kjo vlen shumë nga pikëpamja psikologjike, Levi jep një shpjegim krejt të errët lidhur me këtë. Gjendet gjithmonë një opsion në këto kampe për t’ia dalë në njëfarë mënyre, vetëvrasja. Një i burgosur mund të prekte fare lehtë gardhin elektrik ose të lëshohej nën rrotat e trenit. Sado trullosëse dhe perverse të duket si opsion, vetëvrasja ofrohej si e vetmja zgjidhje për të nëse jeta i bëhej e padurueshme.

Sigurisht për këtë libër, ka shumë e shumë për të folur dhe shkruar, mbi temat, motivet dhe natyrën e pandërgjegjes, pjesë cerebrale të qenies njerëzore, si dhe përdorimin e humorit në gjuhën e tij. A mos është vallë ky njeri…?, është një histori e mahnitshme e rrëfyer me një frymë të pakët ku ngrihen shumë çështje shqetësuese mbi mekanizmat cerebralë që përfshijnë trurin e njeriut për të persekutuar e zhdukur të ngjashmin e tij. Ai është një nga rekomandimet më të mira për ata, të cilët duan të paranjohin apo paraparë se deri ku do të arrijë diabolizmi i një qenie njerëzore.

Leave a Reply

%d bloggers like this: