Home / Te ndryshme / Dilema, altruizmi mund të jetë iluzion

Dilema, altruizmi mund të jetë iluzion

Një hulumtim i ri hedh dritë mbi bujarinë e njerëzve dhe nxitjen e saj nisur nga shkaqe të ndryshme, që prej solidaritetit e deri te dëshira për reciprocitet. Kërkuesit zbuluan se thjesht duke parë sjelljen e një personi ose aktivitetin në një zonë specifike të trurit, nuk zbulohet motivi që nxit sjelljet altruiste

Në dhjetorin e shkuar, themeluesi dhe drejtuesi i “Facebook”, Mark Zuckerberg dhe gruaja e tij, Priscilla Chan, lajmëruan lindjen e vajzës së tyre dhe u zotuan se do të dhuronin 99 për qind të aksioneve të tyre të “Facebook” përgjatë gjithë jetës për shkaqe bamirësie.

Ky vendim mori si vlerësim për altruizmin, ashtu edhe kritika, pasi njerëzit vunë në pikëpyetje arsyet e vërteta të Zuckerberg-ut dhe nëse bëhej fjalë për të kursyer miliona dollarë taksa. Sigurisht, bota mund të mos e zbulojë kurrë nëse qëllimi i prindërve ishte vërtet filantropik.

Një studim i ri i publikuar në revistën Shkenca analizoi mënyrën se si ndërveprojnë rajone të ndryshme të trurit dhe thotë se është e mundur të parashikohet nëse një veprim altruist është vërtet i motivuar nga altruizmi apo nga reciprociteti.

“Shkaqet lënë një gjurmë neuropsikologjike”, thotë Ernst Fehr, një studiues i sjelljes së individit në Universitetin e Zyrihut. “I gjithë nocioni i një motivi është një koncept mendor që nuk mund ta vëzhgojmë drejtpërdrejt, por ne jemi në gjendje ta bëjmë këtë të dukshme”.

Kërkuesit zbuluan se thjesht duke parë sjelljen e një personi ose aktivitetin në një zonë specifike të trurit, nuk zbulohet motivi që nxit sjelljet altruiste. Shkaqet variojnë nga personat egoistë, të cilët marrin vendime më altruiste kur motivohen nga ndjenja, por jo nga reciprociteti. Ndërkohë që njerëzit prosocialë marrin më shumë vendime altruiste kur motivohen nga reciprociteti dhe jo nga ndjenja.

Skuadra kërkimore përzgjodhi rastësisht pjesëmarrësit dhe i ndau ata në dy grupe: grupin e prirur drejt ndjeshmërisë dhe atë që synonte reciprocitetin. Në grupin e parë secili subjekt vëzhgoi se si një partner merrte goditje elektroshoku duke shkaktuar kështu eupati, ndërsa grupi i dytë shikonte sesi një partner jepte para që të mos goditej nga elektroshoku duke ilustruar me shembull reciprocitetin, gjë që e bënte subjektin të ndihej në borxh me partnerin.

Në të dyja rastet, secili subjekt kishte një partner të dytë neutral që vepronte si një kontroll.

Skuadra më pas mati sjelljen e vullnetarëve dhe përgjigjet në tru. Atyre iu bënë skanime të trurit ndërsa kryenin një detyrë të ndarjes së parave për vete ose një nga partnerët. Hulumtime u bënë te partneri që dha eupati, atij që dha reciprocitet apo partnerit neutral. Pjesëmarrësit mund të zgjidhnin vetë nëse do ta maksimizonin shpërblimin monetar për sjelljen prosociale apo për atë egoiste.

Kërkuesit zbuluan se pjesëmarrësit pavarësisht se cilit grup i përkisnin shfaqën të njëjtën sjellje altruiste: ata morën vendime altruiste rreth partnerëve të reciprocitetit apo empatisë, më shumë sesa krahasuar me partnerët neutralë.

Për më tepër, skanimet e trurit zbuluan dallime mes altruizmit për empati dhe atij për reciprocitet. Duke analizuar tre rajone të trurit, ata zbuluan një lidhje pozitive mes altruizmit të shkaktuar nga empatia dhe atij bazë.

Sipas psikologëve, altruizmi për shkaqe reciprociteti dhe neutraliteti ishin shumë larg të qenët ndjesi e vërtetë altruizmi. Zbulimi i shkaqeve të sjelljes sipas studiuesve është në 80 për qind të rasteve i saktë.

Së fundmi, kërkuesit ekzaminuan njerëzit e kategorizuar si egoistë ose prosocialë dhe i vunë ata përballë empatisë dhe reciprocitetit. Kërkuesit arritën në përfundimin se njerëzit egoistë kryenin më shumë sjellje altruiste kur atyre u induktohej në mendje empatia (ose solidarizimi me të tjerët), por kjo nuk ndodhte te njerëzit prosocialë ose ata që dalin vullnetarë të bëjnë një të mirë për shoqërinë.

Përkundrazi, sipas hulumtuesve, njerëzit prosocialë synonin të bënin më shumë altruizëm kur e dinin se kishte një element reciprociteti në mes.

“Rezultatet janë të mira”, thotë Cendri Hutcherson, një psikologe në Universitetin e Torontos, që nuk ishte pjesë e studimit. “Ai sugjeron se nëse synoni të shtoni bamirësinë duhet të njihni mirë audiencën të cilës po i drejtoheni dhe të dini arsyet e saj, sepse kështu do të mund të hartoni strategjinë më të suksesshme për juve”.

Sipas Sebastian Gluth-it, një psikolog i Universitetit të Bazelit, informacioni i aktivitetit të ndryshëm në rajonet e trurit, është një mundësi e mirë për të zbuluar se si ndërveprojnë rajonet dhe si aktivizohen dhe çaktivizohen ato bazuar te motivet e njeriut.

Psikologu Hutcherson beson se kjo nuk është e gjitha. Sipas tij, i njëjti person mund të marrë vendime bujare dhe egoiste bazuar në faktorë të caktuar, përfshirë koston e bujarisë dhe përfitimin që merr prej saj.

Kërkuesit tani planifikojnë të ndërmarrin hapa drejt përgjithësimit të zbulimeve të tyre, duke studiuar motive të tjera për sjelljen altruiste, si për shembull dëshira për të vepruar siç e do morali, përfitimet nga një reciprocitet i ardhshëm ose mbrojtja e reputacionit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.