Home / Bota / Amerika / SHBA vendos sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut

SHBA vendos sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk po tregohen aspak të kursyera ndaj Koresë së Veriut duke e ndëshkuar sërish. Presidenti Obama lëshoi një urdhër ekzekutiv që vendos sanksione të reja ndaj shtetit komunist për testet e fundit bërthamore dhe për lëshimin në mënyrë të paligjshme në hapësirë të një sateliti.

Sanksionet e reja amerikane përshijnë edhe disa nga masat ndëshkuese të vendosura kohët e fundit nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, që u cilësuan si më të rëndat kundër Koresë së Veriut.

Megjithatë deri tani nuk ka pasur asnjë reflektim nga ana e Penianit, madje pas zgjerimit të sanksioneve të vendosura nga OKB-ja, menjëherë lideri koreanoverior kërkoi gatishmëri bërthamore, duke u shprehur se vendi i tij duhet të jetë në gati në çdo moment.

“Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti global nuk do të tolerojnë aktivitetet e paligjshme të Koresë së Veriut me raketa bërthamore dhe balistike, dhe ne do të vazhdojmë të imponojnë kosto për Korenë e Veriut, derisa të zbatohen detyrimet ndërkombëtare”,  tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.

Obama tha se sanksionet “nuk kanë në shënjestër popullin e Koresë së Veriut”, por sqaroi se masat e reja ndëshkuese kanë ardhur si pasojë e veprimeve të gabuara nga udhëheqësit në vendin komunist.

Vetëm një ditë më parë, Peniani dënoi me 15 vite burg një student 21-vjeçar amerikan për “krime kundër shtetit”.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë e akuzoi regjimin e Penianit se po përdor qytetarët amerikanë si pengje për të realizuar axhendën e tij politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published.