Amerika

Trump, tashmë “armik global”. Edhe Kina e sulmon ashpër

Për muaj me radhë, udhëheqësi i garës republikane, Donald Trump ka shënjestruar Kinën gjatë fushatës, duke u zotuar se do të vendosë tarifa për mallrat e prodhuar jashtë vendit dhe se do të kthejë prodhimin e mallrave si “iPhone” në SHBA.

Madje, në disa raste, përdori edhe një theks të ndryshëm të anglishtes për të imituar stilin negociues të biznesmenëve kinezë. Më herët, Pekini e kishte injoruar impaktin që retorika e Trump mund të kishte mbi raportet mes Kinës dhe SHBA-ve, por befas gjithçka ka ndryshuar.

E ndërsa Trump vazhdon të sigurojë fitore bindëse në rrugën drejt Shtëpisë së Bardhë, Kina publikoi një kritikë të fortë ndaj procesit elektoral amerikan dhe kandidatit amerikan, që sipas saj ka hapur “kutinë e Pandorës” në shoqërinë amerikane.

Në një editorial të publikuar këtë javë, gazeta shtetërore kineze “Global Times” e cilëson Trumpin si një klloun llafazan dhe ofendues. Sipas gazetës kineze, që përçon vetëm mendimet qeveritare, fillimisht Trump duhej të shërbente si një klloun për të tërhequr vota për Partinë Republikane, por tashmë ka dalë jashtë kontrolli dhe është shndërruar në makthin më të madh të partisë.

Editoriali qeveritar përdor gjithashtu ngritjen politike të Trump për të nënvizuar rënien e Amerikës dhe dështimin e demokracisë, përmes një paralelizmi mjaft agresiv.

“Musolini dhe Hitleri erdhën në pushtet përmes zgjedhjeve dhe ky është një leksion i rëndë për demokracinë perëndimore”, shkruhet në artikull. Kina është kritikja më e fundit e Trumpit në një listë të gjatë, por një pjesë e analistëve sugjerojnë se, kritikat nuk bëhen vetëm ndaj atyre që gabojnë, por edhe ndaj atyre që të bëjnë të kesh frikë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button