Home / Arte / Ekspozita / Pranvera e Frankofonisë, ekspozitë për sulmin mbi “Charlie Hebdo” në COD

Pranvera e Frankofonisë, ekspozitë për sulmin mbi “Charlie Hebdo” në COD

Në kuadër të Pranverës së Frankofonisë në Shqipëri, COD (Qëndra për Hapje dhe Dialog), Aleanca Franceze e Tiranës dhe Instituti Francez çelin te enjten pasdite ekspozitën “Vizatime të lira” (Dessins en liberté).

Sipas nje njoftimi per shtyp nga COD, ekspozita merr shkas nga sulmet e janarit të 2015 mbi gazetën satirike “Charlie Hebdo”. Krijimet prezantohen si bashkëpunim i të përjavshmes «Courrier International» me Institutin Francez.

Atentati kundër “Charlie Hebdo” rindezi debatin mbi karikaturistët, një histori që nis në 1789, me Deklaratën e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit. Neni 11 njeh “lirinë për të shprehur mendimet”, e drejtë e vendosur përfundimisht nga Ligji për Lirinë e Shtypit i 29 korrikut 1881. Ilustrimet e periodikëve sjellin qasje të ndryshme ndaj lirisë së shtypit e të shprehjes në vende të ndryshme të botës.

Ushtrimi i së drejtës për t’u shprehur, në këtë rast vjen si e drejtë për të dhënë mesazhe përmes vijave e ngjyrave. Ekspozita është ftesë për reflektim, ku “vizatimet e mira vlejnë më shumë se fjalimet e gjata”.

Në hapësirën “Tako Artistin”, ilustrimet e ekspozuara shigjetojnë fenomene mbarëbotërore si, kriza ekonomike, korrupsioni, ngrohja globale, racizmi, barazia gjinore, dopingu, interneti i pasigurt e pabarazia shoqërore, me “forcën për lirinë kundër tiranisë e pandershmërisë”.

Pranvera e Frankofonisë në Shqipëri, si maratonë disaditore me aktivitete e bashkëpunime, ka në qendër promovimin e vlerave të frankofonisë.

Gjuha frënge, diversiteti kulturor dhe gjuhësor; paqja, demokracia dhe të drejtat e njeriut; mbështetja e edukimit, formimit, arsimit të lartë dhe punës kërkimore shkencore janë synimet e saj.

Nga 17 marsi, kur Pranvera vjen në COD me një ekspozitë mbi dialogun në media, deri më 24 mars, një sërë eventesh do të organizohen në Tiranë e në të gjithë Shqipërinë. Shfaqje filmash, ekspozita, konferenca e takime, koncerte, pjesë teatrore e më gjerë, e sjellin Francën dhe vlerat e frankofonisë në të gjitha dimensionet. Në COD, frankofonia vjen me dimensionin e lirisë, duke jju referuar njoftimit .

Leave a Reply

%d bloggers like this: