Home / Sporti / Tifozët e Lacios kërcënojnë Taren!

Tifozët e Lacios kërcënojnë Taren!

timthumbKarriera – Igli Tare luajti në tre vitet e fundit të karrierës së tij si futbollist, 2005-2008, në radhët e skuadrës së Lacios. Pasi mbylli kontratën me këtë klub, ai kreu kursin përkatës dhe u diplomua me notat maksimale për drejtor sportiv në vitin 2009. Që nga ajo periudhë, ai ka kryer këtë detyrë në radhët e skuadrës së Lacios
Igli Tare dhe familja e tij kërcënohen nga tifozët e Lacios. Ky ka qenë lajmi   që dje ka pushtuar me shpejtësi mediat sportive në Itali, për një fenomen të shëmtuar që zbeh shumë bukurinë e sportit më të ndjekur në botë. Tare ka treguar për “Il Tempo” se si gjërat kanë përshkallëzuar me shpejtësi pas dështimit të marrëveshjes për transferimin e Astorit te Lacio, me mbrojtësin që përfundoi te rivalët e Romës.

Problemet me tifozët e Lacios kishin nisur që në janarin e këtij viti, më saktësisht në ditën kur kjo skuadër shiti Hernanes tek Interi. Tifozët, në shenjë hakmarrje, hodhën numrin e telefonit të Tares në forumet kryesore ku diskutojnë ultrasit. Brenda pak orësh, në telefonin e tij mbërritën mbi 2 mijë mesazhe proteste, mes të cilave edhe kërcënime ndaj 41-vjeçarit dhe fëmijëve të tij. Kjo bëri që policia ta bllokonte përfundimisht atë numër dhe të niste hetime rreth kësaj çështjeje, ndërsa për Taren ishte thuajse e pamundur të punonte atë ditë me telefon, edhe pse ishte dita e fundit e merkatos dhe po kërkonte me ngulm të afronte lojtarë cilësorë pranë skuadrës. Me kalimin e kohës, situata ishte normalizuar, pasi ai kishte ndërruar numër telefoni, të cilin ia shpërndante vetëm personave të besuar. Sipas drejtuesit shqiptar, nuk kishte instaluar asWhatsApp pikërisht për faktin se nuk dëshironte që persona të panjohur të gjenin mundësinë për të komunikuar me të, siç kishte ndodhur me të mëparshmin. Por situata u përkeqësua përsëri të premten, pikërisht në ditën kur ai mbushi 41 vjeç, një ditë pasi ai kishte pasur një debat me ultrasit.

“Pas asaj nate, në Auronco (krahina ku është grumbulluar Lacio për fazën përgatitore) dhe përballjes me tifozët poshtë hotelit të skuadrës, rifilluan problemet. Dikush duhet të ketë gjetur përsëri numrin tim dhe unë e pashë përsëri atë në internet”, shpjegoi Tare. “Filluan të vinin mesazhet e zakonshme kërcënuese, por jo vetëm. Mora telefonata të çuditshme, si për shembull një nga Alitalia. Dikush kishte prenotuar një udhëtim në emrin tim për në Roterdam. Harxhova dy orë për të anuluar këtë udhëtim dhe për të kuptuar se kush ishte ai që e kishte bërë, çfarë po ndodhte”, tregoi drejtuesi i Lacios, duke zbuluar se tashmë tifozët kishin kaluar çdo kufi të mundshëm.

“Ata po ‘argëtohen’, kanë falsifikuar zërin tim me një drejtues klubi në jug, për blerjen e një lojtari që po bëhej gati të merrte avionin për të ardhur në Romë… Për mua ishte një surprizë e jashtëzakonshme, isha me fat që arrita të bllokoja gjithçka në kohë. Pastaj janë edhe mijëra mesazhe me fyerje dhe kërcënime. Një natë më parë e kaluan masën, morën edhe në telefonin e gruas time dhe aty fillova të shqetësohem”, deklaroi Tare për gazetën italiane, duke bërë të qartë se ka raportuar gjithçka tek autoritetet përkatëse që kanë nisur hetimet për kërcënimet ndaj shqiptarit.

“Është e pabesueshme se si në një vend si Italia nuk arrihet të mbrohet privatësia. Në orët në vijim do të jem i detyruar përsëri të ndërroj numrin e celularit dhe nuk do të jetë e thjeshtë pasi është një instrument i rëndësishëm i punës sime. E di që do të kem shumë probleme, por ajo për të cilën më vjen keq më shumë janë gjërat që po i thuhen familjes sime”, shprehu keqardhjen e tij Tare, për të cilin ky vit te Lacio po bëhet gjithnjë e më i vështirë.

Wikipedia

Tifozët e Lacios kanë vazhduar sulmet e tyre ndaj ish-sulmuesit të kombëtares shqiptare të futbollit, duke ndryshuar dje pasdite të dhënat në faqen e tij në Wikipedia. Pas modifikimeve të vazhdueshme, Tare shfaqej në këtë faqe si i lindur në Tel Aviv, Izrael, ndërsa edhe të dhënat e karrierës së tij ishin ndryshuar duke vendosur emrat e skuadrës së Kaljarit apo Romës aty ku në fakt duhej të ishte periudha e tij në radhët e Lacios, si lojtar apo si drejtues.

Leave a Reply

Your email address will not be published.