Home / Politika / Basha, mbështetje në SHBA: Edhe reformë, edhe zgjedhje

Basha, mbështetje në SHBA: Edhe reformë, edhe zgjedhje

Në vijim të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, kryetari i PD, Lulzim Basha është pritur në takim nga disa kongresmenë amerikanë, të cilët, sipas një njoftimi të selisë blu, i kanë dhënë mbështetjen e tyre përsa i takon sfidave që ka përpara Shqipëria, që sipas Bashës janë: pastrimi i politikës nga krimi, zgjedhjet e lira e të ndershme dhe reforma në drejtësi.

Konkretisht, Basha është pritur në takime nga kongresmeni Dana Rohrabacher, kreu i Komitetit për Europën, Robert Aderholt, si dhe nga shefi për Ballkanin në Departamentin e Shtetit, Thomas Yazdgerdi.

“Jam i lumtur të mbështes qëndrimin tuaj për implementimin e ligjit të dekriminalizimit dhe gjithashtu iniciativën tuaj për realizimin e reformës në drejtësi, pasi të nisë zbatimi i ligjit për dekriminalizimin, si dhe për zgjedhje të lira e të ndershme”, ka qenë mesazhi i Yazdgerdi.

Nga ana e tij, Basha ka deklaruar se nuk ka asnjë dilemë mes reformës në drejtësi dhe zgjedhjeve të parakohshme, pasi sipas tij kjo reformë kërkon zgjedhje të lira e të ndershme.

“Kjo nuk është çështje zgjedhjesh, ose reformën në drejtësi, ose zgjedhje të lira e të ndershme”, ka thënë Basha, duke shtuar se kjo duhet të jetë: “Edhe reformën në drejtësi, edhe zgjedhje të lira e të ndershme”.

“Reformën në drejtëtsi për të vënë para përgjegjësisë zyrtarët e korruptuar, kriminelët me lidhje me pushtetin, të cilët bashkarisht shkelin ligjin duke u imponuar qytetarëve një tirani dhe duke qëndruar vetë me privilegjet e tyre, me korrupsionin mbi ligjin dhe jashtë ligjit sot e gjithë ditën”, ka thënë Basha.

Ndërkohë, Basha është pritur në një takim edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë. Kongresmeni David Jolly i ka bërë me dije atij se, Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një partner të besueshëm për të punuar.

Leave a Reply

%d bloggers like this: