Maqedonia

Letërnjoftimet, 3.000 banorë të Pustecit votojnë edhe në Maqedoni

Anëtari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Subhi Jakupi dyshon se, në dy ciklet e kaluara zgjedhore në Maqedoni kanë votuar rreth 3.000 shtetas të Shqipërisë nga Bashkia e Pustecit, ku jetojnë 5.191 banorë, 4.290 prej të cilëve me të drejtë vote.

Sipas pohimeve të Jakupit del se, gati të gjithë zgjedhësit e Pustecit kanë votuar edhe në Maqedoni.

“Duke u nisur nga statistikat, që kemi marrë prej organeve përgjegjëse të Shqipërisë, numri i këtyre votuesve nuk mund të jenë më tepër se 3.000. Mendoj se ministri i Brendshëm mundet që ta zbulojë edhe këtë çështje, meqë në regjistrin e shtetasve figuron edhe vendi i lindjes së votuesve dhe ku e kanë fituar ata shtetësinë. Në këtë mënyrë, ai mund ta zbulojë sa është numri i votuesve që na vijnë nga Pusteci”, tha Subhi Jakupi, anëtar i KSHZ-së.

Nga bisedat e përgjuara telefonike, që i publikoi vitin e kaluar opozita maqedonase, u zbulua se shumica e këtyre personave nga Pusteci, në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kanë votuar në Komunën Qendër të Shkupit, kurse 600 prej tyre dyshohet të kenë votuar në Komunën e Kërçovës.

Sipas opozitës, ata kanë mbështetur kandidatët e partisë maqedonase VMRO-DPMNE të ish-kryeministrit Nikola Gruevski. Anëtari i KSHZ-së, Subhi Jakupi sqaron se, këta votues mund të largohen nga lista zgjedhore në Maqedoni, vetëm nëse Ministria e Brendshme i shpall të pavlefshme letërnjoftimet e tyre.

“Nëse ministri i Brendshëm zbulon parregullsitë ligjore për pajisjen e tyre me letërnjoftime, ai ka të drejtën që t’i shpallë të pavlefshme të gjitha këto dokumentacione, e njëkohësisht KSHZ-ja t’i largojë automatikisht nga lista zgjedhore”, tha më tej Subhi Jakupi.

Në muajin dhjetor të  vitit të kaluar, ministri i Brendshëm Oliver Spasovski zbuloi se, zyrtarët e Policisë maqedonase kanë pajisur në mënyrë të paligjshme me letërnjoftime 424 banorë të Pustecit, gjatë vitit 2013. Spasovski dyshon se, numri i letërnjoftimeve të falsifikuara është shumë më i madh nga ç’është zbuluar dhe ka paralajmëruar se, policia do të vijojë të hetojë këtë rast. Për këtë skandal, ai akuzon ish-ministren e Brendshme, Gordana Jankulovska.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button