Politika

Kontestimet, Kokëdhima, Marto dhe Çuçi, takime në Sarandë

Lëvizja

Deputeti socialist shprehet se nuk ka gisht për ndarjen e Himarës

kokedhima 1

Kontestimet për ndarjen e Himarës i kanë detyruar deputetët e kësaj zone, Koço Kokëdhima, Andrea Marto të PS-së, si dhe ministrin Bledi Çuçi të zhvillojnë takime të tjera përpara miratimit të hartës nga Parlamenti më 31 korrik. Ky fakt konfirmohet nga vetë deputeti Kokëdhima, i cili reagoi ndaj një artikulli në media që e implikon atë për ndarjen e re. “Unë nuk kam tentuar të imponoj një projekt personal për Himarën. Kam mbështetur e do të mbështes dëshirat dhe kërkesat e himarjotëve për t’u qeverisur gjithnjë e më mirë në nivel vendor, me një territor e komunitet funksional. Gjithsesi mos harroni që unë jam një himarjot. Projektin për ndarjen territoriale të Shqipërisë nuk e kam propozuar unë.As hartën e ndarjes së Jugut të Shqipërisë nuk e kam propozuar unë. Në krye të këtij projekti kanë qëndruar Bledi Çuçi, Bashkim Fino dhe Edi Rama. Në çdo mbledhje të grupit parlamentar dhe tryezat ku jam ftuar, kam shfaqur haptazi mendimet e mia. Këtë gjë bëra edhe sot (dje) në takimin me përfaqësuesit e Partisë Socialistë të minoritetit grek në Sarandë, në të cilën mori pjesë edhe ministri Çuçi dhe deputeti Marto. U treguam hapur atyre të gjitha rrethanat e kushtëzimet, si dhe pikëpamjet tona për të çuar përpara një reformë territoriale që nuk është kundër askujt, por është pro nevojave të qytetarëve shqiptarë për zhvillim social-ekonomik dhe qeverisje të mirë vendore”, – shkruan deputeti Kokëdhima.

Deputetja e PD-së

Deda: Për Mirditën u përdor kriteri i diskriminimit krahinor

Deputetja e PD-së për Mirditën, Albina Deda, shprehet publikisht kundër ndarjes së re territoriale. “Është shkelur çdo kriter gjeografik, demografik, ekonomik e kulturor dhe ajo është e ndërtuar vetëm mbi kriterin elektoral dhe diskriminimin krahinor, një pazar mes Ramës dhe Metës, ku kanë ndarë Shqipërinë si plaçkën e tyre për interesa dhe për të kënaqur orekset e klientelistëve që i sollën në pushtet. Për Mirditën, për një njësi nuk është marrë parasysh asnjë nga kriteret. As kriteri gjeografik, as demografik dhe as ai ekonomik. Mirdita, megjithëse me shumë zona që i janë lënë jashtë nga ata që projektuan copëzimin, persekutimin komunist, përsëri është zona me shtrirjen më të madhe gjeografike. Duke u konsultuar me shumë faktorë lokalë dhe banorë të zonës, për Mirditën do të ishte mirë të bashkohen gjithë zonat e Mirditës që sot janë me Pukën, Lezhën, Shkodrën dhe pastaj të liheshin 2-3 njësi të qeverisjes lokale”, shprehet demokratja Deda.

Aleanca Kuqezi

“Ndarja e re, mbi baza etnike antiligjore dhe antikushtetuese”

Aleanca Kuqezi deklarohet zyrtarisht kundër ndarjes së re territoriale me 61 njësi vendore. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës Kuqezi, Redi Ramaj, u shpreh se: “Ndarja territoriale vjen në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës Shqipërisë, e cila e përcakton Shqipërinë shtet unitar dhe jo multietnik. Ndarja si bashki minoritare e fshatit Pustec (Liqenas) dhe Dropullit përbën një kërcënim të rëndë për stabilitetin dhe integritetin territorial të Shqipërisë. Dropulli duhet të jetë pjesë integrale e Bashkisë së Libohovës ose Gjirokastrës, ndërsa Pusteci ka qenë dhe duhet të mbetet pjesë e Bashkisë së Pogradecit ose Devollit. Këto njësi nuk i përmbushin kriteret e zonës funksionale të përcaktuara nga vetë raporti i qeverisë, por bazohen te përkatësia etniko-kulturore e një pjese të popullsisë”. Ndërsa Aleanca Kuqezi thekson se shuarja e konceptit komunë dhe transformimi në bashki i të gjitha njësive vendore imponon miratim me 93 vota, pra me dy të tretën e Parlamentit sepse përbën ndryshim të dispozitave kushtetuese, më konkretisht neni 108 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Socialisti

Braçe: Kontestimet për hartën për shkak të interesave të Berishës

Për nënkryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, kontestimet për hartën e re nga Partia Demokratike bëhen mbi të gjitha për mbrojtjen e interesave të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky është argumenti që Braçe lidh për sa u përket protestave të shfaqura së fundmi, veçanërisht në pjesët bregdetare të Shqipërisë. “Përtej disa reagimeve që kanë argumente; Për ndarjen e re administrative po reagon vetëm PD dhe

po përdoret PD të reagojë në: Zona ku janë interesat ekonomike e pronësore të Berishës!! Ekzakt në: Kashar, Velipojë, Orikum (Karaburun e deri në Llogora), Himarë (Llogora deri matanë Lukovës), Bradashesh (zona industriale)!!!”, shkruan Braçe në rrjetet sociale. Sa u përket reagimeve të tjera, numri dy i grupit të PS-së, e lidh me faktin se drejtues lokalë nuk duan të humbin domenin që kanë pasur në drejtimin e komunave prej disa mandatesh. “Pjesa tjetër janë reagime të bejlurçinave që ju humb namuzi që kishin ata vetë dhe fiset e tyre në fshatrat ku prej 3,4,5 mandatesh bënin qejf e vidhnin çdo gjë!!”, shkruan Braçe.

PD, Vorpsi

“Reklamat e kushtueshme të Ramës,

mashtrim më shumë për 300 ditët”

Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, në një reagim për mediat, u shpreh se “Edi Rama vazhdon të paguajë reklama me paratë e taksapaguesve për të treguar gjëra që nuk kanë ndodhur as sot, as këto 300 ditë. Kjo propagandë qesharake që nuk arrin të bindë askënd, as qeverinë vetë, është bërë prej ditësh objekti kryesor i barsoletave në vend. Por shqetësuese dhe skandaloze është kjo çështje për paratë që qeveria po shpenzon në përpjekjen për të ndryshuar realitetin e humbjes masive të vendeve të punës, rritjes së krimit dhe pasigurisë, rënies së ekonomisë dhe mungesës së investimeve”. Sipas zëdhënëses së PD-së, Vorpsi kjo është një tallje për shqiptarët. “Rama prej 300 ditësh sorollat dhe tallet çdo muaj me personat me aftësi të kufizuar duke shtyrë vazhdimisht pagesat e tyre, ndërkohë që gjen qindra e mijë euro për imazh fals e rrena të përditshme. Dështimet e njëpasnjëshme të këtyre 300 ditëve, Edi Rama po përpiqet t’i mbulojë me një abuzim të pastër financiar. Një tjetër flluskë e madhe dhe boshe në listën e gjatë të mashtrimeve të Edi Ramës”, shton Vorpsi.

Ish-kryeministri

“Piktori dështak në kërkim të

sukseseve të tij imagjinare”

Ish-kryeministri Sali Berisha, në një qëndrim të tij, shprehet se i vetmi sukses i qeverisë “Rama” është lulishtja prapa selisë së ekzekutivit. “Gjatë 300 ditëve, Piktori dështak ka inauguruar gjithsej livadhin e Kryeministrisë, 6 zyra të Erion Veliajt, të cilat funksiononin prej tre vitesh me teknologjinë më moderne.

Në kërkim të sukseseve imagjinare ai inauguroi në Fier zyrën e Velisë, por pa Velinë, sepse 99-shi nuk i shkoi, pasi e dinte se ajo zyrë ishte hapur nga ‘Bankers Petroleum’ 4 vjet më parë. Por tunelet dhe rrugët janë, pas kompleksit të Edipit, kompleksi që e mundon më shumë në jetë Piktorin dështak. Sidomos pas dështimit të ndërtimit të tunelit të Zogut të Zi.Ndaj dhe pikërisht, në qershor, urdhëroi përgatitjet për inaugurimin e tunelit të Kërrabës, tuneli që ka teknologjinë e standardeve më të avancuar. Kompania mori urdhër të bojatisë tunelin dhe e zbatoi këtë. Por riinaugurimi nuk ndodhi, sepse e ndaloi këshilltari anglez për mediat, pasi i paraqiti pamjet filmike që dëshmonin se më datë 16 qershor 2013 ishte inauguruar”, shkruan Berisha në “Facebook”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button