Opinion

Media online nuk duhet të asgjësojë shtypin

Nga Elis Kuçi

Pasioni për gazetën e shtypur (tradicionale), mund të quhet jashtë mode në kohën e medias sociale, Facebook-ut etj., jo se nuk pëlqehet, por ka kosto të lartë financiare.

Në vendet e zhvilluara ka kohë që diskutohet si problem, por që ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare. Për shumë intelektualë të vërtetë (jo ata që kanë vetëm një karton fakulteti në xhep) mëngjesi rutinë (para orarit të punës), nis me kafe, lexim i thelluar i 3-4 të përditshmeve (10-15 minuta), për të kuptuar më shumë rreth disa ndodhive, që televizioni t’i kalon si blici i aparatit fotografit në memorie. Me hyrjen e rrjeteve sociale dhe portaleve informative, gazetat print po marrin goditje të njëpasnjëshme, deri në asgjësimin e tyre. Po të njëjtin fat pati edhe libri, kur hyri filmi dhe televizioni. Por pse na duhen të mbajmë gjallë shtypin e shkruar? Nostalgjia! Edhe kjo është një arsye, por bota e kapitalizmit e konsideron nostalgjinë demode, arsyeja është e thjeshtë, nuk sjell shumë fitim, për pasojë nuk duhet bërë investim. Ndryshe ndodh në portalet online, që mund të mbijetojnë me fare pak investim, të cilin mund ta rikuperosh në një kohë të shkurtër. Fitimi dhe ana financiare janë e keqja më e vogël, moskontrollimi i informacionit po masakron gazetarinë e vërtetë, për këtë duhet të shqetësohemi.

Për shembull, kush ka marrë vesh ndonjë gjë nga një kronikë televizive, apo nga një portal online, rreth disa reformave, si ajo e pensioneve, drejtësisë, legalizimeve etj., etj. Askush, sepse lufta online është kush e nxjerr i pari, jo kush nxjerr më shumë detaje, historikë, sasi argumentesh, prononcim ekspertësh e të tjerë indikatorë që bëjnë të mundur një informacion më të plotë. Kjo mënyrë, bën armik lexuesin dembel që thjesht një lajm kërkon t’i hedhë një sy për momentin dhe ta harrojë një orë më pas. Nuk duhet të jesh ekspert marketingu apo imazhi për të kuptuar se një reklamë në mediat sociale, përfshi edhe faqen e tyre në Facebook shpërndahet më shpejt, te më shumë lexues (nëse do t’i quajmë kështu të pasionuarit e rrjeteve sociale).

Dallimi këtu është shumë i madh. Gazeta print nuk të detyron ta kthesh faqen te reklama, madje mund ta palosësh edhe s’mund ta shohësh fare nëse nuk ke interes. Ndryshe ndodh në mediat online që janë edhe në Facebook, të sjellin aq shumë njoftime, saqë 40% e baterisë të harxhohet vetëm duke pastruar nga reklama/lajme e padëshiruara. Tashmë është botërisht e njohur që klikimet e një gazete online janë në shërbim të administratorëve për t’i shitur një produkt agjencive të reklamave për të marrë sa më shumë para. Për këtë arsye, këto lajme të vijnë shumë herë në mënyra të ndryshme, (gjithmonë pa lejen tënde) në kompjuterin apo telefonin tënd.

Mungesa e një tregu mediatik të mirëfilltë në kushtet e një konkurrence klikimesh ka bërë që shqiptarët të kenë më shumë informacion se kujt i del “zogu” se për rritjen e pagave e pensioneve. Por si çdo biznes që rend pas fitimit, edhe gazetarët e mediave online ndjekin më shumë kush nga “këngëtaret” i vjedh dashnorët njëra-tjetrës, se sa reformën e shëndetësisë. E ka edhe kjo një logjikë, mosha e tretë, ajo që ka më shumë nevojë për shëndetësinë, nuk është e familjarizuar me internetin. Nuk është vetëm kjo arsyeja, por mosha mesatare dhe mosha e tretë, nuk bazohen më shumë tek reklamat, por te përvoja e jetës, kur duan të përzgjedhin produktet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button