Home / Kryeartikull / Duhet rregull në moçalin e medias online

Duhet rregull në moçalin e medias online

Mentor Kikia

Mentor Kikia

Nisma e qeverisë për të hartuar një ligj për “disiplinimin” e medias online ka ftuar tashmë në një diskutim të imponuar gazetarët dhe poseduesit e mediave online. Unë e konsideroj legjitim shqetësimin që ngrenë Mero Baze dhe Andi Bushati për rrezikun e përpjekjeve të qeverisë për ti mbyllur gojën medias realisht më të lirë, siç është ajo online. Nuk ka asnjë dyshim se media sociale është sot në liri të plotë. Ajo është e pacensurueshme, është jashtë ndikimit politik, jashtë ndikimit të interesave ekonomike, siç është jashtë çdo kontrolli në çdo lloj kuptimi.

Besoj mbani mend se sa vrullshëm u përhap fotoja e gruas së moshuar që shiste qepë dhe që po gjobitej nga Policia Bashkiake e Tiranës? Fillimisht përmes “Facebook”-ut e pastaj përmes faqeve e portaleve, ajo u shndërrua në lajmin e ditës, duke e detyruar kryetarin e bashkisë të njoftonte se do ta paguante ai faturën. Por, po kaq vrullshëm përhapen edhe shpifjet, sharjet, lajmet pa asnjë lidhje me lajmin, të cilat pasi i nënshtrohen centrifugës “copy paste dhe shto të shosh”, riciklohen si lajme edhe nga ai që e ka lëshuar i pari.

Si një punëtor i vjetër i medias, dua të ndalem në këtë çështje që është po kaq çështje edhe pa miratimin e atij ligji. Paraprakisht dua të them se çdo rregull që qeveria do të vërë mbi mendian duhet parë me frikë, pasi asnjëherë dhe askund, qeveria nuk mund të jetë dashamirëse me median e lirë dhe të pavarur, aq më shumë në Shqipëri.

Informacioni online përhapet sot në katër mënyra:
1-Faqet online të mediave tradicionale, gazeta e televizione.
2-Gazetat online(që nuk printohen).
3-Portalet(magazina shumice lajmesh dhe mallrash të ndryshëm).
4-Rrjetet dhe faqet sociale në “Facebook”, “Twitter” etj.
Të parat lindën si pasojë e nevojës për t’iu përshtatur ndryshimit të madh që solli në botë masivizimi i internetit, i cili po çon në muze median e printuar.

Të dytat lindën si nevojë e gazetarëve të pavarur apo ambiciozë, për të pasur një media të tyren, për të qenë më të lirë dhe pa iu përgjigjur kujt për politikat editoriale që diktohen shpesh nga marrëveshjet e biznesit.

Të tretat janë magazina copy-paste, që vjedhin dhe shesin gjithçka që prodhojnë të tjerët, pa asnjë mundim. Që s’ua di askush as adresën, aq drejtuesit, që nuk kanë asnjë gazetar në staf, nuk kanë asnjë lidhje me mediat, por vegjetojnë si kërpudha në kurriz të mediave. Të katërtat janë sipas parimit “një qytetar, një media” dhe gjithkush është sot i lirë të shkruajë ç’të dojë në faqen e tij sociale.

Ti analizojmë shkurtimisht: Sa i takon pavarësisë nga politika apo interesat ekonomike, faqet online të mediave tradicionale janë po aq të varura, a të pavaruara, sa edhe mediat-mëma, emrin e të cilave mbajnë. Përveçse shesin online produktin e tyre, sa i takon lirisë së medias, këto nuk sjellin asnjë risi. Nuk besoj se beson kush, se një gazetë e printuar është servile e qeverisë dhe versioni i saj online është i pavarur. Ndryshimi është se lexuesit këtu kanë të drejtë të shahen mes tyre, të shajnë autorin e lajmit apo të shajnë personazhin mbarë e prapë. Dhe pronarëve kjo u pëlqen sepse u rrit klikimet.

Unë doja të ndalem tek mediat online, ato që kanë lindur si të tilla. Kjo është forma më interesante e medias se re. Unë drejtova një të tillë për 3 vjet. Krijova një redaksi me gazetarë të rinj, idealistë, të painfektuar nga sindroma e dashurisë për partinë që mbulon. Këta gazetarët punonin edhe një javë për një lajm investigativ dhe sapo e postonin, brenda 5 minutash e kishin marrë të gjitha faqet, pa e vrarë mendjen as të citonin apo edhe duke cituar xhanëm. Një dyzinë faqesh mediatike online, gazetash online dhe portalesh “informative”, të abonuar automatikisht në llogarinë e çdo mediaje, riprodhonin rrufeshëm çdo lajm. Çdo gjë që hidhet në pazarin e madh të internetit kopjohet pa asnjë hezitim sot. Rezultati ishte se pas 3 vjetësh e mbylla gazetën time online. Nuk i rezistova dot kësaj hajdutërie masive, këtij kaosi, kësaj rrëmuje.

Një shkrim i imi, nëse e kërkoj në “google”, më del sot në të paktën 30 portale e faqe që e kanë publikuar pa më pyetur. Dhe nëse u kërkoj llogari, do më sulen të më shajnë me ç’tu pjellë mendja. Kuptohet, online edhe kjo për t’iu përshtatur lexuesit dhe për të mbijetuar në garën e madhe të like-ve, media online sot poston lajme nga më ordineret. Besoj e mbani mend se si u bë lajm gjithandej, kur një këngëtareje, që s’ia kishim dëgjuar zërin po i pamë vetëm prapanicën, i kishin gjetur dashnorin në dollap. Lajmet me silikonë e dashnore deputetësh pa emra e mbiemra janë sot më të bujshmet në këto media. Perversiteti po derdhet rrugëve, llumi po mbush gjithçka dhe mediat, në vend që të edukojnë shoqërinë, po bien vetë në batakun e llumit të shoqërisë duke i shkuar pas atij.

Unë nuk e di se çfarë përmban ai ligj, por di të them se këtu ka realisht nevojë për të vënë rregull. Jo për të shpëtuar qeverinë nga “përbaltja” pasi sot nuk ka perëndi e jo më qeveri ti mbylle gojën shoqërisë online, por për të shpëtuar vetë median. Rrumpalla në të cilën lundron sot media online nuk po lejon lindjen e një mediaje të vërtetë, serioze dhe të pavarur, për të cilën kemi sa shumë nevojë.
Më erdhi të ulërija pak net më parë kur në një debat televiziv për këtë temë pashë si drejtues mediaje online dikë që ka hapur një faqe dhe paguan me 20 mijë lekë në muaj ca studentë që hapin të gjitha faqet shqiptare e kosovare dhe marrin copy-paste prej tyre çdo gjë. Këto pisllëqe mediake nuk janë media dhe nëse këto mbyllen, jo me urdhër, por duke mos e lejuar të vjedhin produktin e të tjerëve, askush nuk duhet të bërtasë se po mbyllet media e lirë.
Ç’duhet bërë?
Mediat online duhet të licencohen, të regjistrohen brenda të njëjtave rregulla si mediat e tjera dhe ti nënshtrohen rregullave si të tjerat. Të ndëshkohen nëse shpifin kundër dikujt, të ndëshkohen nëse vjedhin produktin e dikujt.

Leave a Reply

Your email address will not be published.