Home / Kryeartikull / Partia Socialiste për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër

Partia Socialiste për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër

Edi Rama, Kryetar i Partise Socialiste te Shqiperise

Edi Rama, Kryetar i Partise Socialiste te Shqiperise

Përshëndetje të gjithëve,

I’a dolëm edhe këtë herë ta bëjmë Kongresin e Socialistëve, një ngjarje tërheqëse. Jo vetëm për njerëzit e shtëpisë sonë apo për fqinjët tanë të mirë të koalicionit, po edhe për krejt mexhelisin politik e mediatik të Shqipërisë.

Në këtë shtëpi ka një shumicë shumë të gjerë, e cila nga ky kongres pret piketat për vazhdimin e rrugës së re që kemi nisur të ndërtojmë së bashku. Për Shqipërinë dhe Partinë Socialiste po ashtu.

Ka edhe një pakicë shumë të vogël, e cila nga ky kongres pret të gjejë se si do i bëhet hallit statutor të mandatit tim, që sot këtu jam sipas saj, i pazgjedhur – do të diskutojmë hapur sot edhe për këtë, në pjesën e tretë të Kongresit.

Po jo vetëm kaq, ka në këtë kongres opinione të ndryshme nga çdo anë e rresht, edhe mbi gjëra të tjera me rëndësi ose me më pak rëndësi. Për përmirësimin e qeverisjes së vendit. Ritmin e reformave në sektorë të ndryshëm. Nevojën e fuqizimit të lidhjeve mes kabinetit qeveritar, grupit të deputetëve, të zgjedhurve tanë vendorë dhe anëtarësisë sonë. Vetë reformimin e mëtejshëm të partisë. Zhvillimin e kushteve për të përforcuar karakterin demokratik dhe natyrën reformistë të Partisë Socialiste, si një forcë moderne e të majtës së re europiane. Rritjen e kapacitetit tonë monitorues mbi cilësinë e funksionimit të institucioneve qendrore në territor. Përmirësimin e ndërveprimit në koalicion me partnerët tanë, jo vetëm në qendër po sidomos në bazë. Thellimin e transparencës me publikun në çdo vendimmarrje. Zgjerimin e rrugëve të komunikimit të partisë e të qeverisë me qytetarët. Rritjen e mëtejshme të anëtarësisë dhe krijimin e një sistemi efikas informacioni të brendshëm, për të siguruar bashkëveprimin sistematik mes të gjithave niveleve të organizatës sonë, nga anëtari deri tek kryetari i partisë.

Ndërsa jashtë kësaj shtëpie ka plot forca e njerëz, që presin me interes të madh se ç’do të ndodhë në këtë kongres!

Shumë prej tyre, dihet, urojnë që të na ndodhë sot ndonjë gjë e ububushme (qoftë edhe të paktën përmbysja e një gote uji, për ta kthyer në lajmin e përmbysjes së anijes sonë). Por fatkeqësisht për ta, do të zhgënjehen përsëri.

Nga ky kongres ne do të dalim edhe më të gatshëm për t’u përmirësuar, duke ecur vendsomërisht drejt, në drejtimin e duhur; edhe më të bindur e të karikuar për t’i çuar përpara reformat tona në drejtimin e duhur; edhe më të motivuar për ta rritur numerikisht, zgjeruar shoqërisht dhe fuqizuar moralisht e politikisht forcën udhëheqëse të vendit në drejtimin e duhur: Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Po s’ka rëndësi këtu se sa e si do të zhgënjehen ata që s’na duan, rëndësi ka që edhe ata sot e kanë të gjithë vëmendjen tek ky kongres.

Prandaj, me kënaqësinë e të qenit të gjithë bashkë, pjesë e të vetmes organizatë politike (ose edhe jopolitike) në Shqipëri, që arrin ta bëjë interesant për të gjithë dhe jo vetëm për njerëzit e saj një mbledhje të vetën, le t’i kushtojmë një duartrokitje të merituar Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Një duartrokitje e merituar për çdo socialist e socialiste që nuk është këtu me ne, po është pjesë e kësaj partie të madhe në emër. Të madhe në numër. Të madhe në aspirata.

Një duartrokitje e merituar për ata që i dhanë, qysh në krye të herës kësaj partie, karakterin e pakonkurueshëm demokratik.

Njëri ndër ta, miku i çmuar dhe bashkëpunëtori im më i afërt që nga dita ime e parë si lideri juaj, Gramoz Ruçi, mes plot të tjerash, më ka dhënë gjithnjë një këshillë:

Kujdes kur lëvdon me emra, sepse hatërmbetja e atij që i’a harron emrin, nuk e vlen gëzimin e atyre që u’a përmend emrin!

Por po t’ia kisha dëgjuar tërë këshillat mikut tim, do isha bërë edhe unë një burrë po aq i urtë sa ai. E s’do e mbaja deri sot e mot në krah të djathtë, për të ndihmuar të gaboj sa më pak dhe për të më numëruar gabimet e mia.

Aq më pak mund ta dëgjoj sot këshillën e Gramozit, kur kam privilegjin e jashtëzakonshëm të mbaj fjalën e liderit të partisë më të madhe të shqiptarëve, në një kongres që përkon me vitin e përvjetorit të njëzetepestë të krijimit të saj.

Prandaj edhe po të doja i dashur Gramoz, sot nuk më lejohet të mos falenderoj me emër, ty të parin!

Përveç shumë të tjerash për dy gjëra.

Së pari, faleminderit sepse ke qenë gjithnjë në anën e duhur të historisë së kësaj partie, duke mbrojtur e ushqyer karakterin demokratik të saj. Dhe së dyti, faleminderit sepse ke ditur gjithnjë të jesh për mua, një mbështetje shumë inkurajuese në momentet më të vështira dhe një gjykatës mjaft i rreptë në momentet më të mira.

Nuk mundem po ashtu, të mos i bëj sot një falenderim në distancë nga ky kongres, që përkon me një përvjetor jubilar të partisë sonë, edhe parardhësit tim, liderit të parë të kësaj partie, Fatos Nanos. Dëshiroj të na bashkohet kur të vijë dita e kremtimeve të 25 – vjetorit dhe uroj të gjej deri atë ditë, fjalët e duhura për kontributin e lidershipit të tij në forcimin e karakterit demokratik të Partisë Socialiste. Çfarë na ka ndarë me të, nuk e ndan dot më dysh historinë e kësaj partie dhe as nuk i bën më pak të rëndësishme, për këtë histori të përbashkët, dritëhijet e lidershipit të Fatosit.

Dua të falenderoj po ashtu në distancë edhe Dritëroin. Jam i bindur se i pamundur për të qenë fizikisht këtu, me ne, dhe për të na shpotitur dashamirësisht si gjithnjë prej njëzet e pesë vjetësh, ai po na ndjek nga ekrani prej ku ju lutem ta përshëndesim me një duartrokitje.

Një falenderim i përzemërt për të gjithë brezin e ri të veteranëve të pranishëm ose jo në sallë; nga Profesor Serveti, i papërtuar në ndihmën që na jep, tek Pandi Majko i pakonkurueshëm në befasitë e tij; nga Namiku që di të inatoset pa mbajtur inat, tek Erjon Braçe që për inat të të gjithëve është socialisti më i paepur; nga Arta që nuk njeh perëndim tek Bashkim Fino që nuk njeh zili… E me radhë tek Ylli, Et’hemi, Profesor Rexhepi, Ndreja, Petro, Luani, Maqo, Ilir Zela e të tjerët…

Dua të falenderoj për praninë e tij këtu, po edhe për rolin e tij kyç, në ribashkimin e familjes së madhe socialiste e progresiste të Shqipërisë, bashkëkryetarin e Aleancës për Shqipërinë Europiane, Ilir Metën.

Meqë ky është një moment evokimesh, nuk kemi vetëm kujtime të mira mes nesh. Dy pjesët e kësaj familjeje të ribashkuar, nuk janë ende plotësisht të çliruara nga pesha e të kaluarës. Por kam bindjen se pakrahasimisht më e madh se sa barra e gabimeve tona të së shkuarës, është vlera e ribashkimit tonë, që e ktheu Shqipërinë në drejtimin e duhur dhe i dha qeverisjes së vendit një energji të pashembullt reformuese, për këtë vend e për familjen e të majtës shqiptare,.

I jam gjithashtu shumë mirënjohës, mikut të vjetër të Shqipërisë dhe të socialistëve shqiptarë, Massimo D’Alema. Për mundimin që mori për të ndarë sot me kongresin tonë, ditën dhe mendimet e tij si gjithnjë të thella mbi politikën e fuqinë e saj për të bërë mirë.

Grazie caro Presidente!

Mirënjohje e veçantë për një tjetër mik të afërt të rrugëtimit tonë, qysh prej ditëve të vështira opozitare të protestave për lirinë e zgjedhjeve, Presidenti i Partisë së Socialistëve Europianë, Sergei Stanishev.

Thank You Sergei to be here ëith us today!

Askush nuk do ta zëvendësonte dot në mungesë, mikun e dashur dhe njërin ndër nxitësit më të vendosur të ribashkimit të familjes së madhe të socialistëve të Shqipërisë, kryetarin e grupit socialist në Parlamentin Europian dhe zëvendës Presidentin e atij parlamenti, Gianni Pittela.

Grazie di cuore carissimmo Gianni!

Faleminderit kryetarit të socialistëve rumunë po ashtu.

Mulcumesk dragë Liviu!

E në fund, po kurrësesi jo për nga rëndësia, dua t’u uroj vëllazërisht mirëseardhjen, të gjithë përfaqësuesve të partive shqiptare jashtë Shqipërisë. Nuk e veçoj për arsye të simpatisë së veçantë personale (të cilën jo se dua ta fsheh), po sepse protokolli e do që si kryetar të pranishëm, ta përshëndes nominalisht liderin e Vetëvendosjes, mikun tonë Albin Kurti.

E çmojmë shumë ardhjen tuaj nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi në Kongresin tonë.

Ashtu siç çmojmë padyshim edhe praninë e të gjithë partnerëve të tjerë të Aleancës për Shqipërinë Europiane në këtë kongres.

Ju faleminderit shumë të gjithëve për praninë! Shpresoj që kongresi ynë t’ia vlejë rrugës që keni bërë për të na u bashkuar sot.

Të dashur delegatë dhe delegate,

Ky kongres na mbledh pas një cope të mirë rruge të përbashkët, nën dritën e fitoreve të 23 qershorit 2013 dhe 21 qershorit 2015.

E para ishte fitorja që na dha mundësinë dhe detyrën historike, të kthejmë Shqipërinë në drejtimin e duhur.

E dyta ishte fitorja që na dha aprovimin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, për drejtimin që i kemi dhënë vendit me vizion, kurajo e vendosmëri.

Por tanimë, sado të mëdha, janë të dyja fitore që i përkasin të djeshmes dhe historisë së partisë sonë.

Ne sot takohemi, me mundësinë për një reflektim të esëllt e të pjekur, në emër të së nesërmes. Për historinë që duam të bëjmë më tej së bashku në shërbim të vendit tonë; duke përfituar nga eksperienca e vyer e këtyre 30 muajve në qeverisje dhe duke ndjekur me energjinë e ditës së parë në qeveri, ëndrrën e Shqipërisë Europiane.

Pesha e përgjegjësisë së qeverisjes na bën përditë e më të vetëdijshëm, për vështirësinë e sfidës kolosale që kemi marrë përsipër; të rilindim Shqipërinë duke hapur një rrugë të re.

Rruga e re që po hapim për Shqipërinë është në ndërtim e sipër. Kantieret e reformave janë në punë. Por punët janë larg së qeni pa difekte dhe aq më pak të përfunduara.

E përpjeta që duhet të ngjisim është ende shumë e lartë dhe çdo ditë e jo më e lehtë, po më e vështirë.

Nëse kthejmë kokën pas, tek Shqipëria që morën në dorë kur fituam zgjedhjet, kemi bërë kaq shumë gjëra. Me të cilat mund të ndjehemi vërtet shumë krenarë.

Por nëse e hedhim vështrimin rreth e rrotull, ka kaq shumë gjëra që nuk shkojnë. Për të cilat duhet të ulim kokën dhe të vazhdojmë punën me një përkushtim edhe më të madh. Jo për të rifituar zgjedhjet e tjera, kjo natyrisht as që vihet në diskutim. Po për të fituar sfidën kolosale për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.

Ne jemi krenarë që shpëtuam vendin nga kolapsi financiar dhe energjitik, që e kërcënonte Shqipërinë në vjeshtën e vitit 2013. Ndaluam hemorragjinë paralizuese të borxheve të dala nga kontrolli. Vumë rregull në librat e llogarive të rrëmujshme të shtetit. Nxorrëm kompanitë nga paraliza e krijuar prej mospagesave të plot 720 milionë dollarëve, për punë e shërbime të kryera për shtetin. Kthyem vendin në rrugën e rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Sot përpiqemi që 2016-ta të jetë viti i rritjes me 3.4%, ndërkohë që dy vjet e gjysëm më parë rritja kishte ngecur mes zeros e njëshit. Arritëm ta bëjmë vitin 2016 vitin e parë qëkur s’mbahet mend me defiçit primar pozitiv. I’a dolëm të hapim pas shumë vitesh, rrugën e uljes graduale të borxhit publik. Vërtet morëm borxh 1.6 miliardë dollarë, po deri tani kemi larë 2.2 miliardë dollarë. Sikur të mos na duhej të merrnim borxh për të shlyer mospagesat e qeverisë së vjetër, sot borxhi publik i Shqipërisë do të ishte ulur drastikisht, në 65% presje diçka.

Një ekonomiste e njohur ndërkombëtarisht, na tha gjatë vitit 2014, diçka që vlen të sillet në vëmendje sot këtu.

“Qeveritë gjykohen nga njerëzit për gjërat që bëjnë apo për mënyrën se si reagojnë ndaj gjërave që ndodhin. Ndërsa nga ekonomistët, ato gjykohen edhe për sa dhe si i ndalojnë gjërat e këqia të ndodhin. Ju keni bërë disa gjëra shumë të mira për ekonominë e për financat. Mund të bëni edhe plot të tjera akoma. Por ajo çka keni bërë në fundin e vitit 2013, duke njohur borxhin real, nënshkruar marrëveshjen me FMN-në dhe parandaluar tërmetin e pritshëm financiar që do ta bënte të pamundur pagesën normale të rrogave e të pensioneve, është padiskutim një arritje madhore e qeverisë suaj”.

Natyrisht që është. Ashtu siç është vendosja e rendit të përgjegjshmërisë mbi financat e vendit, pas një periudhe papërgjegjshmërie kërcënuese për stabilitetin ekonomik e financiar të Shqipërisë. Ashtu siç është lehtësimi i barrës së taksës mbi fitimin, për 97% të shqiptarëve që jetojnë me një rrogë deri në 1.3 milionë lekë. Ashtu siç është për këtë fashë, edhe kursimi mesatar prej 270 mijë lekësh, që i kemi siguruar me taksimin e ndershëm, çdo rrogëtari në shtet ose privat. Ashtu siç është kursimi 70 milionë dollarë për ekonominë e familjeve shqiptare, nga heqja e taksës së ilaçeve dhe ulja 30% e çmimit të tyre në treg. Ashtu siç është taksa zero mbi fitimin, për 83.500 familje që jetojnë me një biznes të vogël, apo përgjysmimi në 5% i kësaj takse, për 19.300 biznese të tjera të vogla, të cilat kanë një xhiro vjetore mbi 80 milionë lekë. Ashtu siç është rritja me 33%, ose 45 mijë më shumë se dy vjet më parë, e bizneseve të vogla e të mesme në regjistrin e shtetit. Ashtu siç është rritja reale e rrogave mesatare e të ulëta, me mesatarisht 7.5%.

Apo siç janë gjithashtu edhe rritja nga dy, deri afro trefish, e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë; pagesa reale e kësteve të detyrimit ndaj të burgosurve politikë, në rrugën drejt realizimit të objektivit tonë moral, që brenda këtij mandati të mos mbetet më asnjë prej atyre që janë ende gjallë, pa e marrë të plotë të gjithë dëmshpërblimin e zvarritur njëzet e kusur vjet, për kalvarin e ferrit komunist; zgjidhja e nyjes torturuese për ushtarakët e liruar që u nëpërkëmbën e poshtëruan poshtërsisht nga qeveria e vjetër; rritja e konsiderueshme e fondit të kompensimit financiar të pronarëve në dy vitet e fundit buxhetore apo vetë reforma e pronës.

Ne jemi krenarë për të gjitha këto e të tjera akoma. Kjo nuk do të thotë se ndjehemi të çliruar, nga barra e detyrimeve tona qeverisëse ndaj shtresës së mesme dhe më të varfërve.

Aspak!

Jemi thellësisht të vetëdijshëm se të gjitha këto, nuk janë fundi po vetëm fillimi i mbarë i përmbushjes së detyrimeve tona për ta. Por jemi krenarë sepse, të gjitha këto e plot të tjera akoma, janë stacione të arritura programore në një rrugë qe e kemi përshkuar duke ecur vendosmërisht, kundër një ere shumë të fortë. Kemi ecur për tridhjetë muaj rresht me erën kundër, në një mjedis të brendshëm e të jashtëm ekonomik e financiar, krejt të pafavorshëm. Po të hedhim vështrimin rreth e rrotull në rajon, ku qeveritë operojnë në një mjedis shumë të ngjashëm, atëherë bëhet fare e qartë se çka kemi bërë deri këtu, është një arsye e fortë për të qenë të inkurajuar e besimplotë tek aftësia jonë qeverisëse. Ama aspak të vetëkënaqur!

Plotësisht të vetëdijshëm se duhet të vazhdojmë përpara me kokën ulur. Sepse shqiptarët presin dhe meritojnë më shumë. Ata që kanë marrë pak ose aspak nga kjo kthesë e ekonomisë, janë ende shumë. Ata që janë të shqetësuar dhe ngrenë ankesa apo pyetje të cilat shprehin padurim, janë edhe më shumë. Ata janë në të drejtën e tyre. Ndërsa ne s’kemi të drejtë të ankohemi për padurimin e tyre.

Ne kemi vetëm detyrën t’u jemi atyre besnikë në zbatimin me këmbëngulje të programit tonë. Të mbajmë shënim çdo pakënaqësi të tyren. T’u japim ndershmërisht çdo shpjegim të nevojshëm. Për atë që kemi bërë deri sot. Për atë që po bëjmë sot. Për atë që s’mund ta bëjmë sot, po do ta bëjmë me siguri nesër.

E di fort mirë që s’është e lehtë. Ka shumë baltë përditë dhe çdo mbrëmje në rrugët e komunikimit publik. Akuza, shpifje, denoncime; të cilat makineritë e baltës i prodhojnë dhe shumëfishojnë nga të katër anët. Na qëllon ta ndjejmë nganjëherë baltën të na përzihet me gjakun, duke na rrëzuar të gjithë kufijtë e durimit. Por kjo është një sfidë më vete, brenda sfidës së madhe. Një sfidë që duhet ta fitojmë në radhë të parë me veten dhe për hir të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Të cilëve duhet t’ua kursejmë kohën dhe pjesëmarrjen tonë në shfaqjen e shëmtuar të politikës së ulët.

Eshtë koha të reflektojmë dhe reagojmë pozitivisht. Të dalim përfundimisht nga lëkura e vjetër e opozitarit, kur ballafaqohemi me qeverinë e vjetër. Ata kanë ikur dhe largohen përditë nga dita e rikthimit në detyrën, që për të paktën pesë vjet të tjera do ta kemi ne. Largohen përditë, sepse kanë mbetur aty ku ranë në 23 qershor të 2013-ës, ndërkohë që koha fluturon përpara. Dhe nga aty, qeveri e rënë në baltën e saj, përpiqen me këmbë e me duar, të na baltosin sa më shumë e të na tërheqin mbrapsht, në të shkuarën.

Ata nuk bënë dot opozita që i duhet dhe kaq shumë i mungon sot vendit.

S’kanë asnjë vizion, po kanë gjithë atë mllef për të ushqyer fanatikët e tyre. S’kanë asnjë program as në kokë e jo më në letër, po kanë të gjithë kurajon e paturpësisë për të na qëlluar përditë, me baltën e shpifjeve e të gënjeshtrave të tyre bajate. S’kanë madje as kokë, po kanë të gjithë forcën e verbër të një të mbyturi dhe kërkojnë të na mbysin në llumin e dëshpërimit të tyre.

Shpeshherë i’a dalin të na përfshijnë, duke na tërhequr poshtë në atë llumë dhe në atë rast jemi ne, që s’ia dalim të qëndrojmë gjithnjë lart; aty ku janë problemet reale të vendit dhe hallet e vërteta të njerëzve.

E përsëris, e di që s’është aspak e lehtë, dhe s’duhet ta merrni si kritikë ndaj jush faktin që biem rëndom në nivelin e tyre të ulët, po si kërkesë për reflektim. Sepse unë s’jam as njeriu i duhur për t’ju kritikuar për këtë dobësi, që e kam mbase më të theksuar se të gjithë ju. Por duhet ta marrim seriozisht përsipër këtë korrigjim të rrugës sonë të komunikimit.

Të merremi shumë më tepër me njerëzit që përfaqësojmë, e shumë më pak me ata që përfaqësojnë të shkuarën. Asnjë merak mos kini, shumica vendimtare e shqiptarëve nuk kanë nevojë për ne, që të mos harrojnë se ç’mallkim ishte për ta Saliu; u’a kujton Saliu më mirë se çdokush tjetër çdo të enjte në Kuvendin e Shqipërisë.

Eshtë bërë e rëndomtë tanimë të baltosemi, duke u akuzuar për plagët që akuzuesit tanë i shkaktuan. Ndërsa ne thjesht nuk i kemi kuruar dot sa do të donim, në kohën kaq të shkurtër që kemi pasur në dispozicion, për plagë aq të thella. Por kjo meriton një reagim të thelluar, të duruar e të vazhduar.

Sepse drejtimi i gishtit të kundërakuzës ushqen politikën e baltës, nuk plotëson

nevojën për mirëkuptim reciprok me njerëzit. Ata nga ne duan përkushtim, punë, zgjidhje. Më shumë dashuri e modesti dhe vazhdimisht shpjegime të ndershme e të qarta.

Atyre duhet të drejtohemi me të gjithë forcën e sinqeritetit e t’u shpjegohemi duke e nisur me një pyetje të thjeshtë:

Si mund të kuronim ne mjaftueshëm varfërinë, papunësinë, korrupsionin apo prapambetjen në tërësi, në vetëm dy vjet e gjysëm qeverisje?

Eshtë një kohë që e kemi përdorur intensivisht për të nisur operacione aspak të lehta reformash. Në çdo sektor. Për t’i dhënë fund humbjes së kohës shqiptare, duke i’a hedhur njëri – tjetrit. Pa shtet. Pa ligjshmëri. Pa zhvillim të qëndrueshëm në asnjë sektor të jetës së vendit.

Po si mund të vinim ne në vetëm dy vjet e gjysëm drejtësinë që ata aspirojnë dhe meritojnë, përmes një reforme që kërkon kaq shumë punë për t’u konceptuar, kaq shumë durim për t’u miratuar dhe kaq shumë kohë për t’u zbatuar?

Ne e kemi nisur punën për këtë reformë qysh ditën e parë. Kemi bërë një progres, që s’është bërë asnjëherë më parë drejt përmbysjes së sistemit të kalbur të drejtësisë dhe spastrimit të gjyqtarëve e të prokurorëve të korruptuar nga sistemi. Kemi siguruar një mbështetje teknike dhe politike si asnjëherë më parë për ta kaluar këtë reformë.

Dhe ndërkohë nuk kemi bërë vetëm kaq, po kemi nisur të ndërtojmë një raport të ri të qeverisjes me atë që është e drejtë. Nuk diskutohet që mund të kemi bërë më shumë gabime se sa ato që i numërojmë vetes me një sens të vërtetë vetëkritik. Po jemi krenarë sepse nuk diskutohet që s’kemi bërë ansjë padrejtësi të qëllimshme, në dëm të interesave kombëtare dhe të këtij populli.

S’kemi shitur ndonjë copë territory Shqipërie për ndonjë përfitim mizerabël politik; s’kemi marrë në qafë familje të tëra e jetë fëmijësh, për t’u pasuruar duke shitur municione në kundërshtim me çdo ligj e rregull të shtetit; s’kemi nxjerrë armët për të derdhur fishekë luftarakë kundër protestuesve; s’kemi grabitur me vendime seriale kolegjiale qeverie pasurinë kombëtare dhe s’kemi dhënë koncesione për të pasuruar me paratë e qytetarëve, kompani të dyshimta private; s’kemi shkatërruar nervat dhe planet e sipërmarrjes private me padrejtësira për t’u hakmarrë politikisht apo majmur financiarisht; s’kemi cënuar për shkak të linjës

editoriale asnjë kanal informimi të publikut dhe s’kemi tharë asnjë kënetë mediatike, duke abuzuar me pushtetin për të tkurrur fuqitë financiare të pronarëve të medias; apo s’kemi harxhuar treçerekun e kohës për të qeverisur, duke bërë mitingje në sallën e këshillit të ministrave kundër opozitës dhe duke rreshtuar çupërlina në dyert e ministrive për të recituar përditë fletërrufera vulgare në adresë të opozitës.

S’e kemi bërë betejën kundër korrupsionit, një luftë ku tanët janë ëngjëjt dhe kundërshtarët janë djajtë. As semaforët nuk i kemi ndarë në të kuq për njerëzit pa lidhje me pushtetin dhe në jeshilë për njerëzit e veshur me pushtet. Eshtë në dukje simbolike, po është në thelb shumë domethënëse, që këta kanë qenë 30 muajt e parë në 25 vjet, ku ministrat e deputetët e çdo ngjyre, lëre pastaj të tjerët, janë gjobitur për shkelje të rregullave të qarkullimit.

Sepse ne besojmë që nuk mund të ketë drejtësi në sistemin e drejtësisë, në një vend ku qeveria bën padrejtësira të qëllimshme.

Të flasim hapur me njerëzit, ata kuptojnë më shumë e më shpejt se sa elitat e konsumuara në tunelet e interesave.

Si mund të ndalnim ne ata që zgjodhën të provojnë fatin e tyre duke ikur drejt Gjermanisë, nga zona të varfëruara deri në kockë për njëzet e kusur vjet me radhë?

Ja pra, ashtu siç e kam thënë qysh në krye të herës, vala e largimeve drejt Gjermanisë, që shpërtheu vitin e shkuar si epidemi, për disa shkaqe specifike të cilat i kemi shpjeguar, ka rënë shumë ndjeshëm.

Po kjo s’do të thotë aspak se në harkun e një viti varfëria këtu, ra proporcionalisht me valën e ikjeve atje. Ashtu sikundër e gjithë kjo histori nuk ka asnjë lidhje me dy vjet e gjysëm të qeverisjes sonë, siç nuk ka asnjë lidhje me këto dy vjet e gjysëm, trashëgimia e rëndë e varfërisë, papunësisë, korrupsionit dhe prapambetjes tërësore e me radhë… Lëre pastaj se ç’lidhje ka qeveria e vjetër që proteston kundër kësaj trashëgimie, bashkë me një lukuni interesash të cënuara financiarisht; të interesuarish të keqkuptuar konceptualisht; dhe interesaxhinjsh të lënduar personalisht.

Dhe, nga ana tjetër, si mund t’i qëndronim ne besnikë zgjedhësve, programit tonë, fëmijëve tanë, nëse nuk adresonim me reforma reale natyrën kronike të kësaj trashëgimie të rëndë?

Plagët e një trashëgimie si kjo, nuk kurohen as me demagogji në emër të më të varfërve dhe me lëmosha që vetëm riciklojnë varfërinë. As duke marrë borxh të ardhmen e gjeneratës tjetër, për të financuar mbijetesën e qeverisë me asfalt elektoral. As duke i shtyrë për nesër reformat që duhen bërë sot. Të cilat u shtynë pafundësisht me vite e vite të tëra.

U shtynë duke i shtyrë njerëzit dhe vendin, thellë e më thellë, në drejtimin e gabuar. Thellë e më thellë në investime të gabuara, si ato të Lanës e të ndërtimeve pa leje mbi rrugë, trotuare, kolektorë, rërë, lumenj, kanale vaditëse, monumente kulture, parqe, oborre shkollash, kopshtesh, çerdhesh, spitalesh; si ato të dhjetëra mijëra prindërve për studimet e fëmijëve, nëpër piramida universitare, që thithën qindra miliona euro dhe krijuan një

ushtri të papunësh me diploma pa asnjë vlerë; si ato të qindra e qindra komunave, që u mbajtën me paratë e popullit, njëzet e kusur vjet, dhe ajo që bënë në shërbim të njerëzve në krahasim me atë që shkatërruan e ngatërruan, është një pikë uji në det.

Ndalimi i epidemisë njëzetvjecare të ndërtimeve pa leje. Shembja e piramidave universitare. Reduktimi drastik i numrit të komunave. Parafytyrojeni të mos ishin shtyrë kaq gjatë dhe të kishin ndodhur jo dy vjetët e fundit po pesë, dhjetë, njëzet vjet më parë. Sa shumë dëme do ishin shmangur. Sa shumë para do ishin përdorur në drejtimin e duhur. Sa shumë punë do ishin bërë me gjithë ato para.

Po duhet thënë që jemi një shumicë qeverisëse e privilegjuar, sepse në popull ka shumicë dërrmuese që i mbështet reformat me shumë më tepër bindje e vendosmëri, se sa treçereku i përfaqësuesve tanë në kuvend dhe se sa treçereku i vetë qeverisë. Sepse inercia e politikës së vjetër, “shtyje ta shtyjmë se s’është momenti”, ka mpirë prej vitesh shqisat e shumicës së atyre që janë në vijën e parë, si përfaqësues të popullit. Po jo shqisat e vetë popullit. Përkundrazi. Njerëzit e zakonshëm e ndjejnë më së miri se nga është drejtimi i duhur. E kuptojnë se farsa e pambarimtë, e të ecurit përpara duke i’a hedhur njëri – tjetrit, është fatkeqësia e familjeve të tyre dhe e gjeneratave të reja. E kanë të provuar në kurrizin e tyre, se politika e lëmoshave sociale riciklon varfërinë. Politika e shkeljes së syrit që medemek toleron shkeljet e ligjit, për të mbrojtur më të dobëtit, jo vetëm nuk i bën ata më të fortë, po dobëson gjithë shoqërinë dhe rrënon institucionet. Politika e varfërisë së aspiratave për vendin dhe shoqërinë ku jetojmë, ndalon përmbushjen e rolit që vendi dhe shoqëria kanë, për të rritur rolin dhe mirëqenien e çdo individi.

Varfëria, papunësia, korrupsioni, nuk luftohen si të ishin grip që kalon me të ngrohta. Ato janë një kancer, që luftohet pa pasur frikë nga dhimbjet e terapisë. As nga kohëzgjatja shpeshherë cfilitëse e saj.

Reformat reale kanë dhimbje. Duan kohë. Kërkojnë durim dhe vendosmëri të madhe. Të mos bësh reforma për të mos humbur vota, është një rrugë që e solli vendin në derexhenë e para 30 muajve. Të bësh reforma dhe të marrësh edhe votat, është sigurisht rruga më e vështirë. E pikërisht pse është më e vështirë, nuk e ndërmorrën të tjerë përpara nesh.

Unë sot e kam të patundshme bindjen se ne jo vetëm do të bëjmë reformat, po do të marrim edhe votat. Për të vazhduar të modernizojmë Shqipërinë përmes reformave.

U shty njëzet e kusur vjet reforma e energjisë. Një nga gabimet tona ishte që e shtymë edhe ne këtë reformë, për thuajse një vit. Inercia e frikës nga reagimi negativ i popullit, ishte më e fortë se sa bindja që shqiptarët ishin gati prej kohësh, për një reforme kaq jetike.

Sikur ata që qeverisën përpara nesh, ta kishin ndërmarrë më parë këtë hap jetik, nuk do të kishim humbur aq shumë para sa për 60 vjet investime në shëndetësi; 40 vjet investime në arsim; 30 vjet investime në bujqësi.

Pra sikur të mos e kishim vjedhur apo mospaguar energjinë për njëzet vjet me radhë, sot do të kishim të gjitha spitalet, poliklinat, ambulancat dhe sistemin

shëndetësor që kemi kaq shumë nevojë. Apo të gjitha shkollat, kopshtet, çerdhet e standarteve më të mira, në të gjithë Shqipërinë. Apo të gjithë rrjetin e kanalizimeve e të infrastrukturës mbrojtëse nga përmbytjet në fshat.

Ky është një shembull rrëqethës për se si, shtyrja e një reforme, impakton për keq ose shumë keq fatin e një gjenerate.

Ne jemi krenarë që Shqipëria nuk është më vendi ku energjia vidhet apo nuk paguhet me vite të tëra nga thuajse gjysma e popullsisë. Që shteti nuk paguan më 160 milionë dollarë në vit për të mbushur gropën e vjedhjeve e të mospagesave të energjisë. Që 360 mijë familje debitore firmosën marrëveshje për shlyerjen e borxhit të prapambetur. Që 200 mijë konsumatorëve u kursyem 40 milionë dollarë përmes skemave favorizuese për formalizimin. Që 45 mijë të tjerëve u kthyem të drejtën e mohuar, duke anulluar 15 milionë dollarë fatura abuzive të së shkuarës. Që energjia sot nuk kushton më shumë, po kushton më pak dhe më të varfërve qeveria u paguan 16 milionë dollarë në vit kompensim, për heqjen e fashës mbrojtëse 300kë. Që shlyem 92 milionë dollarë borxhe të qeverisë së vjetër ndaj HEC-eve private. Që kompania e shpërndarjes nga thuajse falimentimi i sigurtë, është kthyer në një kompani që jeton me të ardhurat e veta dhe pas shumë vitesh, u është rikthyer investimeve për përmirësimin e rrjetit, me volume financiare të shumëfishuara në raport me të shkuarën.

Na bën padyshim krenarë fakti që po e lidhim rrjetin e energjisë së Shqipërisë me rajonin. Po e kthejmë vendin tonë nga një shembëlltyrë të dështimit në fushën e administrimit të energjisë, në një treg të hapur energjitik me potencial të madh për një rol kyç në tregun rajonal. Po bëjmë të mundura investime të reja private, të huaja dhe të brendshme në sektorin energjitik, në kuadrin e një qasjeje krejt të re, larg barrave të rrezikshme për shtetin e për taksapaguesit.

Por duhet të ulim kokën dhe të përkushtohemi me të gjithë forcën tonë të brendshme. Duke u fokusuar tek dobësitë dhe objektivat. Sepse shqiptarët paguajnë ende fatura aforfe për energjinë që konsumojnë. Kanë ende probleme të mëdha me cilësinë e furnizimit të energjisë që paguajnë. Ndeshen ende me plot sjellje e praktika të vjetra në shërbimin që u jep kompania.

E mbi të gjitha, njerëzit duan me plot të drejtë ta prekin vetë, jo nga televizori apo përmes informacioneve tona, vlerën e shtuar në investime, të përfshirjes së tyre të jashtëzakonshme dhe jo pak të dhimbshme, në reformën historike të energjisë.

Ne jemi krenarë që e kemi çliruar Shqipërinë nga frika sunduese e 30 muajve më parë.

Kemi çliruar njerëzit që duan të protestojnë për gjithëfarë arsyesh apo mosarsyesh. Që arsyeja legjitime për të ndaluar ardhjen e armëve kimike, deri tek mosarsyeja e shëmtuar për të ndaluar lodrat e fëmijëve në park. Përpara pak ditësh përpara kryeministrisë, gjahtarët protestuan kundër ndalimit të gjuetisë. Vura re se kishte edhe disa zagarë në protestë. Prania e tyre ishte simbolikisht një gjetje e bukur nga ana e protestuesve, po mua më rikujtoi aksiomën e famshme: Kur qeveris e djathta, njerëzit thonë jemi mirë, se ka edhe më keq. Kur qeveris e majta, njerëzit thonë jemi keq, se ka edhe më mirë. Në kohën e qeverisë së vjetër, njerëzia arritën të thonë punë s’ka po jemi mirë, se edhe mund të ishim vrarë në protestë. Ndërsa në këtë kohën tonë, edhe zagarët e gjahut i kërkojnë qeverisë hesap pse janë të papunë!

Përtej shakasë, kjo e punësimit është një fushë ku sado progres të bëjmë, asnjëherë s’do të jetë mjaftueshëm. Po ama kujtdo të më thotë, se në këta dy vjet e gjysëm, është rritur papunësia dhe janë ulur mundësitë për punësim, i them pa asnjë ndrojtje:

Ti s’do apo s’di të bësh asnjë punë tjetër, përveçse të shash qeverinë apo të ankohesh për qeverinë!

Nëse s’do, është zgjedhja jote, vazhdo shaj, në parlament, në gazetë, në rrugë, në kafene, në facebook e ku të duash tjetër! Qeveria as të punëson dot, as të ndalon ta shash mbarë e prapë.

Por nëse s’di, atëherë mos u anko për qeverinë, po merru me psenë.

Këtu nuk flas për rastin gjerësisht të përhapur, të të papunëve që duan të punësohen vetëm në shtet. Mundësisht në doganë, tatime ose në ndonjë inspektoriat shtetëror, ku punohet me gjoba.

Këtu flas për të tjerë, që duan të punojnë po s’dinë asnjë zanat.

A e dini që në Shqipëri ka 26 mijë e disa qindra vende të lira pune, vetëm në zyrat e punës që ne kemi hapur në një sërë qytetesh të vendit? A e dini se në Korçë, për shembull, ka 5000 punëkërkues të regjistruar dhe vende të lira pune të ofruara nga sipërmarrja private në zyrën e punës së Korçës, janë 5600? A e dini se në autostradën Tiranë – Durrës, s’ka një kompani të vetme që nuk kërkon punonjës të rinj?

Sqaroj se nuk po flas për vende pune që paguhen pak, si për shembull në industrinë fason. Për të cilën flasin me përbuzje tridhjetëvjeçarë që preferojnë të konsumojnë kafe, cigare dhe kohë në celular për rrjetet sociale, me paratë e prindërve. Kjo industri mban me punë të ndershme dhjetëra mijëra familje në Shqipëri, ka rritur ndjeshëm eksportet në këta dy vjet e gjysëm dhe po hyn në fazën e re të ciklit të mbyllur të prodhimit Made in Albania. Një fazë e re ku do të ketë paga të konsiderueshme për një sërë profilesh të specializuara. Kjo fazë e avancuar, po shndërrohet hap pas hapi në realitet, edhe falë stimulimit të qenësishëm, që ne i kemi dhënë kësaj industrie me paketën e posaçme të mbështetjes për lehtësirat fiskale, lehtësirat administrative, rritjen e punësimit, si dhe mbrojtjen nga goditja financiare e koncesionit absurd të skanimit.

Vendet e punës për të cilat e kam fjalën, kërkojnë punonjës të kualifikuar, njerëz me zanate të llojeve të ndryshme që fatkeqësisht mungojnë në Shqipëri. Për shembull, vetëm një kompani materialesh për ndriçim publik apo industrial në autostradën Tiranë – Durrës, kërkon 50 punonjës të kualifikuar; tornitorë, elektriçistë, axhustatorë, frezatorë, montues panelesh e me radhë, të cilët nuk i gjen dot.

S’kanë si i gjejnë! Sepse nuk u kujtua askush, në gjithë këto vite tranzicion, të bënte reformën reale në arsim dhe të ndërtonte në rrugën e të rinjve edhe korsinë e arsimit profesional, përveç asaj të universiteteve pa kriter e karar. /

U bëmë një vend qesharak me 8 herë më shumë universitete për 1 milionë banorë, se sa Britania e Madhe. Lejuam ndërtimin e dhjetra piramidave private që jepnin diploma, jo në bazë të meritës, po në këmbim të parave. Vitet e qeverisë së vjetër prodhuan 32 mijë diploma vetëm nga 18 universitetet që qeveria jonë i mbylli, sepse ishin jashtë çdo standarti e kriteri ligjor. Këto universitete, prodhuan në këmbim të parave edhe afro 1000 diploma për studentë italianë; pavarësisht se në aulat e tyre nuk jepej asnjë orë mësimi në italisht dhe ata studentë, në të shumtën e herës, as nuk shkelën fare në Shqipëri.

Prej dy vitesh ka filluar kthesa e madhe në këtë drejtim, falë një reforme tërësore dhe rrënjësore. Theksi i fortë që kemi vënë mbi arsimin profesional dhe lidhja mes shkollës e kompanive, ka nisur të japë rezultatet e para tejet inkurajuese. Por sigurisht që kjo rrugë e re, do të kërkojë kohën e vet, për të arritur në ngushtimin e domosdoshëm të hendekut të madh, mes kërkesës së tregut dhe ofertës së forcave të punës. Ja pra edhe një shembull tjetër, ulëritës, për sesi mungesa e reformave e ndikon për keq fatin e një gjenerate. Një ushtri e tërë të rinjsh të papunë, me diploma pa asnjë vlerë në xhep, viktima fatkeqe të politikës së vjetër dritëshkurtër, e cila nuk pa kurrë dot përtej zgjedhjeve të ardhshme. Një politikë që duke mos menduar as për të ardhmen e të rinjve, as për të ardhmen e kompanive të vendit, pra as për të ardhmen e ekonomisë së vendit, s’bëri asgjë për të kualifikuar forcën e punës në Shqipëri. Nëse kjo reformë e jona, do të ishte ndërmarrë që njëzet vjet më parë, sot do të kishim 200 mijë forca të kualifikuara pune më shumë, në të gjitha zanatet e nevojshme për tregun.

Por sidoqoftë, konkretisht për punësimin, sot kemi vetëm në sektorin jobujqësor, 170 mijë të punësuar më shumë se në fund të vitit 2013. Dhe nëse në fund të vitit 2013, nga totali i të punësuarve në regjistrat e shtetit, 35% i përkisnin sektorit publik dhe 65% sektorit privat, në fund të vitit 2015 ky raport ndryshoi në 23% në sektorin publik dhe 77% në sektorin privat.

Avazi i kukuvajkave se ky s’na qenka punësim, po formalizim, është për t’u mëshiruar. E para sepse punësimi në kuptimin europian të fjalës, është i lidhur me sigurimet shoqërore e shëndetësore dhe jo me skllavërinë e punës në të zezë. Dhe si shumicë qeverisë socialistësh e progresistësh, ne jemi krenarë që në kaq pak kohë, kemi çliruar dhjetëra e dhjetëra mijëra njerëz nga skllavëria e punës në të zezë. Por po ashtu, janë padyshim edhe dhjetëra e dhjetëra mijëra vende pune të krijuara rishtaz.

Ndërsa nëse përfshijmë në këtë temë edhe fshatin, mund të themi me krenari se kemi marrë edhe në drejtim të zhvillimit rural një kthesë të rëndësishme. Kemi braktisur rrugën e bujqësisë së lëmoshave të mbijetesës dhe po hyjmë në një fazë krejt të re zhvillimi të ndërmarrjeve prodhuese në fshat; të rritjes së eksporteve bujqësore si edhe të zgjerimit të sipërfaqes së kultivuar të tokës. Ky vit do të përkojë me impaktin më të fortë të vëmendjes së qeverisë ndaj fshatit, përmes programit më të madh të financuar ndonjëherë për ujitjen e kullimin. Po ashtu këtë vit, do të hyjmë në fazën e shpërndarjes intensive të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Bazuar në eksperiencën e çmuar të legalizimeve falas, të cilat janë një histori e bukur suksesi e qeverisë sonë.

Por duhet të vazhdojmë kokulur betejën kundë papunësisë dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese që kërkon modeli ynë i ri ekonomik. Puna nuk vjen nga qielli. As nga fjalimet e shakaxhinjve të përparimit. Atë e sjell në radhë të parë, nga njëra anë arsimimi cilësor dhe nga ana tjetër fuqizimi i sipërmarrjes së lirë e i lidhjes së partneritetit mes shtetit e privatit.

Frutet e politikave të mira në arsim duan kohë të piqen. Por në këta 30 muaj, ne kemi hedhur bazat e ndryshimit rrënjësor të sistemit arsimor e të cilësisë së arsimit në Shqipëri. Sot nuk ka më një xhungël tekstesh shkollore ku mësuesi, nxënësi e prindi humbisnin njëri – tjetrin. Sot nuk ka më një armatë të tërë mësuesish pa arsimin përkatës, apo jashtë profilit. Sot nuk ka më një shkollë të politizuar në çdo qelizë dhe as hyrje – dalje nga puna të mësuesve, mbi bazën e militantizmit partiak apo korrupsionit.

Ashtu sikundër sot nuk ka më një sipërmarrje të dhunuar nga politika e pushtetit dhe të përdhunuar nga pushteti i politikës.

Kthimi i borxheve të shtetit ndaj sipërmarrjes qysh në fillim të qeverisjes sonë, nuk ishte vetëm një detyrim kontraktor financiar, po një akt moral i qeverisë. Ne jemi zotëruar të qeverisim me forcën e shembullit dhe jo me shembullin e forcës. Për ne qeveria s’mund të kërkojë nga të tjerët të përmbushin detyrimet e tyre, nëse vetë nuk i përmbush detyrimet e saj. Raportin kriminal mes qeverisë dhe biznesit, ne po e kthejmë në një raport të shëndetshëm partneriteti.

Koha kur sipërmarrja duhet të linte 30% deri në 50% të TVSH-së së rimbursueshme rryshfet për të marrë rimbursimin, ka mbaruar. Sot rimbursimi është automatik dhe askush nuk e merr dot jashtë radhe. Koha kur sipërmarrja duhet të paguante mbi taksën e sheshtë 10% një taksë korrupsioni që shkonte mesatarisht në 22%, ka mbaruar. Sot sipërmarrja nuk merret më peng nga administrata tatimore e doganore, me kontrolle abuzive dhe gjoba asfiksuese. Koha kur qeveria kreditonte punët e shërbimet e veta, duke mbajtur forcërisht paratë e sipërmarrjes, ka mbaruar. Sot ne jo vetëm kemi shlyer të gjitha borxhet e qeverisë së vjetër ndaj kompanive, po nuk kemi krijuar asnjë borxh të ri.

Sipërmarrja është krijuesja e pasurisë dhe shëndeti i saj është jetik për suksesin e gjithçkaje ne bëjmë. Ne do të punojmë në partnership gjithënjë e më të ngushtë me sipermarrjen, si një qeveri pro-biznes që ndjek politika aftagjata.

Jemi baltosur shumë nga kundërshtarët e rrugës sonë për disa partneritete publike – private që kemi ndërtuar në funksion të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve për qytetarët. Ne jo vetëm i qëndrojmë fort bindjes në dobinë e këtyre partneriteteve, po do të ndërtojmë sa më shumë të jetë e mundur të tilla bashkëpunime.

Check Up-i falas, hemodializa e mundur në të gjithë territorin, materialet dhe instrumentat e reja mjekësore në dispozicion të spitaleve tona, janë histori të mirëfillta suksesi. Sepse nuk paguajnë qytetarët që të fitojë privati, për një shërbim që i duhet shtetit, siç ndodh me koncesionet e qeverisë së vjetër. Po investon privati, që qytetarët të marrin shërbime shumë më cilësore, pa paguar asnjë qindarkë. Ndërsa shteti shlyen privatin, në një periudhë të arsyeshme kohore.

Shëndetësia është një kantier i hapur reformash e ndryshimesh. Që prej janarit të këtij viti mjeku i familjes është falas. Çmimet e shërbimit në spitale, për personat e pasiguruar që kalojnë përmes mjekut të familjes, janë 6 deri në 8 herë më të ulëta se sa ishin deri në janar të këtij viti. Eshtë bërë thuajse e papërfillshme diferenca mes kujt nuk paguan se është i siguruar dhe kujt vazhdon të paguajë sepse është i pasiguruar. Por nëse shumë njerëz mendojnë se shëndetësia është ende shumë larg së qeni e rilindur, ne mendojmë se kanë të drejtë. Duhet ende shumë punë me kokën ulur, këmbëngulje dhe durim, për ta ndryshuar faqen e një sektori të shkatërruar deri në qelizë, për njëzet e kusur vite me radhë.

Nuk ka qenë më e lehtë, po ka qenë më e shpejtë rruga e rilindjes së Policisë së Shtetit. Kur takoheshim me njerëzit në fushatën e vitit 2013, kryefjala e shqetësimeve të tyre ishte kriminaliteti i dalë jashtë çdo kontrolli. Sot policia është në krye të pëlqyeshmërisë së njerëzve për punën tridhjetë mujore të qeverisë sonë. Po edhe policia është larg së qeni mishërimi i ambicies sonë. Nuk na mjafton një polici kaq e ndryshme nga ajo që kishim deri para dy vjetësh e gjysëm. Na duhet një polici shumë e ngjashme me çdo polici të mirë të Bashkimit Europian. Dhe jam i bindur, do ta bëjmë.

Kush ka bërë një sukses në jetë (qoftë edhe duke ndërtuar një shtëpi pa leje në rrethinat e qytetit), e di fort mirë se suksesi nuk vjen pa një mundim të vërtetë dhe pa një vendosmëri të madhe. S’kam asnjë dyshim se njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, do të vazhdojnë të na besojnë dhe të na mbështesin, me kusht që ta ndjejnë në çdo hap mundimin tonë të vërtetë dhe të na shohin të vendosur në rrugën e suksesit për Shqipërinë.

Mund të vazhdoja e të vazhdoja edhe shumë më gjatë se zakonisht. Sepse na takon të jemi krenarë për shumëçka kemi bërë. Jo të vetëkënaqur. Asnjëherë rehat me veten. Por krenarë sepse themelet e së ardhmes që po hedhim përmes reformave, po zënë vend. Po ky është momenti për t’u ndalur me listën e gjatë të atyre që kemi bërë deri këtu.

Eshtë koha të hapim një Dialog të Ri me Shqipërinë.

Njerëzit ndjekin parlamentin. Shohin lajmet. Lexojnë faqet online dhe bredhin në rrjetet sociale. Na dëgjojnë neve nga televizori dhe shpeshherë mendojnë me të drejtë, se ne jetojmë në një botë tjetër. Të ndarë prej tyre. Qeveria e vjetër me avazin e me Saliun e saj. Ne me punët, shifrat, statistikat tona.

Eshtë koha që kjo forcë e madhe, që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë, e rritur me 34 mijë anëtarë e anëtare të reja në këta gjashtë muaj të fundit hapjeje në çdo komunitet; e reformuar në strukturën sociale të organizatës bazë të saj në çdo qendër votimi; e ripërtërirë përgjatë këtij procesi ndërveprimesh intensive fshat më fshat, qytet më qytet, qark më qark, të hyjë në një Dialog të Ri me Shqipërinë. Një dialog që duhet ta përgatisim mesveti, e pastaj ta zhvillojmë me njerëzit që na rrethojnë dhe presin akoma shumë prej nesh.

Një dialog për të kapërcyer mjegullën që përhapin mes nesh dhe njerëzve që na rrethojnë, kundërshtarët tanë të të gjitha llojeve. Një dialog për të komunikuar të vërtetat tona dhe për t’u ballafaquar me dobësitë tona.

Për të shpjeguar papushim se ky i yni është një mision me një qëllim të lartë; që Shqipëria e nesërme të jetë e fortë dhe e mirëqenë. E fortë duke u bërë e drejtë dhe e mirëqenë duke u bërë e aftë të shfrytëzojë më së miri, të gjitha burimet e saj natyrore e njerëzore.

Një dialog për të dëgjuar nga njerëzit të vërtetat e tyre. Gjykimet e tyre për punën tonë. Pritshmëritë e tyre prej nesh në vijim. Dhe për të shpjeguar me durim, jo vetëm çfarë kemi bërë, po pse duhet t’i thellojmë reformat dhe ku do të arrimë konkretisht përmes tyre. Në çdo sektor.

Një dialog për të ndarë me njerëzit, bindjen tonë se testi historik për forcën udhëheqëse të partisë sonë në qeverisje në këtë fazë të jetës së vendit, është të përcaktojë jo fitoren e radhës në zgjedhjet e radhës, po fatin e Shqipërisë së gjeneratës tjetër.

Një komunikim me zemër të hapur, duke e parë bashkë me njerëzit rreth nesh Shqipërinë, jo vetëm me sytë tanë, po edhe me sytë e fëmijëve që rriten sot për të jetuar si të rritur në Shqipërinë e nesërme.

Një dialog për të forcuar lidhjet shpirtërore me njëri – tjetrin, nga maja e këtij kongresi të sapozgjedhur, deri tek çdo anëtar e anëtare e kësaj partie në cepat më të largët të Shqipërisë. Dhe përmes tyre tek çdo shqiptar e shqiptare që pret më shumë prej nesh.

Një komunikim i gjerë, për të riparë një e nga një, çdo faqe të programit tonë qeverisës për këtë mandat, dhe për të shkruar bashkë me njerëzit programin e ri, për mandatin e ri për Shqipërinë e re.

Ju propozoj ta quajmë provizorisht Shqipëria, Axhenda 2025.

Të gjithë ne duam për fëmijët tanë një Shqipëri si ajo që njerëzit e zakonshëm duan për fëmijët e tyre. Le të flasim me ta për këtë, kudo në Shqipëri.

Për një Shqipëri ku fëmijët të rriten me ndjenjën e krenarisë. Për një Shqipëri, ku ata të mund të mësojnë e luajnë së bashku në çdo shkollë qendër komunitare dhe të dalin nga dyert e shkollës të gatshëm për të zhvilluar potencialin e tyre.

Për një Shqipëri ku harmonia fetare të mos cënohet, bashkëjetesa qytetare të zhvillohet cilësisht, mirëqenia të rritet proporcionalisht, drejtësia të mos shitet e blihet po të jetë e garantuar për çdo anëtar të bashkësisë sonë. Për një Shqipëri lider në rrugën e paqes e të bashkëpunimit rajonal dhe anëtare me të drejta të plota në familjen e Europës së Bashkuar.

Kemi një objektiv të afërt: Të bëhemi 150 mijë në ditën e lindjes së partisë sonë. Gjashtë muajt e fundit na mësuan se është e mundur. Tre muajt që kemi përpara duhet të tregojnë se do të bëhet realitet.

Le të fillojmë dialogun. Nga këtu, në këtë kongres. Më tej në çdo qelizë të organizmit të partisë. Dhe më tej akoma, në çdo derë ku ka njerëz që presin më shumë prej nesh.

Le të afrohemi sa më pranë njëri – tjetrit. Le të punojmë së bashku duke inkurajuar njëri – tjetrin. Le të bëhemi një fuqi edhe më e madhe zemrash e mendjesh, për ta bërë edhe më të fortë shtysën e reformave në rrugën e re drejt Shqipërisë së gjeneratës.

Ka kaq shumë për të bërë dhe askush më mirë se ne nuk mund ta bëjë atë që duhet për Shqipërinë! Sepse ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë.

Fjala e kryeministrit në Kongresin e Partisë Socialiste

Leave a Reply

%d bloggers like this: