Home / Europa / Hyn në fuqi marrëveshja BE – Turqi

Hyn në fuqi marrëveshja BE – Turqi

Marrëveshja BE-Turqi për emigrantët hyri zyrtarisht në fuqi, por Greqia paralajmëron se, lëvizjet e llogaritura të frenojnë fluksin e azilkërkuesve në Egje do të kërkojnë kohë.

Pakti parashikon që emigrantët e mbërritur në shtetin helen të kthehen mbrapsht në Turqi, nëse nuk aplikojnë për azil apo nëse kërkesa u refuzohet. Por përpara fundit të afatit, numri i njerëzve të lëshuar drejt ishujve grekë u rrit ndjeshëm dhe Athina deklaroi menjëherë se, implementimi i ujdisë në terren nuk do të jetë i mundur.

Marrëveshja parashikon që për çdo emigrant sirian të kthyer në Turqi, një sirian me dokumente të rregullta i ndodhur tashmë në atë vend, të sistemohet në Bashkimin Europian.

Megjithatë, dyshime të mëdha rrethojnë zbatimin e kësaj nisme, përfshirë këtu dhe numrin e refugjatëve që do të kthehen. Për të ndihmuar autoritetet greke të zbatojnë paktin, në shtetin helen priten të mbërrijnë 2.300 ekspertë, përfshirë këtu përkthyes e zyrtarë të sigurisë dhe të emigracionit.

Deri tani, megjithatë, asnjë prej tyre nuk ka vënë këmbë në Greqi dhe zbatimi i menjëhershëm i paktit duket i pamundur, për sa kohë ka ende detaje në diskutim. “Një plan të tillë nuk e vë dot në jetë brenda 24 orësh”, i tha AFP-së zëdhënësi i qeverisë për Emigracionin, Giorgos Kyritsis.

Ndërkohë, në qytete të ndryshme të Europës, mes të cilave Londra, Athina vet, Barcelona, Amsterdami e Gjeneva, pati protesta kundër marrëveshjes së kritikuar ashpër nga grupet e të drejtave të njeriut.

“Amnesty International” e akuzoi BE-në se po i kthen shpinën një krize globale refugjatësh, ndërsa në kryeqytetin grek, grupe refugjatësh afganë thërrisnin: Hapni kufijtë, jemi qenie njerëzore. Kemi edhe ne të drejtat tona.

Leave a Reply

%d bloggers like this: