Home / Ekonomia / Reforma e tokës – Dixhitalizimi i kadastrave përmes APP-së

Reforma e tokës – Dixhitalizimi i kadastrave përmes APP-së

Dixhitalizimi i kadastrave po shihet si një zgjidhje finale me të cilën qeveria synon të shmangë pronësinë e dyfishtë dhe ndërrimin e destinacionit të tokës bujqësore.

Në programin e reformave 2016-2018 qeveria ka shpallur miratimin e strategjisë për konsolidimin e tokës dhe përgatitjen e kuadrit ligjor për konsolidimin e saj. Duke e konsideruar si prioritet dhe objektiv themelor pronësinë e tokës për zhvillimin e bujqësisë, Ministria e Bujqësisë ka nisur të vërë në jetë reformën mbi tokën bujqësore.

Kështu, Agjencia e Prokurimit Publik ka publikuar kontratën e prokurimit, me procedurë të hapur, për krijimin e sistemit të informacionit për tokën (LIS) i integruar në sistemin e informacionit gjeografik (GIS) për 13 njësi administrative me një siperfaqe prej 45 900 hektarë tokë në rrethet Fier dhe Berat.

Fondi limit i përcaktuar për këtë procedurë është rreth 14. 9 milionë lekë pa TVSH dhe afati i kryerjes së shërbimit është përcaktuar të jetë 7 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës. 14 prilli 2016 është vendosur si afati i fundit për paraqitjen e kërkesës për shprehje interesi dhe dokumentave në formë elektronike në websiten zyrtar të Agjencisë së Prokurimit Publik.

Projektet e konsolidimit të tokës do të kryhen paralelisht me planifikimin e infrastrukturës në aspektin e cilësisë së rrjetit rrugor dhe ujitjes, si pjesë e një qasjeje të integruar për zhvillimin e sektorit të bujqësisë. Prioritet do t’u jepet rajoneve me bujqësi të zhvilluar dhe intensive ku parcela të vogla dhe të fragmentuara kufizojnë në mënyrë të konsiderueshme zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë si veprimtari primare në zonat rurale.

Leave a Reply

Your email address will not be published.