Home / Kosova / Spitali Pediatrik-Kirurgjik, investim 22 milionë eruo i Emirateve të Bashkuara Arabe

Spitali Pediatrik-Kirurgjik, investim 22 milionë eruo i Emirateve të Bashkuara Arabe

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Maitha Al Shamsi, ministre e shtetit e Emirateve të Bashkuara Arabe, përuruan sot fillimin e punimeve për ndërtimin e spitalit Pediatrik-Kirurgjik, në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare.

Në ceremoninë e përurimit Presidentja Jahjaga tha se ” ky spital do të jetë më moderni jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, me aparaturat më moderne, që do të përdoren nga mjekë profesionalë”.

“Sot jam shumë e lumtur që donacioni prej 22 milionë euro do të përdoret për ndërtimin e objektit të këtij spitali, për pajisjen me shtretër dhe me të gjitha mjetet e tjera të nevojshme, përfshirë këtu edhe aparaturën më të avancuar teknologjike shëndetësore, e cila do të ndihmojë në diagnostikimin sa më të hershëm të sëmundjeve dhe shërimin sa më efikas të tyre”, theksoi Jahjaga.

Ky spital, vijoi ajo,  që do të përfshijë midis të tjerash kirurgjinë e fëmijëve, onkologjinë dhe neonatologjinë, do të jetë spitali më modern jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, me pajisjet më të avancuara teknologjike në rajon dhe me stafin më të përkushtuar dhe më të përgatitur profesional.

“Me ndërtimin e këtij spitali në këtë hapësirë, shumë afër klinikës së Gjinekologjisë dhe asaj të Pediatrisë, synojmë që të gjitha shërbimet pediatrike, që kanë të bëjnë me shëndetin e fëmijëve, prej çastit të lindjes, t’i ofrojmë në një vend, me shumë profesionalizëm, kujdes dhe dashuri. Vënia e gurthemelit të këtij Spitalit për shërbime gjithëpërfshirëse Pediatrike dhe Kirurgjike, shënon një hap shumë të rëndësishëm në thellimin dhe fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe të miqësisë midis Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, midis institucioneve dhe popujve të të dyja vendeve”, nënvizoi Jahjaga.

Presidentja Jahjaga u shpreh se “Institucionet dhe qytetarët e Kosovës do t’i jenë përjetë mirënjohës Mbretëreshës së Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheika Fatima bint Mubarak, për këtë donacion zemërgjerë. Unë do t’i jem gjithmonë mirënjohëse Nënës Mbretëreshë Sheika Fatima bint Mubarak, mikes time te madhe, ashtu siç e quan populli i saj, për bujarinë e treguar”.

Sipas një njoftimi të Presidencës, spitali i ri është një donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe, në vlerë prej 22 milionë euro. Marrëveshja për ndërtimin e tij është nënshkruar në prill të vitit të kaluar, gjatë një vizite të Presidentes Jahjaga në Abu Dhabi. Realizimi i këtij projekti pritet të përfundojë në vitin 2018.

Leave a Reply

%d bloggers like this: