Home / Arte / Ekspozita / Art në rezidencën e ambasadorit amerikan, Donald Lu

Art në rezidencën e ambasadorit amerikan, Donald Lu

Vepra të emrave të njohur të artit, e kanë kthyer rezidencën e kryediplomatit amerikan në një ekspozitë të artit bashkëkohor. Deidre Adams, Lucy Arai, Linda Beach, Lanny Bergner, Karen Kamentzky, Matt Seaholtz sjellin një gjuhë ndryshe, përtej politikës…

Nga Alda Bardhyli

Wendy Luers afrohet ta prekë nga afër veprën e Matt Seasholtz, vendosur në një kënd të hapësirës së katit të parë të rezidencës së ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu. Filantropistja dhe presidentja e fondacionit për shoqërinë civile në SHBA e ndien nga larg një vepër arti. Bluja në qeramikat që i përngjan një luleje plot jetë, i ngjason buzëmbrëmjeve në pranverë, ku qielli duket sikur është i gjithi i lyer me bojërat e Seasholtz. Luers e njeh mirë gjuhën e një vepre arti. Prej vitesh ajo është një nga mbështetëset më të mëdha të artistëve të rinj kryesisht nga vendet e Ballkani

Por bluja e një artisti si Matt nuk ka si të mos e prekë një grua, aq më tepër mbrëmjeve. Ideja e artistit ndërsa i jepte jetë kësaj vepre ishte përqendrimi. Duket sikur ajo kërkon të bëjë të njëjtën gjë me çdo vështrim që shkon drejt saj…Bri kësaj vepre një bibliotekë modeste me vepra të autorëve të traditës dhe bashkëkohorë të jep ndjesinë e mendimit që nuk mund të jetë larg pikturave. Wendy, njohëse e mirë e veprave të autorëve amerikanë di ta lexojë atë çfarë shpaloset në tri lulet blu të derdhura në qelq në veprën “Qielli i natës” (Grup lulesh optike). Një qiell nate që mund të trazojë mendimet, por dhe të ftojë në një udhëtim reflektimi, si në një udhëtim në një det të nxehtë… “Më pëlqen vështirësia e të punuarit me qelq të nxehtë. Punimi i qelqit me fryrje kërkon shumë përqendrim. Ka gjithashtu një element të fortë të bashkërendimit fizik dhe mendor. Këto gjëra e bëjnë artin e të krijuarit të një cope qelqi me metodën e fryrjes si kënaqësi, ashtu edhe sfidues për mua. Qelqi i punuar me fryrje të cilin jam duke e prodhuar aktualisht, eksploron ndërveprimin mes fushave të ngjyrave transparente, të strukturave me sipërfaqe duke përdorur shabllone dhe forma optike. Unë punoj me forma të derdhura organike dhe të lira për të përfituar më së miri nga natyra fluide e qelqit. Ndërthurja e këtyre elementëve krijon iluzionin e lëvizjes në të gjitha punimet e mia”, do të shprehej artisti Matt Seasholtz për këtë punë. Vepra e Seasholtz është vetëm një nga gjashtë vepra të tjera të njohura që janë vendosur në hapësirën e rezidencës së ambasadorit Lu, të cilat e kanë kthyer katin e parë të hapësirës në një ekspozitë arti bashkëkohor. Duket se ke zbuluar një kënd muzeu të njohur arti, kuruar me kujdes sapo përballesh me veprën e parë. Ajo që endet më gjatë duke vështruar këto piktura, është vajza e tij, Aliya, e cila ëndërron të bëhet një artiste. Format abstrakte në pikturën “Shmangie” e artistes Deidre Adams hapin para saj botë të tëra përfytyrimi. Adams është një tjetër artiste që gjendet në hapësirat e kësaj rezidence. Gjithnjë në kërkim të së bukurës, në veprat e saj dhe pse abstrakte nuk mungon drita. “Abstrakte nga forma secila prej pikturave të mia, është një përsiatje vetjake në përdorimin e elementeve të stilizuara të gjuhës pamore, posaçërisht vijave, formës, ngjyrës, shkallës dhe balancës”, thotë ajo. Fokusi kryesor në punët e saj është tekstili dhe ajo i shton shenja dhe ngjyrat e akuarelit në shtresa, duke ndërtuar një regjistër të saktë të të gjitha fazave të procesit. “Gjuha është e dukshme, por e përmbledhur në thelbin e saj, duke komunikuar vetëm nevojën përbërjen e shënimeve të përsëritura me ngulm. Puna ime i referohet kohës dhe transformimit, specifikisht rrugëve në të cilat sipërfaqet ndryshohen prej forcave të jashtme”, shpjegon ajo. Nuk ka si të mos mungojë dhe një vepër e artistes së njohur amerikane, Lucy Arai. E lindur në vitin 1956 nga një nënë japoneze, në punët e saj duket se ndërthuren dy kulturat. “Bojë, fletë ari dhe fije mbi letër” quhet puna e cila gjendet bri një tryeze të madhe në rezidencë. E verdha e artë për shumë kritikë amerikanë ngjason me vetë artisten gjithnjë e hapur dhe në kërkim të dimensioneve të reja artistike. “Më është dashur një jetë e tërë që të zhvilloj ndjeshmërinë e teknikës, e cila më mundëson përtëritjen e këtij punimi të vjetër japonez në një art që mund ta quajë ekskluzivisht timin. Duke nisur me sashiko-n tradicionale në fillim vitet 1970, unë e kam transformuar tegelin e thjeshtë në një shprehje komplekse të unit tim të brendshëm artistike”, shprehet ajo. Artistja Linda Beach duket se ka futur pak natyrë brenda në rezidencë. “Dritë e larme” quhet vepra e saj, ku shpaloset ndjeshmëria ndaj natyrës. Sfida e përdorimit të vijave, formës, ngjyrës dhe modelit të gjetur në pëlhurat tregtare për të interpretuar atë që sheh, ky është objektivi i saj. Procesi nis me konceptin që artisti transformon në një vizatim apo në një model me përmasë të plotë çdo vijë që përfaqëson një tegel mes dy copave pëlhure. Përgjegjësia dhe kufizimet e procesit të bashkimit janë pjesë e pandarë e projektimit. Modeli më tej pritet veçmas ku secila pjesë e letrës përdoret si një shabllon për një pëlhurë të vetme. Pjesët më pas bashkohen me makinë për t’u bërë një copë “e sipërme” e vetme e shtresëzuar mbi rripa copash dhe një pëlhurë në anën e prapme. Në fund, ajo zgjedh modelin e qepjes së punimit si mbushje jorgani, për ta përmirësuar pamjen. Kjo e përmbush interpretimin dhe i shton një përmasë të re sipërfaqes së veprës së përfunduar. Artisti Lanny Bergner është pak më tej në këtë hapësirë me veprën “Enë e lashtë”. Cilësia eterike e veprës së Lanny Berger është në kontrast me materialet e zakonshme që ai përdor për t’i ndërtuar ato. Ato janë krijuar duke përdorur bronz, tunxh, aluminin dhe rrjetë çeliku të paoksidueshëm, silikon, tel dhe qelq poroz. Duke përdorur pinca fillrojtësi dhe gërshërë mekanike, ai përdor teknika novatore, por gjithsesi të thjeshta për t’u bashkuar, për ta transformuar rrjetën në struktura organike gjysmëtransparente, në enë dhe në struktura gjeometrike. Veprat e tij u referohen formave biomorfe (biologjia e bimëve, mikroorganizmat, krijesat nënujore) gjeologjisë së tokës dhe kozmologjisë. Ato e tërheqin shikuesin me pamje të çastit në një botë ku bashkohen materialet e krijuara nga natyra dhe dora e njeriut. Ato festojnë misterinë dhe habinë e të gjithë kësaj. Vepra e Karen Kamenetzkyt duket se të fton në një udhëtim në butësi. “Shfaqja II” quhet vepra që ndodhet në rezidencën amerikane. Vetë artisti e shpjegon kështu veprën: “Aktualisht, tapiceritë e mia prej fibre për t’u varur në mure, frymëzohen nga imazhe mikroskopike, qelizore. Të gjitha ndryshimet në thelb ndodhin në atë nivel pambarimisht të vogël dhe përfundojnë në botën që ne përjetojmë”. Punimi i tij është një lloj biologjie e shpikur ku objektivi i lentes afrohet mbi natyrën themelore të gjërave dhe i sjell ato në pamje. “Duke nisur me pambuk të bardhë dhe mëndafsh, unë u shtoj ngjyra plot gjallëri duke përdorur ngjyrues dhe bojë. Qepjet e dendura i shtojnë dritë dhe hije, si dhe ngjyra. Ka një kënaqësi të prekshme kur merresh dhe krijon punime artistike me pëlhura. Unë punoj e bazuar mbi skica dhe koncepte, por secila vepër përshkon një rrugë evoluimi dhe ndryshimi”, thotë Kamenetzku. Sfida e tij është besimi te procesi i shtjellimit. Nuk mjaftojnë pak orë të endesh në këto vepra që sjellin një perceptim mbi kohë të ndryshme të artit pamor amerikan. Teknika të ndryshme të përfshijnë në gjendje të cilat vetëm arti ka aftësi t’i gjejë brenda teje. Çdo vepër kërkon një mbrëmje për ta hulumtuar, e një tjetër për të gjetur ndoshta një tjetër kuptim që mund të kishte humbur tej në natë. Veprat e vendosura në hapësirën e rezidencës së ambasadorit amerikan në Tiranë nuk sjellin vetëm shijen e tij estetike mbi artin, por janë pjesë e një politike kulturore të menduar nga zyra e artit në Departamentin e Shtetit, e themeluar që në vitin 1963. Muzeu i Artit Modern e projektoi këtë program të artit pamor global një dekadë më parë. Në fillim të viteve 1960, Presidenti John F. Kennedy e formalizoi atë duke emëruar drejtorin e parë të këtij programi. Deri tani ky program është i pranishëm në mbi 200 vende. Programi art në ambasada kuron ekspozita të përkohshme dhe të përhershme për ambientet e të gjitha ambasadave, konsullatave dhe rezidencave të përfaqësive diplomatike në mbarë botën, duke përzgjedhur dhe porositur art bashkëkohor nga SHBA-ja dhe nga vendet pritëse. Këto ekspozita i ofrojnë publikut një ndjenjë të cilësisë, qëllimit dhe diversitetit të artit dhe kulturës së dy vendeve…Vetë ambasadori amerikan, Donald Lu, duket se ndihet mirë që një pjesë e artit ndodhet në shtëpinë e tij. Ndryshe nga vizitorët e përkohshëm, ai ka fatin të endet më gjatë në dimensionet e këtyre veprave…”Vajza jonë, Aliya, synon të bëhet artiste dhe motra e Ariel, Shoshana dhe kunati Andreas janë që të dy artistë. Ekspozita e shfaqur në shtëpinë tonë u mbikëqyr nga një zyrë e posaçme në Departamentin Amerikan të Shtetit, që u ofron artistëve të jashtëzakonshëm mundësinë që t’ua huazojnë veprat e tyre ambasadorëve amerikanë me qëllim që ata t’i ndajnë me audiencat ndërkombëtare”, shkruan ai dhe bashkëshortja dr. Ariel Ahart, në hyrje të një katalogu që i përmbledh këto vepra. Sipas tij, “në këtë ekspozitë gjenden punime të artistëve amerikanë, të cilët u bëjnë jehonë disa prej tematikave dhe materialeve që hasen edhe në punimet e artistëve dhe artizanëve shqiptarë, përfshirë përshtatjen moderne të formave arkaike të punimeve të mbushjes me tegela, qëndisjes dhe të punimit të qelqit me fryrje”. “Gjithashtu, do të zbuloni në këto vepra arti frymëzimin që është marrë prej qiellit të natës, detit e ngjyrave të pasura dhe dritës e peizazheve malore. Këto janë gjithashtu cilësi dhe tematika të eksploruara në një mori veprash të mirënjohura të artit shqiptar”, e përshkruajnë ata ndjesinë e këtyre veprave. Veprat e vendosura në rezidencën amerikane janë kuruar nga Camille Benton. “Gjithnjë më duket sikur kam zbuluar një tjetër histori”, do të shprehej Mat Seaholtz teksa shpjegonte një nga veprat e tij të preferuara. Janë dhjetëra ndjesi që këto vepra përçojnë te ty, të cilat dr. Ariel Ahart mund t’i sjellë në mendje teksa kalon çdo ditë bri tyre. Drita e larme e artistes Linda Beach, vazhdon të vezullojë në çdo kohë, si për të treguar se arti është forma më e mirë përmes së cilës mund të komunikojnë jo vetëm kulturat, por dhe politikat.

Leave a Reply

Your email address will not be published.