Home / Bota / Amerika / Obama-Raul Castro, të drejtat e njeriut pika e nxehtë e takimit

Obama-Raul Castro, të drejtat e njeriut pika e nxehtë e takimit

Të drejtat e njeriut, ashtu siç qe parathënë, i vunë në kurs përplasjeje me njëri-tjetrin Barack Obamën dhe Raul Castron.

Pas fanfarave të pritjes së presidentit amerikan, që me vizitën e parë të një shefi të Shtëpisë së Bardhë në gati 90 vjet çeli një faqe të re në historinë e marrëdhënieve mes dy ish-armiqve të mëdhenj, u kalua në çështje ku pikëpamjet kontrastojnë.

Mes tyre, burgu amerikan i Guantanamo Bay dhe të burgosurit politikë të Kubës. Në konferencën e rrallë të përbashkët për shtyp, Castro tha se po t’i jepnin në dorë një listë të burgosurish të tillë do t’i lironte brenda natës.

Shtëpia e Bardhë këmbëngul se i ka paraqitur Havanës lista disidentësh në të shkuarën. Por problem, sipas zyrtarëve amerikanë, është se Castro nuk i sheh si disidentë ata që dergjen burgjeve të vendit.

Kjo mosmarrëveshje përbën dhe boshtin e konfliktit mes amerikanëve dhe kubanëve. Castro kaloi pas kësaj në kërkesa dhe tha se, më shumë duhet bërë për heqjen e embargos tregtare të SHBA-së ndaj Kubës dhe se kampi i Guantanamos duhet mbyllur. Obama nga ana e tij la të kuptohej se embargoja do të hiqet plotësisht.

“Fati i Kubës nuk do të vendoset as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e as nga ndonjë komb tjetër. Të ardhmen e Kubës do ta vendosin vetë kubanët dhe askush tjetër”, tha presidenti USA.

Se kur do të ndodhë saktësisht heqja e masave shtrënguese, Obama nuk e tha, por pranoi se një lëvizje e tillë është e domosdoshme. “Ajo çfarë bëmë për 50 vjet nuk i shërbeu as interesave tona e as atyre të popullit kuban”, u shpreh ai.

Presidenti shtoi sidoqoftë se lehtësimi i mëtejshëm i embargos tregtare do të varet nga veprimet që Havana do të ndërmarrë në raport me të drejtat e njeriut.

Leave a Reply

%d bloggers like this: