Te ndryshme

Marrja pjesë në një dasmë mund të jetë e rrezikshme

Në javën e kaluar, në një dasmë të mbajtur në shtetin verior të Uttar Pradesh-it, u vra një fotograf. Ai u qëllua me armë nga familjarët e dhëndrit dhe humbi jetën. Ndërsa ahengu ishte në kulm, ata nxorën armët nga brezi dhe nisën të qëllonin. Viktima Raju mori plagë vdekjeprurëse në stomak. Gjithashtu, edhe një vajzë 17-vjeçare u plagos

Ceremonitë martesore supozohet që të jenë ngjarje të gëzueshme, por në Indinë e Veriut, një numër shokues i tyre përfundon në mënyrë tragjike. Kjo vjen për shkak të traditës së festimit duke qëlluar me armë nga dasmorët, të cilët pavarësisht këshillave vazhdojnë ta aplikojnë në mënyrë këmbëngulëse.

Në javën e kaluar, në një dasmë të mbajtur në fshatin Raipur Bhood, në shtetin verior të Uttar Pradesh-it, u vra një fotograf.

Ai ndodhej aty për të fotografuar momentet e paharrueshme si të çiftit ashtu edhe të familjarëve, por u qëllua me armë nga të afërmit e dhëndrit. Ndërsa ahengu ishte në kulm, ata nxorën armët nga brezi dhe nisën të qëllonin. Viktima, Raju, mori plagë vdekjeprurëse në stomak dhe vdiq më pas në spital. Gjithashtu, dhe një vajzë 17-vjeçare, Meenakshi, ngeli e plagosur në këtë ngjarje. Festimet me armë nuk kanë për qëllim që të marrin jetë apo të gjymtojnë njerëz, e megjithatë, në 10-ditëshin e fundit, këta të dy nuk ishin viktimat e vetme të këtij fenomeni.

I ati i dhëndrit në një tjetër fshat të Indisë së Veriut qëlloi dhe plagosi një djalë 12-vjeçar, kurse në një fshat të tretë, një grua u plagos ndërsa po shikonte një dasmë.

Më pas, pati një tjetër incident në lagjen periferike të kryeqytetit, Nju Delhi, në Alipur. Ndërsa ahengu i kishte përfshirë që të gjithë, një burrë i quajtur Vikas Kumar, nxori një shotgun e pistoletë dhe nisi të shtinte në ajër.

Ai goditi dy herë, kurse të tretin e drejtoi armën në tokë. Dy nga shokët e dhëndrit dhe tre anëtarë të orkestrës u qëlluan në këmbë. Të pestë u dërguan në spital, ku morën ndihmën e parë mjekësore.

Vetëm në muajin shkurt, në shtetin indian të Uttar Pradesh-it, si pasojë e këtij zakoni të zhurmshëm, humbën jetën katër persona.

Madje në një ceremoni martesore, vetë dhëndri u plagos rëndë, pasi një dasmor qëlloi me armë. Amit Rastogi ishte duke ndjekur traditën. Ai i hipur mbi kalë po i drejtohej shtëpisë së nuses, kur u qëllua në kokë.

Të tilla problematika kanë bërë që autoritetet indiane të mendojnë se si ta frenojnë këtë fenomen.

“Kur ti qëllon me pistoleta dhe armë automatike gjatë një dasme është kthyer në një lloj mode”, u shpreh Manoj Jain për BBC-në. Gjykatësi nga Delhi vendosi që të dënohej me 25 muaj burgim një person që në dasmën e mikut të tij qëlloi me armë dhe vrau xhaxhain e dhëndrit. “U bë kohë që qeveria përpiqet që t’i vështirësojë procedurat për të dhënë licenca për mbajtjen e armëve dhe gjithashtu ka zhvilluar një mekanizëm që të mundësojë që këto licenca të mos keqpërdoren.”

Kolegu i tij, gjykatësi SK Saxena, shtoi se duhet që të ndalet përshkallëzimi i këtij trendi.

Disa prej familjeve të shqetësuara nga incidente të mundshme u kanë bërë thirrje të ftuarve në dasma, që të shmangin përdorimin e armëve gjatë ceremonisë. “Një kërkesë miqësore: Ju lutem mos festoni duke qëlluar me armë dhe duke pirë alkool”, thuhej në ftesat e dërguara tre mijë të ftuarve të tij nga organizatori Mahirajdhwaj Singh Chandel.

“Në kohët e fundit, ne kemi qenë dëshmitarë që jetë të pafajshme kanë humbur gjatë ceremonive martesore si pasojë e përdorimit të armëve. Është e tmerrshme që një ngjarje e gëzueshme të transformohet në mort.”

Në kulturën indiane, festimi duke qëlluar me armë shikohet si një gjest burrëror dhe si një alternativë e fishekzjarrëve. Për më tepër që në Indinë veriore nuk ndalohet. E tillë traditë është e zakonshme në Afganistan, disa shtete të Lindjes së Mesme dhe Ballkan.

Përgjithësisht, armët drejtohen në ajër, pasi kështu qitësi mendon se asnjë nuk do të dëmtohet. Por kjo ide është e gabuar. Faktikisht, personat që goditen nga plumbat që bien nga ajri kanë më shumë të ngjarë që të marrin plagë vdekjeprurëse sesa ata që goditen drejtpërdrejt nga arma, sipas një studimi të bërë nga doktorët e një spitali në Los Anxhelos.

Doktorët analizuan 118 persona që u goditën nga plumbat që binin nga qielli ndërmjet viteve 1985 dhe 1992 dhe arritën në përfundimin se shkalla e vdekshmërisë ishte rreth 1/3, krahasuar me 2% deri në 6% për ata që ishin plagosur nga qitjet e drejtpërdrejta në trupat e tyre.

Kjo, sepse, pavarësisht se plumbat lëvizin me shpejtësi më të ulët sesa kur qëllohen direkt, mundësia është më e madhe për viktimat që të goditen në kokë.

Sipas studimit, një plumb bie nga ajri në tokë me një shpejtësi 90 deri në 180 metra për sekondë, mjaftueshëm shpejt sa të shkaktojë një plagë vdekjeprurëse në kafkë.

Në vitin 2003, Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve hetoi rreziqet pas festimeve për vitin e ri në Puerto Riko në natën e ndërrimit të viteve 2003-2004. Përfundimi ishte se 19 të plagosur dhe një i vdekur u shkaktuan si pasojë e plumbave të rënë nga qielli.

“Plumbat nuk janë kartolina. Festoni pa qëlluar me armë”, ishte slogani i një televizioni dhe i një radioje të një fushate sensibilizuese në Maqedoni në vitet 2005.

Dhe të tillë fushatë, edhe qeveria indiane po mendon që ta nisë, për të ndërgjegjësuar popullatën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button