Libri

Poezia ose shqisa e bukur

Në Ditën Ndërkombëtare të Poezisë

Nga Alda Bardhyli

“Nëse lexoj një libër dhe trupi im bëhet aq i ftohtë, sa nuk ka zjarr ta ngrohë, atëherë e ndiej që kjo është poezia”. Emily Dicksion e përkufizonte kështu poezinë. Wordsworth, e shihte atë si një “shpërthim të ndjenjave më të fuqishme”. Dylam Thomas shprehej se “poezia është ajo që më bën të qesh, të qaj, të mërzitem… ajo që më bën të dua shumë gjëra ose asgjë”. Virginia Wolf shprehej me filxhanin e çajit në duar, se “vargjet janë ato që mund ta largojnë nga mendimet më të errëta”. “Ajo është një grua, një grua para së cilës dorëzohem”, shprehej Bukowski, një mjeshtër i fjalës… Janë dhjetëra përkufizime të bëra nga poetë, shkrimtarë ose lexues për poezinë. Poema epike e Homerit “Odiseja” përshkruhet si një nga aventurat më të mëdha të shkruara ndonjëherë. Rilindja angleze do të ishte një tjetër epokë e artë për poezinë. Poetë dramatikë si John Milton, Christopher Marlower, Shekspir shkruan vargje që vazhdojnë edhe sot të mbushin auditorët me studentë dhe t’i përgjigjen pyetjes se çfarë është poezia…Nga poezia japoneze e shekullit të 19-të, tek ajo amerikane, ku hyn Diksion, Tomas Eliot, postmodernizmi apo eksperimentalizmi, slam, poezia filloi të krijonte botën e saj ku njerëzit do donin të ndaleshin. Ndoshta një nga karakteristikat më të rëndësishme për përcaktimin e poezisë është mosgjetja e një nocioni përcaktues për të. Poezia është mermeri i gjuhës, kavanaci i mbushur me bojëra i piktorit, zhurma e erës apo frymëmarrja e qiellit. Janë të pafundme shprehjet e gjetura për t’i dhënë formë kësaj gjendjeje letrare, e cila ndryshe nga gjinitë e tjera letrare nuk mund të ketë ende një përkufizim të qartë. Kjo, pasi ashtu siç shprehej Alda Merini, poezia është ajo që ndien. Ajo që futet nën lëkurën tënde dhe të trazon indet më të fjetura, ato që ti i ke lënë aty për vite të tëra, pa i prekur…Por kritikët e quajnë poezinë si ekonominë e gjuhës. Poetët janë të kursyer në fjalë, duke zgjedhur me kujdes ato të duhurat që mund t’i japin jetë një kuptimi. Ndryshe nga prozatorët, poetët duhet të mendohen mirë përpara se të shkruajnë. Nuk u duhen shumë fjali për të treguar një gjendje… Mjaftojnë disa fjalë të renditura si duhet për të dhënë gjithë atë çfarë Haruki Murakamit mund t’i duhet një vit për ta dhënë në një roman. Poezia është shtëpia e vogël dhe e brishtë e gjuhës, një shtëpi e cila mund të bëhet e jotja me një lexim. Për Philip Roth është çliruese të ulesh dhe të ndiesh muzikën e kësaj shtëpie. Kudo që të ndodhesh, ti mund të futesh në këtë shtëpi me një lexim. Lidhjen mes poezisë dhe muzikës shumë kritikë janë përpjekur ta shpjegojnë përmes studimeve. Pasi vargjet shpesh i krijojnë një muzikalitet të ngjashëm me notat në pentagram. Mënyrat e leximit të një poezie janë të pafundme. Poezia është, më së shumti, gjuhë. Të paktën, ana e dukshme e saj, ana e prekshme, ajo që stampohet në letër dhe lexohet, është vetëm gjuhë. Nëse, siç e ka përkufizuar Frosti, poezia është ajo që humbet gjatë përkthimit, atëherë është gjuhë; madje, vetëm një pjesë e gjuhës: është tingull. Është, sikundër drejt e kanë thënë, vendosje e fjalëve në një rend sa më harmonik. Më tutje, besoj se procesi i krijimit është tejet i koklavitur, i pazhbirueshëm. Ku fillon dhe ku mbaron poezia? Para se të fillojë shkrimi i poezisë, pra gjatë ngjizjes së saj, mund të marrin pjesë edhe shqisat: lëkura, syri, veshi. Para, por edhe gjatë shkrimit, mund të marrin pjesë kujtesa, përfytyrimi, ëndrra. Të gjitha këto – ndonëse nuk janë krejt pa lidhje me gjuhën, përderisa gjuha lidhet ngushtë me të menduarit – nuk përbëjnë troje gjuhësorë. Ndoshta, fakti që poezia vazhdon të krijohet prej mijëra vjetësh i detyrohet, përveçse gjuhës, edhe kësaj mistike. Por ajo që mbetet pas çdo hulumtimi është fakti se vargjet vijojnë të jenë stacione të dashura për secilin prej nesh. Me gjithë rënien e botimeve të vëllimeve me poezi në botë, dhe kthimin e vëmendjes së tregut gjithnjë e më tepër nga proza e gjatë, apo ajo bestseller, poezia vijon të jetë aty, si gjendja e cila nuk mund të bëjë asnjëherë kompromis me kohën. Kjo, pasi rregullat e ndërtimit të saj, janë të ngjizura në kushtet e një terreni të panegociueshëm që janë ndjenjat njerëzore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button