Home / Ekonomia / Shqipëria, shteti i katërt në Europë që mbetet pa hekurudhëS

Shqipëria, shteti i katërt në Europë që mbetet pa hekurudhëS

Shqipëria renditet e 67-a në botë 147 shtete nga për nga gjatësia e rrjetit hekurudhor për popullsi, ndërsa i shtohet listës së pak vendeve në botë që aktualisht nuk e ofrojnë këtë shërbim. Planet për PPP për të ngjallur hekurudhat në vend…

Teksa Ministria e Transporteve ka përgatitur një masterplan ambicioz, që kërkon 1.4 miliardë euro dhe ndër të tjera synon rigjallërimin e transportit hekurudhor në vend, në mënyrë ironike, trenat kanë ndalur prej disa ditësh. Mungesa e karburantit dhe borxhet e akumuluara citohen nga drejtuesit e hekurudhës si arsyet kryesore që kanë çuar në këtë ndërprerje.

Prej vitesh sistemi hekurudhor në Shqipëri ka qenë në gjendje të amortizuar. Rrjeti hekurudhor në Shqipëri është ndërtuar në periudhën 1946 – 1986, kryesisht për t’i shërbyer industrisë. Në total, rrjeti hekurudhor ka një gjatësi prej 420 km, sipas burimeve nga Ministria e Transportit. Sektori hekurudhor ka degjeneruar tërësisht në 10 vitet e fundit. Ai mund të përshkruhet si sektori më pak i zhvilluar dhe më pak tërheqës në Ballkanin Perëndimor (së bashku me sektorin hekurudhor të Kosovës).

 Shteti i katërt në Europë pa hekurudhë

Janë 147 shtete në Botë që kanë sistem hekurudhor, sipas të dhënave nga Unioni Ndërkombëtar i Hekurudhave (shih tabelën). Teorikisht, Shqipëria pozicionohet relativisht mirë, pasi është e 67-a në botë sipas gjurmës për km hekurudhë për popullsi, duke mbuluar rreth 7500 banorë.

Një sërë shtetesh kanë në planet e tyre ndërtimet e hekurudhave, si Kuvajti, Katari, Ruanda, Jemeni etj.

Në Europë deri tani kishte tre shtete pa system hekurudhor dhe Shqipëria bëhet i katërti. Qipro ka operuar me hekurudha nga vitet 1905-1951 dhe Malta nga 1883-1931 (të dy këto shtete kanë plane ta rigjallërojnë sistemin e transporti me tren). Edhe Islanda nuk ka transport hekurudhor, për shkak të sipërfaqes së vogël, terrenit të ashpër dhe konkurrencës së madhe nga automjetet.

Sidomos në Europë dendësia e hekurudhave është shumë e lartë, pasi ato shërbejnë si një mjet i rëndësishëm për komunikimin mes vendeve të Bashkimit Europian.

Planet në letër të qeverisë shqiptare

Sipas masterplanit të transporteve, Ministria e Transportit synon të vitalizojë edhe transportin hekurudhor, ku brenda vitit do të paraqitet projekti për linjën Tiranë-Rinas-Durrës, për të vijuar me projektet për lidhjen hekurudhore, Durrës-Elbasan-Përrenjas-Lin-Pogradec, duke hapur perspektivën për t’u lidhur me rrjetin hekurudhor grek dhe maqedonas. Ndërsa për aksin verior synohet edhe lidhja me Malin e Zi.

Deri në vitin 2020, në lidhje me transportin hekurudhor do të synohet realizimi i reformës së thellë për të krijuar një treg të hapur për investitorët e ndryshëm, si në aspektin operacional të menaxhimit, ashtu edhe të infrastrukturës.

Pikë tjetër do të jetë forcimi i kapaciteteve në të gjitha nivelet, duke bërë të mundur administrimin për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive standardeve europiane.

Gjithashtu do të synohet krijimi i kushteve të favorshme ligjore dhe institucionale për tërheqjen e investimeve të huaja. Dhe objektivi tjetër do të jetë ndërveprimi me sektorët e tjerë të transportit.

Partneritet publik-privat edhe në hekurudha

Hekurudha shqiptare është duke synuar zbatimin e një programi investimi për një periudhë 8 deri në 10-vjeçare, që do të rivendoste rrjetin në kushte normale pune, të krahasueshme me ato në vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Sipas masterplanit, kapitali i sektorit privat nuk shihet si një alternativë e mundshme investimi në periudhën afatshkurtër, ndërsa skema koncesionare e tipit PPP do të kërkonte: një shpërndarje të balancuar të rreziqeve ekonomike; kredi dhe garanci nga BE-ja; mungesë të rreziqeve politike; kuadër ligjor dhe zbatim efikas; staf të trajnuar; projekte transitore.

Rrjeti gjithëpërfshirës TEN–T (Rrjeti Trans-Europian i Transportit, program i BE-së për zhvilllimin e infrastrukturës në Europë) mbulon këto seksione në Shqipëri:

– Ndërtimin e segmenteve të reja hekurudhore: Pogradec-Korçë –kufiri me Greqinë (Korridori VIII);

-Rehabilitimi i segmentit Durrës-Pogradec-Lin dhe ndërtimi i një linje të re lidhëse me kufirin e Maqedonisë (Korridori VII);

Ndërsa rrjeti qendror TEN-T Core:

-Rehabilitimin e hekurudhës Durrës-Tiranë dhe ndërtimin e segmentit të ri Tiranë-Rinas (Korridori VIII);

-Rehabilitimin e segmentit Vorë – Hani i Hotit (ROUTE 2)

Të gjitha këto projekte do të jenë pjesë e Strategjisë Kombëtare të Transportit dhe planit të masave 2016-2020, përjashtim bën projekti për ndërlidhjen me kufirin grek, i cili u zgjodh nga SEETO për të qenë pjesë e hartës “MAP 2016”, por u zëvendësua nga projekti i rehabilitimit të segmentit Durrës-Tiranë dhe ai Tiranë-Rinas, që rezultoi se ishte më fitimprurës dhe më fleksibël.

Për sa kohë që këto plane do të vazhdojnë të mbeten në letër, Shqipëria do të vijojë të jetë nga të paktat vende në Europë e botë me një rrjet të amortizuar e jashtë funksioni, ndërsa nuk do të shfrytëzojë dot pozicionin e saj strategjik për të qenë një nyje lidhëse e transportit në Europën Juglindore.

hekurudha

Leave a Reply

Your email address will not be published.