Home / Ekonomia / Mosmarrëveshja me CEZ, Gjiknuri: Neglizhenca e qeverisë së mëparshme, përgjegjësi penale

Mosmarrëveshja me CEZ, Gjiknuri: Neglizhenca e qeverisë së mëparshme, përgjegjësi penale

ministri-damian-gjiknuri-kuvend-parlament-foltoreNeglizhenca nga qeveria e mëparshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me çekët e kompanisë ‘Cez Shpërndarje’ përbën përgjegjësi ligjore e si rrjedhojë edhe penale, deklaroi të martën në komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri.

‘Neglizhenca përballë interesave të mëdha të shtetit shqiptar përbën përgjegjësi ligjore e si pasojë edhe penale. Ligji e ka të përcaktuar qartë se çfarë veprimesh duhet të bënte qeveria shqiptare. Shihet qartazi një mosveprim i palës shqiptare. I dha mundësi palës çeke të padiste qeverinë shqiptare”, deklaroi Gjiknuri.
Ministri tha se për arritjen e marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim të kontratës me kompaninë çeke, qeveria shqiptare është konsultuar në çdo hap nga partnerë ndërkombëtarë. Sipas tij, arbitrazhi nuk do të ishte në favor të qeverisë shqiptare. Ai sqaroi se mbajta hapur i konfliktit legal mes CEZ Shpërndarje dhe qeverisë shqiptare do të bllokonte sistemin energjetik në vend, për një periudhë 5-6 vite. Sipas Gjiknurit, marrëveshja e arritur mes Kompanisë CEZ, e cila tashmë ka ndryshuar dhe emrin e saj, duke u quajtur OSHEE do të krijojë mundësi që në muajin shtator me anë të një kredie të marrë nga Banka Botërore, me një fond prej 150 milion dollarësh të kryhen investime në sektorin energjetik. Ndërkohë ministri i Financave Shkëlqim Cani tha se kërkohet një reformë e thellë dhe e dhimbshme në sektorin e energjisë.
“Shuma nuk shlyet nga buxheti por të ardhurat shtesë të CEZ apo kompania me emrin e ri do të duhet të shlyejë në 4 vitet e ardhshme. Nuk është buxheti që i vendos këto para, por garanton. Por të ardhurat shtesë imponojnë një reformim tërësor të CEZ. Kërkohet që në një kohë shumë të shkurtër, me urgjencë, shumë shpejt, patjetër do të duhet të bëhet reforma në energjetikë pasi duhet të pranojmë se gjëndja në sektorin e energjisë është kritike. Nuk do të thoja vetëm nga pikëpamja financiare kërkon patjetër një reformë të thellë dhe të dhimbshme”, theksoi ministri Cani.
Duke e konsideruar ish -qeverinë Berisha si fajtore, ministri Gjiknuri e akuzoi atë dhe për abuzime duke paguar lobistët ndërsa zyra avokatore që mbronte shtetin në konfliktin me CEZ nuk paguhej.
“Jo për aryse politike por për të qenë objektiv dhe gjithë dokumentet e vërtetojnë. Qeveria shqiptare luajti me hile duke lënë litarin jashtë. Sepse hapi negociata me CEZ të cilat nuk ia di njeri se ku i zhvilloi këto negociata, veçse në një hotel privat dhe pa asnjë prezencë ndërkombëtare, dhe nuk mori asnjë masë. Është një veprim për kundër interesave të vendit. Vetë fakti se zyra avokatore e përzgjedhur nga qeveria e thekson me shkrim madje nuk janë paguar për punën paraprake. Unë dua t’ju them se në të njëjtën periudhë kohore është paguar firma “Patton Bogs”. Madje kam këtu kontrata financiare me vlera deri në 330 mijë euro, kontratë për të larë lobistët e ish qeversië. Kjo është një çështje që meriton të hetohet dhe ne ne po përgatisim dosjen dhe përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi” tha Gjiknuri.
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe tha se që nga privatizimi skandaloz në prag zgjedhjesh në 2009-ën e deri në shtator të vitit të shkuar, e gjithë historia është një histori grabitjeje. Braçe kërkoi edhe hetimin e parave të marra nga “Patton Bogs”, në mënyrë që paratë e shqiptarëve të marra padrejtësisht të kthehen një më një. “Kërkoj përgjegjësi ligjore për Sali Berishën dhe këdo që është marrë me degradimin e kësaj kompanie dhe të gjithë sisitemit energjetik shqiptar. E di që kemi probleme me drejtësine, por duhet t’i shkojmë këtij muri deri në fund. Janë më të shtrenjta këto ( i referohet detyrimeve te pashlyera, CEZ-it, Armos dhe vjedhjes së Bankës së Shqipërisë) se çdo prokuror apo gjykatës në Shqipëri”, tha Braçe.

Leave a Reply

Your email address will not be published.